Tre diplomatë rus janë shpallur persona “non grata”, përkatësisht të padëshiruar në vend nga ana e autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.
Këtë e ka kumtuar pasditën e sotme ambasada e Federatës Ruse në vend, përmes një postimi në rrjetin social “X” (Twitter), në të cilin transmetoi një koment të zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Marija Zaharova.
Ky veprim i autoriteve të RMV-së, siç theksohet, ka ndodhur më 12 shtator, pa sqarime për arsyet.
Rusia e ka cilësuar si të papërgjegjshëm dhe akt armiqësor shpalljen e tre diplomatëve për persona të padëshiruar dhe paralajmëroi se nuk do të mbetet pa përgjigje.
“Më 12 shator autoritetet e Maqedonisë së Veriut, pa sqarime për arsyet, shpallën tre diplomatë të Ambasadës Ruse në Shkup për “persona non grata”. Hapi i papërgjegjshëm dhe armiqësor i autoriteteve të Maqedonisë së Veriut nuk do të mbetet pa përgjigje”, thuhet në postimin e ambasadës ruse.
Ndërkaq, komenti i Zaharovës është publikuar edhe në faqen zyrtare të internetit të MPJ-së ruse.
Përkrah informatave për shpalljen e tre diplomatëve ruse për “persona non grata”, në koment theksohet se, autoritetet e RMV-së “vazhdojnë të ecin në rrugën e përkeqësimit të konfrontimit dhe t’i zhvillojnë raportet bilaterale, të cilat edhe ashtu janë në krizë të thellë, në qorr sokak.
“Vendimi për dëbimin e kolegëve tanë e vlerësojnë si dëshirë joadekuate e udhëheqësisë së këtij vendi që edhe njëherë t’ua dëshmojë gardianëve perëndimor rëndësinë e tyre në luftën kundër “kërcënimit rus” imagjinar. Hapi i papërgjegjshëm dhe armiqësor i autoriteteve të Maqedonisë së Veriut nuk do të mbetet pa përgjigje”, theksohet në komentin e Zaharovës, të publikuar në ueb faqen e MPJ-së ruse.