Mexhiti: Çështja e Blerim Ramadanit duhet të mbyllet dhe shpresoj të mos kemi raste të tilla në të ardhmen

Për sa i përket arratisjes së Blerim Ramadanit, do t’i drejtoheni MPB-së, por me sa di unë, gjykata ka marrë vendim që argumentet e paraqitura nga Serbia nuk kanë bazë dhe për këtë arsye ekziston arsye që ai të ekstradohet në Serbi, tha zëvendëskryeministri Izet Mexhiti në pyetjet e gazetarëve se a ka Qeveria më shumë informacion për arratisjen e ish-ushtarit të UÇK-së, transmeton Portalb.mk.

Ai po ashtu tha se Maqedonia si shtet duhet të veprojë si të gjitha vendet e tjera evropiane në lidhje me fletarrestet ndërkombëtare të lëshuara nga Serbia për luftëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Ky është tashmë vendimi i tretë, kishte për Dugollin në të kaluarën dhe për Morinën, dhe tashmë po bëhet praktikë gjyqësore dhe ajo praktikë duhet të na udhëzojë ne si shtet që të veprojmë si të gjitha shtetet e tjera evropiane që Serbia jep informacione të pasakta dhe nuk duhet marrë seriozisht”, tha Mexhiti.

Lidhur me akuzat e BDI-së se mungesa e legjitimitetit dhe besueshmërisë së asaj që kanë thënë zyrtarë të qeverisë (Koalicioni VLEN) po rrezikon ish-ushtarët e UÇK-së, Mexhiti thotë se BDI vazhdimisht po përpiqet të krijojë atmosferë përmes lajmeve të rreme se Ramadani është ushtari i parë i UÇK-së që u burgos dhe pastaj e mohuan vetë duke u mburrur për lirimin e Dugollit para disa vitesh.

“Edhe atë se Dugolli u shpall i pafajshëm prej tyre është gënjeshtër, ai është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Lartë dhe unë kam qenë i përfshirë kur është marrë vendimi. Pra faktet janë se gënjeshtra e parë e BDI-së dështoi, sepse përveç Blerimit ishin edhe dy ish-ushtarë të tjerë dhe fakt është se BDI nuk e ndihmon procesin, por e keqpërdor”, tha Mexhiti.

Zëvendëskryeministri konkludoi se çështja e Ramadanit duhet të mbyllet ashtu siç po ndodh dhe kjo duhet të jetë praktikë gjyqësore që në të ardhmen të mos përballemi me raste të tilla sepse këto janë kosto për shtetin, për gjyqësorin dhe sepse dëmtojnë marrëdhëniet mes Maqedonisë dhe Kosovës.

Ndërkohë, rasti i ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Blerim Ramadani, do të hetohet nga Komisioni i posaçëm që do të duhet të vërtetojë gjendjen faktike në lidhje me vendimet të cilat janë sjellë nga Gjykata Themelore Penale Shkup para arratisjes së tij. Vendimin për themelimin e një komisioni të tillë e ka marrë Këshilli Gjyqësor në seancën e sotme. Kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva thotë se nuk janë njoftuar zyrtarisht për rastin, por po reagojnë pas zërave të ngritur në opinion.

MPB-ja nga ana tjetër, ka dorëzuar fletarrest qendror për Blerim Ramadanin.

Blerim Ramadani u ndalua më 17 korrik, në pikëkalimin kufitar në Jazhincë bazuar në një fletëarrest lëshuar nga Gjykata e Beogradit përmes Interpol Serbia. Ministri serb i policisë, Ivica Daçiq, më 25 korrik, kërkoi nga autoritetet e Shkupit ekstradimin e Ramadanit në Serbi. Çështja e ekstradimit të tij u ngrit edhe gjatë vizitës së ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në Shkup më 31 korrik. Sveçlj tha se Shkupi duhet të vendosë në mënyrë të pavarur, duke akuzuar Serbinë se tenton të prishë marrëdhëniet midis vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Më 9 gusht, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës njoftoi se Gjykata Themelore Penale në Shkup ka marrë vendim për mosekstradimin e shtetasit të Kosovës, Blerim Ramadani, pasi më 1 gusht ishte zhvendosur që ai të kalon nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

Ramadani, është shtetasi i tretë i Kosovës si ish-ushtar i UÇK-së, i arrestuar në Maqedoninë e Veriut me urdhër të Serbisë. Gafur Dugoli dhe Tomor Morina janë arrestuar edhe në të kaluarën, por me vendim gjykate janë liruar.

Izet MexhitiUshtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK)