Mimoza Musa: Nuk promovojmë mjaftueshëm gra lidere, nuk kemi politika që adresojnë nevojat dhe shqetësimet e grave

Përfaqësimi i grave në vendimmarrje në Maqedoninë e Veriut ende është shumë i ulët, sidomos i grave shqiptare. Pavarësisht se ndër vite ky përfaqësim është përmirësuar, ende nuk është në nivelin e kënaqshëm. Së fundmi RMV-ja u bë me përbërje të re parlamentare dhe qeveri të re, ku vendi shënoi regres në drejtim të përfaqësimit gjinor. Në kuvend janë gjithsej 10 gra deputete shqiptare ndërsa në qeveri nuk ka asnjë ministre shqiptare. Për këtë problematikë dhe të tjera, në një seri intervistash Portalb.mk sjell biseda me deputetet shqiptare të Kuvendit të RMV-së. Këtë herë biseduam me Mimoza Musain, deputete në Kuvendin e RMV-së e cila vjen nga koalicioni VLEN.

Intervistoi Albina Ramadani

Portalb: Ndër vite përfaqësimi i gruas në politikë është rritur, megjithatë kur vjen puna te postet vendimmarrëse gratë, sidomos ata shqiptare ngelin të pa përfaqësuara, sipas jush pse ndodh kjo?

Mimoza Musa: Fillimisht duhet të gjithë të pajtohemi se përfaqësimi i gruas në politik është rritur ndjeshëm veçanërisht viteve të fundit. Gjithsesi, kjo temë vazhdon të jetë e rëndësishme dhe e ndjeshme jo vetëm për shoqërinë tonë por edhe më gjerë.

Vet fakti që ekzistojnë kuota ligjore për përfaqësimin e grave në lista të këshillave komunal dhe në lista të deputetëve është indikacion që duhet të punohet më shumë në këtë drejtim. Janë disa faktorë që shpjegojnë pse gratë nuk përfaqësohen në pozita vendimmarrëse sidomos ato shqiptarе. Në këndvështrimin tim kjo ndodh sepse nuk promovojmë mjaftueshëm gra lidere në të gjitha nivelet shoqërore dhe nuk kemi iniciativa ose politika që adresojnë nevojat dhe shqetësimet e tyre.

Kemi gra dhe vajza të shkolluara, të afta dhe të përkushtuara për të udhëhequr pozita vendimmarrëse më mire se burrat. Por, është e rëndësishme të përqendrohemi në mbështetjen e grave në politikë, dhe në inkurajimin e një kulture të barabartë dhe respektuese fillimisht në familje, pastaj në shoqëri e më fund në politikë si dhe në adresimin e kulturës dhe strukturave të brendshme të partive politike që mund të pengojnë në angazhimin e grave në pozita vendimmarrëse.

Portalb: Së fundmi vendi u bë me qeveri të re, por nuk kemi asnjë ministre shqiptare grua, por edhe në të kaluarën përfaqësimi ka qenë thuaj se inegzistent për këtë pozitë, si e vlerësoni këtë? 

Mimoza Musa: Po të shohim në retrospektivë edhe në dy qeveritë e kaluar nuk ka pasur ministre shqiptare. (2017-2021, 2021 -2024). Ky nuk është fakt aspak i kënaqshëm. Përfaqësimi i grave në pozita vendimmarrëse vazhdon të mbetet një sfidë e madhe ne jetë politike shqiptare në RMV. Ajo që dua të potencoj është se ne si koalicion VLEN kemi 6 deputete gra nga 10 deputete shqiptare në Kuvend, 3 zevëndësministre dhe shumë gra tjera në drejtori dhe dikastere tjera të pushtetit. Sigurisht ka hapësirë dhe vullnet që kjo rrugë e nisur për përfaqësimin e grave të ndërtohet dhe më shumë dhe nesër të kemi edhe ministre shqiptare.

Portalb: Pse gratë në vendin tonë janë të heshtura kur vjen puna te ndarja e “kulaçit” dhe posteve në vendimmarrje?

Mimoza Musa: Përfaqësimi i grave dhe ndarja e posteve flitet zëshëm në rrjete sociale, në panel diskutimi dhe gjithandej, kjo tregon që gratë nuk janë edhe aq të heshtura kur vjen puna te ndarja e “kulaçit”. Pozicionimi brenda partiak është proces i vazhdueshëm dhe afatgjatë. Të gjithë ne punojmë së bashku për të inkurajuar përfaqësimin e grave, për rritjen e vetëdijes dhe ndryshimin e mentaliteti shoqërore kur vjen tek kontributi i gruas në procese vendimmarrëse brenda partiakë Megjithatë, kyçja e vazhdueshme e grave dhe vajzave në jetën politike dhe aftësitë e tyre ne jetë profesionale e bëjnë të pamohueshëm involvimin e saj në çdo fushë veprimi dhe vendimmarrës jo vetëm brenda partiak dhe edhe pozita vendimmarrëse shtetërore.

Portalb: A mendoni se listat e hapura do ishin një lloj zgjidhjeje për përfaqësim më të madh të grave në Kuvend dhe të njëjtat të kontribuonin në mbështetjen më të madhe të grave në politikë?

Mimoza Musa: Një ndër mekanizmat që mund të përdoren për të inkurajuar përfaqësimin më të madh të grave në politikë sigurisht janë listat e hapura. Edhe pse deri tash iniciativat për ndryshimet e Kodit Zgjedhor me lista të hapura nuk ka hasur në përkrahje nga të gjitha partitë politike. Unë mendoj që listat e hapura do të mundësonin lista kandidatësh më kualitativë, dhe pavarësisht renditjes mundësitë e të votuarit do të ishin më të barabartë. Rrjedhimisht do të ketë e gra që janë aktive në shoqëri dhe kanë dhënë kontribut që të jenë pjesë të këtyre listave, dhe sigurisht përfaqësim më të lartë të grave.

Portalb: Ku qëndron zgjidhja sipas jush në bërjen e RMV-së një mjedis më të mirë për gratë në politikë?

Mimoza Musa: Për të bërë RMV-në një mjedis më të mire për gratë në politikë duhet të hartojmë një plan gjithëpërfshirës. Kuvendi e ka miratuar Strategjinë për Barazi Gjinore 2022-2027, që ka për qëllim fuqizimin e të drejtave të grave në vend. Mekanizmat që mund të përdoren për të tejkaluar sfidat në përfshirjen e grave dhe vajzave në jetën politike dhe proceset politike janë sensibilizimin dhe edukimin e shoqërisë për rëndësinë e përfaqësimit të barabartë të gjinisë në politikë, hartimin e politikave dhe ligjeve që promovojnë barazinë gjinore si dhe përkrahjen financiare dhe teknike për gratë dhe vajzat që dëshirojnë të angazhohen në politikë, si dhe krijimin e mjedisit politik të favorshëm për të gjitha gjinitë.

Portalb: Cilat janë sfidat më të cilat përballet një grua politikane shqiptare në Maqedoninë e Veriut?

Mimoza Musa: Të jesh pjesë e aktive e jetës politike, është e pamundur mos ballafaqohesh me sfida, e veçanërisht të jesh grua në politikë. Sfidë shumë e madhe është të gjeturit baraspeshën e të qenurit nënë, grua dhe të bërit jetë publike (politike). Por më e rënda dhe e vështira është ballafaqimi i vazhdueshëm, me paragjykime dhe gjuhë të urrejtjes në rrjete sociale. Gjithsesi gratë shqiptare në politikë kanë treguar që mundin të tejkalojnë çfarëdo sfide dhe të jenë të suksesshme e në profesionet tyre edhe të angazhohen në politikë për të kontribuar për mirëqenie shoqërore dhe kjo tregon që janë super gra.

Portalb: Për fund, çfarë mesazhi do ju jepni të gjitha vajzave të reja të cilat duan t’i futen politikës por nga rrethi dhe situata aktuale ngurojnë?

Mimoza Musa: Si çdo pune tjetër në jetë është komplekse dhe e vështirë. Shfrytëzoni çdo mundësi edukimi dhe trajnimi , jini të guximshme dhe këmbëngulëse por mbi të gjitha besoni në vetvete. Mos pritni të ju jepet mundësi, krijojeni vet dhe mos lejoni që asnjë sfidë të ju zbrazë. Vetëm në këtë mënyrë do të bëheni një role model për gjeneratat e reja.

Portalb.mk intervistoi të gjitha deputetet shqiptare në Kuvendin e RMV-së, se çfarë thanë ato mund t’i lexoni më poshtë. Vetëm deputetja Ilire Dauti nga Fronti Evropian nuk pranoi intervistën.

Barazi gjinoreGra të suksesshmeParlamenti - Kuvendi i Maqedonisë së VeriutShkupi