Mickoski as pas takimit me Damevën nuk lëkundet nga ideja për shpërndarjen e Këshillit Gjyqësor dhe të Prokurorëve

Pas takimit të djeshëm me kryetaren e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, kryeministri Hristijan Mickoski mbetet i mendimit se ky organ gjyqësor së bashku me Këshillin e prokurorëve publikë duhet të shpërndahet. Duke folur në konferencën për media në Qeveri pas takimit, Mickoski përsëri tha se nevojiten ndryshime rrënjësore në gjyqësor sepse, siç vlerësoi ai, nëse nuk ka shtet juridik dhe sundim të ligjit, ndërsa krimi dhe korrupsioni janë në nivele të larta, atëherë kjo paraqet problem sigurie, transmeton Portalb.mk.

“Ne si Qeveri, në bazë të Kushtetutës dhe me ligj, kemi detyrën bazë që të mbrojmë shtetin dhe qytetarët nëse lind një problem sigurie. Për ne mungesa e shtetit ligjor, krimi, perceptimi i korrupsionit, elitave, janë një problem sigurie për vendin tonë. Ne si qeveri duhet të reagojmë. Kjo është një periudhë që do ta kalojmë duke mbledhur propozime dhe ide dhe më pas do të dalim para publikut me një qëndrim përfundimtar se si i shohim reformat. Natyrisht, do të them përsëri, ne i qëndrojmë qëndrimit tonë për shpërbërjen e atyre institucioneve për të cilat kemi folur gjatë gjithë kësaj periudhe. Nuk presim rezultate të shpejta, por presim progres me të cilin do ta parandalojmë këtë problem të sigurisë që po na ndodh sepse nuk kemi shtet ligjor, kemi krim dhe korrupsion të lartë”, tha kryeministri pas takimit me kryetarin e Këshillit Gjyqësor.

Mickoski shtoi se në takimin me kryetaren e Këshillit Gjyqësor ka theksuar se nuk guxon të ketë qytetarë të rendit të parë dhe të dytë, por të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit.

“Ne i qëndrojmë pozicionit tonë, programit tonë, por duam të dëgjojmë. Nëse kemi ide më të mira, sigurisht që do t’i zbatojmë ato, nuk duhet të ketë asnjë sekret këtu”, shtoi Mickoski.

Kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, pas takimit me kryeministrin, tha se gjyqësori dhe pushteti ekzekutiv nuk duhet të shihen si rivalë, por bashkëpunimi i ndërsjellë institucional është një hap i rëndësishëm në rikthimin e besimit te qytetarët. Ajo shprehu shpresën se ky takim është hapi i parë drejt përmirësimit të dobësive në gjyqësor dhe tha se është e bindur se bashkëpunimi i mëtutjeshëm do të japë fryte.

Drejtësia jo selektive në shtet, shtoi Dameva, mund të zbatohet ekskluzivisht me bashkëpunim ndërinstitucional për të zbuluar dobësitë në institucione dhe për të ndërmarrë veprime në kuadër të kompetencave të tyre.

“Zbatimi i plotë i rekomandimeve të shënuara në Raportin e Misionit Vlerësues varet edhe nga angazhimet që kemi të gjithë. Këshilli Gjyqësor tashmë i ka zbatuar ato rekomandime dhe si udhërrëfyes kryesor për Këshillin Gjyqësor janë rekomandimet e shënuara në Raportin e Misionit vlerësues dhe mendoj se duhet të jenë në drejtim të zbatimit të suksesshëm të procesit të reformës”, tha Dameva.

Kryetarja e Këshillit Gjyqësor nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve për mbledhjen e djeshme dhe i thirri mediat në Këshillin Gjyqësor, ku siç tha ajo do të marrin të gjitha përgjigjet.

Mickoski, i cili synon të shpërndajë Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin e Prokurorëve Publikë, thotë se qëllimi është që gjyqtarët dhe prokurorët të zgjedhin anëtarët e tyre.

Duke qenë se shumë ekspertë dhe ambasadorë janë kundër kësaj ideje, ai është shprehur se është i gatshëm të diskutojë dhe pranojë idetë e tyre vetëm për të përmirësuar gjendjen në gjyqësor.

Hristijan Mickoski HristianKëshilli Gjyqësor RMV