Me tender po kërkohet kompani që do ta pastrojë lindanin e mbetur në deponinë e vogël në OHIS. Bëhet fjalë për një pjesë të basenit të tretë, si dhe të katërt dhe të pestë të deponisë, të cilët ende përmbajnë mbeturina të rrezikshme. Tenderi pasoi pasi në muajin dhjetor të vitit të kaluar Qeveria njoftoi se do të sigurojë 12 milionë euro për pastrimin e mbeturinave historike, të cilat paraqesin rrezik për qytetin e Shkupin për më shumë se katër dekada. Paratë do të shpërndahen gjatë 3 viteve për pastrimin dhe rehabilitimin e plotë të njërës prej tre deponive nga fabrika e mëparshme kimike, transmeton Portalb.mk.
Që nga fillimi i projektit në vitin 2021 deri më tani nga deponia e vogël janë gërmuar dhe janë asgjësuar 1.969 ton lindan dhe 586 ton tokë e kontaminuar. Për rehabilitimin e plotë të vendit mbeten rreth 916 ton mbetje HCH, 2.191 ton tokë e kontaminuar, 1.121 ton beton i kontaminuar, si dhe rreth 70 ton tokë e kontaminuar me merkur.
Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe e Planifikimit Hapësinor informojnë se në mesin e muajit maj Zyra e OKB-së, UNOPS, shpalli tender ndërkombëtar për përzgjedhjen e një kontraktori për fazën përfundimtare të sanimit të deponisë së HCH në OHIS.
“Afati i fundit për dorëzimin e ofertave është më 7 korrik, pas çka do të vijojë vlerësimi i tyre në përputhje me procedurat dhe kriteret e UNOPS. Pas përfundimit të procedurës së tenderimit dhe nënshkrimit të kontratës do të fillojnë aktivitetet përgatitore në terren, ndërsa sipas kornizës kohore aktuale fillimi i rehabilitimit pritet në shtator”, informojnë nga ministria.
Nga atje theksojnë se kompania e cila do të zgjidhet për ta pastruar deponinë me planin e rehabilitimit dhe standardet kombëtare dhe ndërkombëtare në fuqi për menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme do të duhet gjithashtu ta definojë edhe trajtimin për eliminimin përfundimtar të merkurit, i cili u zbulua në basenet me lindan dhe është pjesë e funksionimit të mëparshëm të kapacitetit kimik. Nga Ministria thonë se për momentin ai është i paketuar në mënyrë të sigurt dhe ruhet përkohësisht në një nga basenet tashmë të pastruara të deponisë së vogël, ku do të qëndrojë derisa të merret një vendim përfundimtar për trajtimin e mëtejshëm dhe asgjësimin përfundimtar të tij.
Në oborrin e OHIS, menjëherë pranë deponisë së vogël, ndodhet një deponi e madhe me lindan, e cila supozohet se përmban rreth 50.000 ton lindan. Përveç në këto dy deponi lindan ka edhe në lokalitetin Pelenica në afërsi të Draçevës, ku ndodhen rreth 40.000 ton HCH të pastër dhe 6.500 ton të tjera të përzier, së bashku me mbeturinat nga një fabrikë qelqi. Nga Ministria thonë se në kuadër të projektit “Fondi Kombëtar për Mjedisin Jetësor”, i cili zbatohet nga UNOPS në bashkëpunim me Sekretariatin e Përgjithshëm të Qeverisë, është paraparë të kryhen hulumtime të hollësishme në terren në deponinë e madhe të kontaminuar me mbetje HCH alfa dhe beta.
“Këto hulumtime kanë për qëllim që të fitohen të dhëna të sakta mbi sasitë e mbetjeve HCH dhe tokës së kontaminuar që gjendet në këtë lokacion. Rezultatet e fituara do të paraqesin bazë për përgatitjen dhe planifikimin e aktiviteteve të ardhshme për rehabilitimin e plotë të deponisë së madhe”, thonë nga ministria.
Deponitë e mbeturinave të rrezikshme janë rezultat i funksionimit të repartit të lindanit, i cili në fabrikë ka qenë në funksion nga viti 1964 deri në vitin 1977, kur u pezullua prodhimi për arsye ekologjike. Gjatë asaj periudhe janë prodhuar rreth 2.800 ton lindan, me ç’rast janë prodhuar rreth 25.000 ton izomerë joaktivë që janë shpërndarë në mënyrë joadekuate dhe që edhe sot paraqesin rrezik për kontaminimin e ajrit, ujit dhe tokës në Shkup. Deri pak kohë më parë në OHIS u grumbulluan për ruajtje 64 ton të dhjetëra kimikalieve të tjera të rrezikshme, të cilat në dy vjet në gjithsej shtatë eksporte të mbeturinave kimike u eksportuan për asgjësim në më shumë shtete.
Ndikimi i lindanit dhe izomerëve të tij në mjedisin jetësor dhe shëndetin e njeriut është i madh. Nga Shoqata Ndërkombëtare për Hulumtime mbi Kancerin lindani klasifikohet si kancerogjen i Grupit I me prova të mjaftueshme se shkakton limfomën Non-Hodgkin.
Është një kimikalie e qëndrueshme që nuk zbërthehet në mjedisin jetësor për një periudhë të gjatë kohore. Meqenëse është një substancë e avullueshme, ai shpërndahet nga toka e kontaminuar dhe e gjejmë edhe në grimcat PM.
Ekspozimi ndaj lindanit mund të bëhet përmes konsumimit të ushqimit të kontaminuar ose thithjes së ajrit të kontaminuar me lindan. Ekspozimi kronik (afatgjatë) me anë të thithjes së lindanit tek njerëzit lidhet me shfaqjen e sëmundjeve të mëlçisë dhe gjakut, si dhe me çrregullime të sistemit nervor, kardiovaskular, imunitar dhe reproduktiv.
Lindani është përfshirë në Konventën e Stokholmit në vitin 2009 kur u klasifikua në Grupin A, substancë që duhet të eliminohet dhe prodhimi i së cilës duhet të ndalohet. Maqedonia e nënshkroi konventën më 23 maj të vitit 2001, ndërsa më 19 mars të vitit 2004 ajo u ratifikua nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë.
- LEXO: Deponia e vogël me lindan në Ohis do të pastrohet për të paktën tre vjet të tjera
- LEXO: Qeveria e RMV-së siguroi 12 milionë euro të tjera për pastrimin e deponisë së vogël me lindan në OHIS
- LEXO: Një tub uji i plasur ka krijuar pellg në oborrin e OHIS-it, banorët kanë frikë për përhapjen e toksinave në zonë
- LEXO: Në deponinë e vogël në Ohis ka zhivë dhe më shumë lindan nga sa që pritej, pastrimi do të kushtojë deri në 20 milionë euro
- LEXO: Me kredinë britanike, pritet eliminimi i mbeturinave të rrezikshme në Maqedoninë e Veriut