Ministria tenton ta suspendojë marrëveshjen kolektive, Sindikata e kulturës protestoi

Në protestën e mbajtur para ministrisë së kulturës, sindikalistët e kulturës dhe të SASHKUT, thonë se të punësuarit në kulturë u vendosën para aktit të kryer dhe me forcë u jepen akte të përgatitura individualisht me çka u rregullohet e drejta e rritjes së pagave, në kundërshtim me vullnetin e tyre dhe në kundërshtim me marrëveshjen kolektive në kulturë dhe marrëveshjen e përgjithshme kolektive për sektorin publik, raporton Alsat.

“Ekziston revoltë e madhe tek të punësuarit në veprimtarinë e kulturës, për tentimin e suspendimit të marrëveshjes kolektive për kulturë. Domethënë me paralajmërimet për rritje prej 10 përqind të pagave në sektorin publik, po tentohet që tek të punësuarit e kulturës, kjo rritje të jetë e përkohshme, gjegjësisht nga paga e shtatorit deri në pagën e shkurtit, që nënkupton prej marsit do të punohet sipas parimeve dhe rregullave të reja. Kjo është joparimore nga ana e ministrisë së kulturës…”, deklaroi Jakim Nedellkov, SASHK.

Nedellkov thotë se Ministria e Kulturës përmes drejtorëve dhe dhënies së vendimeve të reja si dhe presionit mbi të punësuarit, po tenton që të lidh anekse individuale që janë në përputhshmëri me aneks marrëveshjen e mëparshme të cilën sindikatat paraprakisht e kanë hedhur poshtë. U bëjnë thirrje të punësuarve të mos bien pre e presionit dhe të mos nënshkruajnë asgjë.

“I bëjmë thirrje Ministrisë së Kulturës dhe përgjegjësve në ministritë e tjera, të respektojnë parimet e marrëveshjeve kolektive. Institucionet e kulturës të tërheqin këto akte dhe vendime të njëanshme të përgatitura me urdhëra dhe aplikimi I nenit 14 nga Marrëveshja e përgjithshme kolektive për sektorin publik, ta zbatojnë në mënyrë të përcaktuar në pajtueshmëri me marrëveshjen kolektive”, u shpreh Verica Atanasova, Sindikata e Kulturës.

Nga Ministria e Kulturës thonë se i sigurojnë sindikatat dhe të punësuarit në kulturë se nuk ekziston arsye për mosbesim apo bazë për keqpërdorim të konkluzionit të Qeverisë për zbatimin e marrëveshjes kolektive.

“Nuk ka asnjë prapavijë në zbatimin e Konkluzionit të Qeverisë për rritjen e pagës bazë në sektorin publik për 10 për qind, e cila vlen për të gjithë vendin. Gjegjësisht, mënyra e përcaktimit të pagës bazë bruto është përcaktuar në Kontratën Kolektive për Kulturë, dhe me vendimet individuale të pagave përcaktohet vetëm shuma, natyrisht e rritur për 10% në përputhje me nenin 14 të Kontratës së Përgjithshme Kolektive”, thonë nga Ministria e Kulturës.

Nga Ministria theksojnë se përkufizimi deri në shkurt të vitit 2024 është për shkak të faktit që në mars do të ketë harmonizim të ri të pagës minimale ekzistuese.

Bisera Kostadinovska-StojçevskaKulturë lajmeMinistria e Kulturës (MK)SindikataSindikata për Arsim Shkencë dhe Kulturë (SASHK) RMV