Mickoski-Mexhiti në 23 vjetorin e nënshkrimit: Marrëveshja e Ohrit solli paqe në shtet

Sot në Shkup shënohet 23 vjetori e nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e cila i dha fund konfliktit të armatosur disamujor në vend në vitin 2001. Qeveria e shënoi përvjetorin e Marrëveshjes Kornizë me seancë formale në të cilën, folën kryeministri Hristijan Mickoski dhe zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, raporton Portalb.mk.

Kryeministri Hristijan Mickosk në seancën në fjalë, tha se me Marrëveshjen e Ohrit në atë kohë asnjë palë nuk ka mbetur i lumtur, por duhet pranuar se pikërisht Marrëveshja e Ohrit e solli paqen në shtet.

“Duhet të jemi realist dhe hapur të thuhet se nënshkrimi i Marrëveshjes Kornizë në atë kohë nuk e ka lumturuar dhe kënaqur asnjë palë, por duhet pranuar se ishte Marrëveshja Kornizë ajo që solli paqen në vend.Ajo që jemi të ndryshëm në bazë etnike dhe fetare nuk na bënë të ndryshon në prioritete dhe nevoja. Kemi probleme të përbashkëta, dhe së bashku duhet t’i zgjidhim ato probleme. Problemet etnike po keqpërdoren dhe po ndërtohen karriera në atë emër. Për parti politike të caktuara Marrëveshja Ohrit është më e mirë kur ata janë në pushtet, ndërsa kur janë në opozitë menjëherë kritikojnë duke harruar se sa i shtrenjtë është çmimi i asaj marrëveshje. Këtë e shfrytëzojnë edhe për ndërtimin e karrierave dhe biznes koalicione. Dhe kur flasin për vlera evropian dine se ata më së shumti i shkelin ata vlera. Marrëveshja e Ohrit është pjesë e kushtetues dhe ajo që nuk është përfunduar janë probleme reale të bashkëqytetarëve tanë”, tha Mickoski.

Izet Mexhiti dhe Hristijan Mickoski në 23 vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit. Foto nga profili i Mexhitit në Facebook

Nga ana tjetër, zv.kryeministri i parë, Izet Mexhiti, ka shkruar se për dallim nga e kaluara, Qeveria aktuale po punon për të institucionalizuar Marrëveshjen e Ohrit përmes punëve konkrete qeveritare, duke e integruar atë në sistemin shtetëror si një element të qëndrueshëm.

“Sot, në seancën solemne të Qeverisë, shënuam 23-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, një ngjarje kyçe për shtetin tonë. Gjatë fjalimit tim, theksova rëndësinë e kësaj marrëveshjeje, si një bazë për paqe dhe stabilitet në vend, dhe se qeveria jonë po dëshmon aftësinë dhe vendosmërinë, për të respektuar dhe zbatuar në tërësi Marrëveshjen e Ohrit”, ka shkruar Mexhiti.

Mexhiti tha se  një nga pikat kyçe të fjalimit tim ishte rëndësia e decentralizimit fiskal.

“Kjo është një zgjidhje sistemore, e cila siguron që, bashkë me transferimin e obligimeve dhe përgjegjësive tek komunat, të transferohen edhe burimet e nevojshme financiare. Komunat, duke qenë se janë pikat e para të kontaktit me qytetarët, duhet të jenë të pajisura me mjetet e duhura, për të përmbushur nevojat e tyre. Ndryshe nga e kaluara, ne po punojmë për të institucionalizuar Marrëveshjen e Ohrit përmes punëve konkrete qeveritare, duke e integruar atë në sistemin shtetëror si një element të qëndrueshëm!”, shkroi Mexhiti.

Më herët, në ora 10:00 në Klubin e deputetëve në Shkup, në organizim të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, u mbajt panel diskutimi me temën “23 vjet pas Marrëveshjes Kornizë, decentralizimi mbetet sfidë”, në të cilin, përveç zëvendëskryeministrit Mexhiti, panelistë ishin edhe ministri i Vetëqeverisjes Lokale Zllatko Perinski dhe profesorët Rizvan Suleimani, Nano Ruzhin, Afrim Osmani dhe Bujamin Bela.

Në mbrëmje Mexhiti do të organizojë edhe një pritje zyrtare në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Shkup.

Nga ana tjetër, festë të veçantë organizoi Fronti Evropian, i udhëhequr nga BDI. Ata shënuan23 vjetorin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit me një manifestim të titulluar “Akademia për legjitimitet” që u mbajt në mesditë në hotelin Aleksandar Palace në Shkup.

Në mesin e të pranishmëve ishin zyrtarë të lartë partiakë nga BDI, ish-ministra dhe ish-kryetarë komunash dhe aktualë.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se maqedonasit mund të përparojnë vetëm nëse janë në komunikim dhe harmoni me shqiptarët, ose siç tha ai, përndryshe do t’i gëlltisin serbët, bullgarët dhe grekët, transmeton Portalb.mk.

Ahmeti shtoi se maqedonasit duke bashkëpunuar dhe bashkëjetuar me shqiptarët, mund ta ruajnë identitetin dhe historinë e tyre, në të kundërtën, janë të destinuar të mos ekzistojnë fare.

“Maqedonasit si komb mund të përparojnë vetëm duke qenë në komunikim e harmoni të mirë e marrëdhënie me shqiptarët, përndryshe i gëlltisin serbët, bullgarët dhe grekët dhe këtë që ua them unë këtu, ua kam thënë të gjithë përfaqësuesve të politik të komunitetit maqedonas. Vetëm me ne duke bashkëpunuar, duke bashkëjetuar, mund ta ruajnë historinë, identitetin e tyre kombëtarë përndryshe janë të destinuar që mos të ekzistojnë fare”, tha Ali Ahmeti.

Për ta është “ofendues faktin që një putinist i përbetuar si Ivan Stoillkoviqi një mos-njohës i pavarësisë së Republikës së Kosovës”, është zëvendës kryeministër dhe ministër përgjegjës për Marrëveshjen e Ohrit edhe pse të njëjtën as që e njeh dhe as që e respekton.

“Bashkimi Demokratik për Integrim nuk mund të qëndron duarkryq kur shqiptarët dhe të tjerët po poshtërohen çdo ditë dhe kur çdo e arritur në drejtim të barazisë po zhbëhet. Prandaj dhe kemi angazhuar autorin e Marrëveshjes së Ohrit Paul Williams dhe ekipin e tij pranë PILPG për të hartuar platformë ligjore mbi legjitimitetin, me ç’rast drafti i parë tashmë është dorëzuar dhe do të shqyrtohet në kuadër të Frontit Europian e më pas edhe në publik me botën akademike, organizatat joqeveritare, mediat, qytetarët”, thuhej në reagimin e djeshëm të BDI-së.

Festa e paralajmëruar paralele nga BDI shkaktoi reagime te VLEN-i, koalicioni qeverisës nga radhët e shqiptarëve. Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, këtë hap të BDI-së e ka vlerësuar si “festë dhe argëtim privat”.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të ri të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, tha pas Kuvendit Qendror të kësaj partie se është marrë vendim që më 17 dhjetor të këtij viti të mbahet kongres i jashtëzakonshëm.

“BDI në një farë mënyre ka pretendime për privatizimin e ngjarjeve të caktuara. Ata ende nuk mund të pranojnë që janë opozitë, por u duhet kohë dhe do të mësohen. Ata bëjnë festa private, festa mund të organizohen nga kushdo. Ne i ftuam në manifestimin që organizohet nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë, janë të mirëseardhur dhe le të vazhdojnë të organizojnë ahengje private”, tha dje Taravari.

Ai theksoi se ngjarjet historike nuk kanë qenë asnjëherë pronë private e askujt, ato do të jenë gjithmonë ngjarje të qytetarëve që jetojnë këtu.

Deputetja Saranda Imeri nga koalicioni “VLEN” të premten i ka bërë thirrje liderit të BDI-së, Ali Ahmeti që të marrë pjesë në përkujtimin shtetëror të përvjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit në vitin 2001.

Ajo theksoi se arsyeja e adresimit të saj ishte përpjekja, siç tha ajo, “për të privatizuar një datë të ndritur të historisë shqiptare”.

“23 vjet më parë u shkrua një kapitull i ri në historinë e Maqedonisë kur u nënshkrua Marrëveshja e Ohrit. Për mua, si vajza e Imer Imerit, njërit prej nënshkruesve të kësaj marrëveshjeje historike, kjo paraqet shumë më tepër se një dokument politik. Është trashëgimia e një brezi që luftoi për një të ardhme më të mirë dhe një shoqëri të përbashkët. Ndihem i indinjuar kur shoh se si një datë që duhet të na bashkojë përdoret për interesa të ngushta partiake”, tha Sandra Imer.

Në Kushtetutën e vendit pas shpalljes së pavarësisë nga ish-Jugosllavia në vitin 1991, ishin sjellë disa kufizime për të drejtat e grupeve të tjera etnike në vend, veçanërisht për shqiptarët.

Shqiptarët të cilët kërkonin të drejtën e arsimit të lartë në gjuhën e tyre amtare, në vitin 1994 e themeluan universitetin e tyre. Ky hap nuk u mbështet nga qeveria e asokohshme dhe universiteti i themeluar ishte rrënuar nga policia. Në përplasjen e ndodhur kishte humbur jetën një person, ndërsa ishin plagosur shumë të tjerë.

Shqiptarët të cilët gjithashtu kërkonin përdorimin e flamurit kombëtar në vend, në vitin 1997 i vendosën flamujt në komunat e Gostivarit dhe Tetovës, veprim ky i cili u cilësua si i paligjshëm dhe ishin hequr flamujt. Pas intervenimit të policisë, kishin humbur jetën disa persona dhe ishin arrestuar shumë të tjerë.

Rruga që çoi në Marrëveshjen e Ohrit

Konflikti i armatosur filloi pasi më 22 janar një grup i armatosur sulmoi stacionin policor në fshatin Tearcë të Tetovës, ku në sulm humbi jetën një polic ndërsa tre të tjerë ishin plagosur. Përgjegjësinë mbi sulmin e kishte marrë Ushtria Çlirimtare Kombëtare (UÇK).

Përleshjet kanë vazhduar edhe në qytete të tjera të vendit me shkallë të ndryshme intensiteti gjatë muajve të pranverës.

Një marrëveshje e përgjithshme armëpushimi u arrit më 5 korrik, e ndërmjetësuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe NATO, ndërkohë të dyja palët e shkelën marrëveshjen shumë herë.

Marrëveshja e Ohrit, Foto nga Fejsbuku i Blerim Bexhetit

Në ngjarjet mes 22 janar-12 nëntor 2001 humbën jetën qindra persona nga të dyja palët, ndërsa dhjetëra mijëra të tjerë u zhvendosën.

Përleshjet kanë ndodhur në pjesën veriore dhe veriperëndimore të vendit si dhe në afërsi të kryeqytetit Shkup. Incidente të dhunshme ndodhën në qytete të ndryshme të vendit.

Marrëveshja Kornizë e Ohrit

Negociatat për arritjen e marrëveshjes në Ohër, përfunduan me përafrimin e dokumentit, ndërsa i njëjti u nënshkrua më 13 gusht të vitit 2001. Marrëveshja Kornizë, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, u nënshkrua nga partitë më të mëdha politike në vend dhe përfaqësuesve të posaçëm të Bashkimit Evropian (BE) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Marrëveshja i dha fund konfliktit ndërsa hodhi bazat për rritjen e të drejtave të shqiptarëve në vend.

Në marrëveshje, përveç zyrtarizimit të gjuhës shqipe, janë përfshirë edhe zhvillimi i pushtetit vendor, mos diskriminimi, përfaqësimi i drejtë, zbatimi i procedurave të veçanta të Kuvendit për çështje si gjuha, kultura, arsimi dhe simbolet.

Me “Ligjin për përdorimin e gjuhëve” të miratuar nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 11 janar 2018, i cili parasheh që gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare krahas maqedonishtes, u bë gjuha e dytë zyrtare në vend më 15 janar 2019.

Gjithashtu u vendos që një gjuhë e cila flitet nga më shumë se 20 për qind e popullsisë në cilindo qytet të vendit, përveç maqedonishtes, të jetë gjuhë zyrtare.

Në kontekstin e zbatimit të marrëveshjes, në vitin 2004 u formua edhe Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, që funksionoi në kuadër të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Sekretariati më pas u shndërrua në Ministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive.

Hristijan Mickoski HristianIzet MexhitiMarrëveshja Kornizë e OhritQeveria e Maqedonisë së Veriut