Mickoski dhe Ahemti akuzohen mes veti se planifikojnë trazira ne RMV

Kryeministri Hristijan Mickoski dhe kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti po akuzohen ndërmjet veti se po planifikojnë trazira në Maqedoninë e Veriut. Pas paralajmërimeve të kryeministrit Mickoski se zyrtarët e ish-qeverisë po përpiqen të provokojnë një konflikt ndëretnik, Ahmeti në takim me ambasadorin David Geer u ankua se Qeveria po krijon skenare për destabilizim të vendit a për të fajësuar të tjerë, transmeton Portalb.mk.

“Kryetari Ahmeti elaboroi mbi draft platformën për legjitimitet të përgaditur nga autori i Marrëveshjes së Ohrit Paul Williams dhe PILPG, mendimet e ekspertëve vendor dhe për hapat që do ti ndërmerr BDI dhe Fronti Evropian në mbrojtje të legjitimitetit. Ahmeti gjithashtu foli për paralajmërimet tendencioze të Kryeministrit Mickovski për destabilizim duke shfaqur shqetësim për inskenime të qëllimshme qeveritare për fajësim të të tjerëve me qëllim të defokusimit të opinionit nga dështimet e qeverisë.  BDI është përkushtuar për stabilitet, siguri, paqe, marrëdhënie të mira ndëretnike dhe ndërfqinjësore si dhe integrim evropian dhe refuzon çdo tentativë inskenuese politike për destabilizim. Gjithashtu, mbetemi partner më i përkushtuar i Bashkimit Evropian dhe i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për një Maqedoni të veriut partnere dhe anëtare të NATO dhe BE”, thuhet në njoftimin e BDI-së pas takimit të Ahmetit me ambasadorin Geer. 

Ndërkohë sot paraprakisht, kryeministri Hristijan Mickoski tha se zyrtarët e ish-qeverisë po përpiqen të provokojnë një konflikt ndëretnik. Ai sërish nuk përmendi emra, por pretendon se “po bëhet nga elementë që kanë në dispozicion miliona para”

“Një pjesë e tyre janë zyrtarë të lartë të qeverive të mëparshme, të cilët po përpiqen të mobilizojnë njerëzit në terren, kryesisht për të manipuluar, ndërsa ajo që më shqetëson veçanërisht, ata po përpiqen të provokojnë konflikt etnik, domethënë të destabilizojnë harmoninë ndëretnike në Maqedonia. Kjo është ajo që më shqetëson më shumë sepse ata e kuptojnë se nuk mund t’i mobilizojnë njerëzit në asnjë mënyrë tjetër, e vetmja mënyrë është të provokojnë këtë lloj konflikti – ne nuk do ta lejojmë këtë. I bëj thirrje publikut, mediave, qytetarëve që të përmbahen nga çdo provokim. Herët a vonë, autorët e provokimeve të tilla do të përgjigjen, por ju lutemi të jeni të durueshëm”, tha Mickoski pas vizitës së sotme në Drejtorinë doganore.

Pretendimet e sotme të kryeministrit janë në të njëjtën linjë me ato të zëvendëskryeministrit të parë nga radhët e koalicionit “VLEN”, Izet Mexhiti, i cili dy ditë më parë tha se një numër i vogël i njerëzve me para të zeza dëshirojnë destabilizimin e vendit për të shpëtuar lëkurën e tyre, por tregoi se nuk besonte se do të kishte një gjë të tillë.

“Është e vërtetë që ka para të zeza dhe do të donin të kishte mjegull për t’ua shpëtuar lëkurën, por këta janë një numër i vogël njerëzish dhe nuk mendoj se për shkak të atij numri të vogël të njerëzve, dikush do të shtrijë dorën ose të shkelë ligjin ose të mbajë përgjegjësi nesër për një lloj destabilizimi. Në fund, qytetarët kanë nevojë për paqe, kanë nevojë për një standard më të mirë të jetesës, për paga më të larta dhe në raport me Marrëveshjen e Ohrit, një nga shtyllat është pikërisht decentralizimi”, tha Mexhiti.

Më herët, lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, i ka bërë thirrje kryeministrit që nëse ka ndonjë informacion për destabilizim apo prishje të mundshme të paqes në vend, t’i ndajë me institucionet kompetente. Në një intervistë për “Fokus”, Filipçe gjithashtu shton se VMRO-ja dhe BDI-ja janë rehat me narrativat e konfliktit ndëretnik dhe destabilizimit, por se LSDM-ja nuk do të jetë pjesë e lojërave të tilla, siç thotë ai, të pandershme.

Përndryshe, kryeministri paralajmëron edhe auditimin e punës së mëparshme të institucioneve në vjeshtë.

“Pres që diku nga mesi i shtatorit të përfundojë tranzicioni i plotë brenda institucioneve në atë nivel për të cilin është përgjegjëse Qeveria, më tej, udhëheqësia në ato institucione, supozoj se do ta vazhdojnë atë proces vertikalisht poshtë. Që do të thotë se në më pak se tre muaj pas zgjedhjes së kësaj Qeverie, raundi i parë i tranzicionit duhet të përfundojë. Pres që ata që do të jenë pjesë e atyre institucioneve fillimisht të stabilizojnë institucionet dhe gjatë rrugës pres që të bëjnë një rishikim dhe analizë serioze të asaj që ka ndodhur në të kaluarën, sipas të njëjtit parim si më parë. Deri më tani kemi indikacione serioze për veprimtari të kundërligjshme në shumë institucione, por jemi të kujdesshëm, duam të japim dëshmi të qëndrueshme, nuk duam të lëmë hapësirë ​​për asnjë interpretim se është ndjekje politike e dikujt”, tha Mickoski.

Mickoski ka kohë që përmend mundësinë e destabilizimit, duke e lidhur me aktivitetet e planifikuara nga BDI për në vjeshtë. Me të njëjtën tezë publikisht doli edhe ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, por as ai nuk dha më shumë detaje.

Nga ana tjetër, e pyetur nga “360 gradë” presidentja Gordana Siljanovska-Davkova – nëse në lidhje me këto informacione planifikon të mbledhë Këshillin e Sigurimit dhe nëse kabineti i saj ka informacion të tillë, përgjigja nga atje ishte e shkurtër – jo.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI)Hristijan Mickoski HristianVMRO-DPMNE