Ministri Aliu mbi ndalimin e Tik-Tok-ut: Ne nuk mbajmë qëndrim, për një masë të tillë të koordinohen institucionet e drejtësisë, arsimit dhe sigurisë

Ministria e shoqërisë informatike dhe administratës ka reaguar lidhur me mundësinë e ndalimit të platformës Tik-Tok dhe rrjeteve tjera sociale në institucionet arsimore. Sipas kësaj ministrie censura është e rregulluar me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, prandaj qëndrim përfundimtar për një masë të tillë mund të pasojë vetëm pas një aktiviteti të koordinuar me institucionet e drejtësisë dhe institucionet tjera arsimore dhe të sigurisë në shtet, transmeton Portalb.mk.

“Nga disa burime, në opinion  përmendet nisma për ndalimin e rrjetit social Tik Tok në vend dhe te ne arrijnë pyetje në lidhje me këtë temë. Para së gjithash, censura është e rregulluar me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë. Kështu që, qëndrim përfundimtar për një masë të tillë mund të pasojë vetëm pas një aktiviteti të koordinuar me institucionet e drejtësisë dhe institucionet tjera arsimore dhe të sigurisë në shtet. Nisur nga kjo, ne mbështesim nismën e Ministrisë së Arsimit për të vlerësuar rreziqet nga të gjitha platformat sociale”, thonë nga MShIA.

Ata thonë se MSHIA ka një qëndrim të qartë, është kundër çdo lloj gjuhe të urrejtjes apo dhunës, pa përjashtim. Ne mbështesim sanksionimin e çdo burimi të gjuhës së urrejtjes/dhunës. Sipas tyre, duhet bërë dallimi midis gjuhës së urrejtjes/dhunës si dhe burimeve të gjuhës së urrejtjes/dhunës nga njëra anë dhe vetë platformave përmes të cilave do të transmetohej një gjuhë e tillë.

“Prandaj, ministria merr parasysh të gjitha platformat sociale pa përjashtim. Edhe pse aktualisht nuk mbajmë qëndrim për ndalimin e asnjë platforme sociale, por edhe si prindër, besojmë fuqishëm se platformat sociale si fenomen i qytetërimit të kohës sonë duhet të fillojnë të rregullohen. Rrjedhimisht, ne si Ministri tashmë jemi duke ndërmarrë aktivitete përgatitore në atë drejtim dhe në kohën e duhur do të përfshihemi me nisma shoqërore”, deklaruan nga MShIA.

Ata bëjnë thirrje për ngritjen e ndërgjegjes për platformat sociale te kuadri edukativo-arsimor dhe te prindërit për vëmendje të madhe.

“Përveç kësaj, duke përfshirë edhe sektorin joqeveritar, si dhe institucionet tjera shtetërore, koncesionarët e televizionit dhe radios apelojmë të prodhojnë përmbajtje me karakter edukativo-arsimor dhe të mbushin zbrazëtirat në platformat sociale me përmbajtje të mirë.  Me vigjilencë do t’i ndjekim zhvillimet dhe do të jemi në kontakt me institucionet kompetente. Duke pasur parasysh ndjeshmërinë dhe rreziqet, mbetemi plotësisht të hapur për komunikim me të gjithë aktorët shoqërorë”, nënvizuan nga MShIA.

Duke marrë parasysh zhvillimet në Serbinë fqinje dhe me qëllim të zvogëlimit të të gjitha rreziqeve dhe kërcënimeve të mundshme për sigurinë e nxënësve dhe mësuesve në mjedisin shkollor, ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri njoftoi sot se do t’i propozojë Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe autoriteteve të sigurisë një vlerësim urgjent të situatës dhe rreziqeve të sigurisë, të cilat në masë të madhe ushqehen nga disa rrjete sociale, si “TikTok”.

Ndalimin e “TikTok” dhe rrjeteve tjera sociale që nxisin dhunën në Maqedoni të Veriut, sot e ka kërkuar edhe kryetarja e Partisë Liberal Demokratike (PLD) njëkohësisht deputetja, Monika Zajkova.

Pas dy vrasjeve masive në Serbi, Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Maqedonisë (MASh) mbajti takim me profesorë universitarë nga fusha e pedagogjisë, psikologjisë, sociologjisë, sigurisë dhe dhunës kibernetike dhe të tjerët. Ngjarjet në fqinjësi, thanë nga Ministria e Arsimit, përfshinë një alarm serioz se angazhimi dhe shqetësimi individual për rritjen dhe zhvillimin e duhur të fëmijëve duhet të ngrihet në një nivel edhe më të lartë.

Dhunë - DhunaMinistria e Arsimit dhe Shkencës (MASH)Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MSHIA)Nxënës të shkollave fillore - filloristëNxënës të shkollave të mesmeRrjete socialeTikTok
Comments (1)
Add Comment