Marta Kos e habitur që Paunoviq vazhdon të jetë ministre

Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, përsëriti dënimin e saj ndaj deklaratës së ministres të Qeverisë serbe, Snezhana Paunoviq, lidhur me “spastrimin etnik” në Kosovë dhe shprehu habinë që ajo vazhdon të mbetet ministre, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Kos u bëri thirrje politikanëve në vendet kandidate për anëtarësim në BE që të kenë parasysh se çdo fjalë e thënë ka peshë.

“Ishte tronditëse të dëgjonim diçka të tillë në vitin 2026. Nuk do ta përsëris as atë që ajo tha. Ishte vërtet tronditëse të dëgjohej një deklaratë e tillë. Nuk mund ta imagjinoj që një ministre, pas një deklarate të tillë publike, të mund të vazhdojë të ushtrojë detyrën e saj”, deklaroi komisionarja Kos, gjatë fjalimit të saj në Komitetin e Posaçëm për Mburojën e Demokracisë Evropiane të Parlamentit Evropian.

Ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë serbe, Snezhana Paunoviq, duke folur për jetën në Kosovë dhe largimin e saj nga Peja gjatë luftës, ajo deklaroi më 11 korrik se “nuk do t’i kishte likuiduar shqiptarët ashtu siç ata po përpiqen ta pastrojnë etnikisht Kosovën, por në atë mënyrë që secili që ndihej më pak qytetar i Republikës Federale të Jugosllavisë, të largohej dhe të shkonte në shtetin e vet amë”.

Kjo deklaratë u dënua edhe nga Mbretëria e Bashkuar. Sipas Londrës, gjuha e përdorur nga Paunoviq është “e neveritshme” dhe referencat për spastrim etnik s’kanë vend në shoqërinë e sotme.

Përmes një deklarate, një zëdhënës i Zyrës për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, tha se në kohën kur shtetet në Ballkanin Perëndimor janë të përqendruara në ndërtimin e një të ardhmeje paqësore dhe shumetnike “deklaratat si këto synojnë të rihapin përçarjet e vjetra dhe të nxisin tensione”.

“Udhëheqësit e përgjegjshëm politikë duhet të refuzojnë një gjuhë të tillë”, u tha në deklaratë.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar për Paunoviqin, duke thënë se deklarata e saj nuk pasqyron vullnetin e tij, e as të Qeverisë së Serbisë, duke shtuar se politika e shtetit serb është dialogu, e jo kurrë spastrimi etnik.

Paunoviq – nënkryetare e Partisë Socialiste të Serbisë, partisë së dikurshme të Millosheviqit – nuk i tërhoqi fjalët e saj, por tha më 16 korrik se ato “janë nxjerrë jashtë kontekstit” dhe i kërkoi falje Vuçiqit dhe Qeverisë së Serbisë për reagimet që ka shkaktuar.

Deklarata e saj se do ta spastronte etnikisht Kosovën nëse do të ishte në krye të shtetit më 1998 nxiti reagime të shumta dhe Kosova më 14 korrik e shpalli atë person të padëshiruar, duke i ndaluar ndaluar përgjithmonë hyrjen ose kalimin nëpër territorin e Kosovës.

Vëzhgues nga Kosova dhe Serbia thanë Radion Evropa e Lirë se deklarata e Paunoviqit është pjesë e një modeli politik të Serbisë karshi Kosovës, duke kërkuar që bashkësia ndërkombëtare të mos mjaftohet vetëm me reagime, por të ndërmarrë veprime konkrete ndaj Serbisë.

Nga Qeveria në detyrë e Kosovës i kanë thënë më herët Radios Evropa e Lirë se “problemi qëndron se shteti i Serbisë nuk ka bërë asnjëherë asnjë lloj distancimi nga politika e Millosheviqit”.

“Është mirë që të gjithë – përveçse ta dënojnë këtë gjuhë – ta kenë edhe në mendje kur flasin me Serbinë për integrimin, reformat dhe fondet, si dhe ta kuptojmë që këto nuk janë thjesht deklarime, por aspirata nga të cilat shteti zyrtar i Serbisë nuk ka hequr dorë”, thanë nga ekzekutivi kosovar.

Udhëheqësit e atëhershëm shtetërorë dhe forcat e sigurisë së Republikës Federale të Jugosllavisë u dënuan nga Tribunali i Hagës për dëbimin me dhunë të qindra mijëra civilëve shqiptarë nga Kosova, në periudhën mars-qershor të vitit 1999.

Gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999, u vranë më shumë se 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën. Më shumë se 1.500 persona, shumica prej tyre shqiptarë, vazhdojnë të jenë ende të zhdukur.

Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Evropian, shkalla e harmonizimit të Serbisë me politikën e sanksioneve të BE-së është pak më shumë se 60 për qind. Deri më tani, Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë apo Bjellorusisë në përputhje me vendimet e bllokut evropian, i cili deri tani i ka miratuar Moskës 20 paketa sanksionesh si përgjigje ndaj agresionit kundër Ukrainës.

Komisionarja Kos, duke folur para eurodeputetëve, vlerësoi se mbështetja e ulët për integrimin evropian në Serbi është edhe pasojë e mesazheve që dërgojnë politikanët, si dhe e mënyrës se si raportojnë mediat. Ajo theksoi se është e papranueshme që një vend kandidat të përdorë retorikë antievropiane, veçanërisht kundër deputetëve të Parlamentit Evropian, gazetarëve dhe të gjithë atyre që kritikojnë zhvillimet në vend.

KosovaMarta KosSerbia