MPB u bën thirrje edhe një herë qytetarëve të RMV-së që deri në fund të vitit të ndërrojnë lejet e vjetra të vozitjes

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) sot në kuadër të fushatës së saj u bën thirrje qytetarëve që t’i zëvendësojnë patentë shoferët me emrin e vjetër kushtetues të shtetit. Sipas ndryshimeve në Ligjin për siguri në komunikacion, rikujton MPB, vlefshmëria e tyre është deri më 31 dhjetor, transmeton Portalb.mk.

“Ministria u bën thirrje të gjithë qytetarëve që kanë ende patentë shofer me emrin e vjetër kushtetues që të rinovojnë patentë shoferin deri në fund të afatit për të mos krijuar radhë të panevojshme”, thonë nga MPB.

Nga aty bëjnë me dije se të gjitha kapacitetet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe sportelet e shërbimeve administrative funksionojnë me kapacitet të plotë dhe mund t’u shërbejnë qytetarëve për ndërrimin e patentë shoferëve në afatin e rregullt, pa vonesa.

Kujtojmë se më 1 shkurt të këtij viti, Kuvendi miratoi në procedurë të shkurtuar ndryshimet ligjore sipas të cilave afati për ndërrimin e patentë shoferëve me emërtimin “Republika e Maqedonisë” do të jetë deri në fund të vitit, përkatësisht 31 dhjetor 2024.

Ndryshimi i dokumenteve buron nga Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë më 17 qershor 2018, e cila u dha fund mospajtimeve të kamotshme mes dy shteteve.

Dokumente personaleMarrëveshja e Prespës (me Greqinë)Ministria e Punëve të Brendshme (MPB)Patentë patenta e shoferit