Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, e anuloi vizitën e planifikuar në Beograd në shenjë proteste, pasi dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën për t’i bërë nderime kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mlladiq, transmeton Portalb..mk.
Në një deklaratë për CNN, Kos tha se vendimi për ta anuluar vizitën time në Beograd ishte i vetmi vendim i mundshëm.
“Glorifikimi i kriminelëve të dënuar të luftës dhe nderimet ushtarake për dikë që është përgjegjës për gjenocidin në Srebrenicë dhe për krimet më të rënda të luftës në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore është plotësisht i papranueshëm”, tha Kos.
Skenat nga Beogradi gjatë varrimit të Mlladiqit, theksoi ajo, janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me vlerat themelore të BE-së, sundimin e ligjit, pajtimin dhe respektimin e viktimave.
Duke komentuar vizitën e planifikuar në Beograd, të cilën tashmë e anuloi, Kos tha se, si politikane dhe si person, kishte vendosur se nuk mund të shkonte në Beograd.
“A mund ta imagjinoni se si do të mund t’i shikoja ndonjëherë në sy nënat e Srebrenicës që humbën shumë anëtarë të familjeve të tyre? I kam takuar shumë herë, kemi biseduar dhe kam mësuar shumë prej tyre. Ato kanë vuajtur më së shumti, por janë simbol i pajtimit. Më kanë thënë: ‘Nuk do të harrojmë kurrë, por mund të falim’. Prandaj të gjithë duhet të punojmë së bashku dhe kjo është ajo që pres nga Serbia, veçanërisht sepse është një vend kandidat për anëtarësim në BE”, theksoi Kos.
Rruga drejt BE-së, porositi ajo, kërkon përballje me të kaluarën, pajtim të vërtetë dhe respektim të viktimave të krimeve të luftës. Dhe kjo, siç tha ajo, është ajo që pret.
Kujtojmë që kritika për skenat nga Beogradi gjatë varrimit më 7 shtator shprehën disa liderë të BE-së.
Serbia aplikoi për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2009 dhe mori statusin e vendit kandidat në mars të vitit 2012. Negociatat e anëtarësimit mes BE-së dhe Serbisë nisën në janar të vitit 2014. Deri më tani janë hapur 22 kapituj të negociatave.