MBI ÇËSHTJEN E KUSHJAM-it

Tema e identitetit të bashkësive etnike ka qenë dhe ka mbetuar aktuale në çdo shtet dhe në çdo regjim, qoftë ai demokratik apo hegjemonist. Ajo bëhet parësore veçmas në shtetet e vogla, në të cilat bashkëjetojnë etni me interese të papajtueshme, që synojnë epërsinë ndaj tjetrit ose barazinë me tjetrin,  nëpëremjet treguesve për lashtësinë, numrin dhe cilësinë e racave të tyre.

Viteve të fundit, bie fjala, flitet dhe shkruhet shpesh për identitetin e shqiptarëve. Dhe, gjersa ngritja e kësaj teme është e kuptueshmë sa herë që bëhet nga fqinjët tanë, e njëjta duket banale kur e ngremë vetë ne, duke qenë se, të paktën gjer më sot, nuk na mungon asnjë prej tipareve që na dallojnë si bashkësi etnike. Ne kemi një emër të vetëm kolektiv, kemi prejardhje të përbashkët (që, më shumë se mit, është realitet), flasim njërën ndër gjuhët më të veçanta të indoevropianishtes, kemi kujtesë të përbashkët historike, kemi plot elemente kulturore që na dallojnë prej të tjerëve, kemi ndjenjën e solidaritetit dhe përbashkësisë dhe lidhjen e përhershme me njëri-tjetrin, pavarësisht katrahurave të së shkuarës që na kanë bërë pikepesë.

Megjithatë, ky fakt i kontestueshëm vetëm prej budallenjsh, mund të ndryshojë një ditë, më shumë me fajin tonë se sa me fajin e të tjerëve, veçmas nëse tiparet identitare nuk insistojmë t’i mbrojmë me veprime institucionale dhe nëse i pranojmë, pa asnjë seleksionim, modelet e huaja kulturore që i sjell me vete vërshima e furishme e globalizimit.

Shtrohet pyetja: çfarë duhet të bëjmë për të ruajtur edhe në shekujt e ardhshëm kulturën tonë të veçantë, në epokën kur hegjemonizmi kulturor rrezikon edhe etni më të konsoliduara se kjo jona?

Është e qartë se, në këso rrethanash, askush me dy pare mend në kokë, nuk mund të presë prej nesh të bëjmë çudira për mbrojtjen e plotë të substancës sonë shpirtërore, por është e qartë gjithashtu se edhe ne mund të bëjmë aq sa bëjnë të tjerët, nëse e mposhtim iletin e shpirtit të robit, që sulmon qeniet me bosht poroz drejtpeshimi dhe me kurrize pa palcë, nëse margjinalizojmë tuxharët që shesin në tezga djajsh shpirtin shqiptar, nëse mbajmë larg institucioneve kulturore, arsimore e fetare mohsat e kombit, mashat e tjetrit, gazetarët me mungesë dinjiteti, mësuesit shpirtshitur, klerikët që i kanë zët heronjtë dhe shenjat e etnisë, politikanët tenderokratë që shesin interesat e kombit për çifliqe personale…

Prandaj, le t’mos na mashtrojnë kosmopolitët e rremë, që na i kripin mend se sot është turp të flitet për çështje identitare, se të tjerët paskan ngritur dorë nga kjo punë, sepse kushjam-i vazhdon të jetë i shenjtë për gjithë njerëzit normalë të botës, kurse dallimi ndërmjet nesh dhe popujve të qytetëruar nuk qëndron gjetkë, pos në të dhënën se ata mbrojnë vetveten me punë konkrete, kurse ne me britma të thata atdhetare.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Fatmir SulejmaniKolumnat e Portalbit