“Martesa” nga Teatri Kombëtar i Kosovës, shfaqje kjo me autor Vitold Gombroviç e regji të Norbert Rakovski, hapi siparin e Festivalit “SkupiFestival 2025”. Shfaqja pati përmbushje teatrale më së shumti për shkak të tematikës dhe thellësisë së trajtimit të ngjarjeve. Siç citohet edhe në shfaqje “Askush nuk e thotë atë që dëshiron ta thotë, por atë që konsiderohet e duhur”- një parim universal. Ky perceptim e kjo tematikë që e mbajnë shfaqjen nuk mbyllen brenda kufijsh e shoqërive të caktuara, janë të kudondodhura për aq sa të jetë njerëzimi, shkruan Portalb.mk.
“Martesa” ngriti një seri tematikash që jo gjithmonë kanë qenë gati të diskutohen, prandaj është e rëndësishme të dihet cili është autori dhe për çka njihej në letërsinë e tij.
Armend Smajli në rolin e Henrit, bëri punën më të madhe e më të jashtëzakonshme, me një rol i cili kërkonte vëmendje e koncentrim të vazhdueshëm. Smajli mbajti ritmin dhe mbajti shfaqjen mbi supe.
Shfaqja është përtej asaj që shohim, me dilema dhe pyetje të vazhdueshme. Nëse ne jemi të vërtetë nga ata që na rrethojnë, nëse ne edhe në prag të vdekjes heqim dorë nga ambiciet tona. Fillimi shpesh herë është fillim i çiltër e i pafajshëm dhe kjo për shkak të fëmijërisë.
Sonte në natën e dytë do të prezantohet shfaqja “Kështjella”- AteliercuncheoN, Bergamo, Itali, nën regji të Andrea Benalljo.
Ndërkaq nesër paraqitet shfaqja “Gruaja e Makbethit dhe unë 2.0”-Teatri Global, Ljubljana, Slloveni, nën regji të Nik Uper.