Marina izraelite ndaloi Flotiljen Globale “Sumud” ndërsa po i afrohej Gazës për të thyer rrethimin

Flotilja Globale “Sumud” njoftoi se transmetimet e drejtpërdrejta u ndërprenë nga shumica e anijeve të saj, ndërsa forcat detare izraelite rrethuan anijet që po lundronin drejt Gazës për të sfiduar bllokadën, transmeton Anadolu.

Organizatorët thanë se ndalimi ndodhi ndërsa anijet luftarake izraelite bllokuan komunikimet dhe përparuan për të ndaluar konvojin.

Komiteti Ndërkombëtar për Thyerjen e Rrethimit të Gazës (ICBSG) konfirmoi se forcat izraelite bastisën anijet “Alma” dhe “Sirius”.

Disa aktivistë postuan video në mediat sociale duke konfirmuar se anijet detare izraelite iu afruan konvojit dhe i urdhëruan ata të ndryshonin kursin.

“Ne po sulmohemi tani nga ushtria sioniste (izraelite)”, tha ICBSG-ja në platformën amerikane sociale X.

“Alarm i lartë. Anijet tona po ndalohen në mënyrë të paligjshme. Kamerat janë jashtë linje dhe në anije kanë hipur personel ushtarak”, thuhet në njoftim.

Komiteti tha se kapiteni i anijes “Alma”, anija kryesore në flotilje, sfidoi një urdhër nga ushtria izraelite për t’u ndalur.

“Disa anije janë ndaluar tashmë dhe është shpallur gjendje e jashtëzakonshme në të gjitha anijet”, shtoi ai.

Nuk ka detaje të menjëhershme në lidhje me arrestime ose fatin e anijeve.

Izraeli e ka paralajmëruar vazhdimisht flotiljen të tërhiqet nga bllokada detare e Rripit të Gazës dhe të ndryshojë kursin e saj.

Flotilja, e ngarkuar kryesisht me ndihmë humanitare dhe furnizime mjekësore, është nisur në përpjekje për të thyer bllokadën izraelite. Kjo shënon herën e parë në vite që dhjetëra anije lundrojnë së bashku drejt Gazës, shtëpi e rreth 2,4 milionë palestinezëve dhe nën bllokadën izraelite për afërsisht 18 vjet.

Izraeli ka shtrënguar më tej rrethimin këtë mars duke mbyllur të gjitha kalimet kufitare dhe duke bllokuar ushqimin, ilaçet dhe ndihmën, duke e shtyrë Gazën në uri pavarësisht kamionëve të ndihmës që grumbullohen në kufijtë e saj.

Ushtria izraelite ka vrarë mbi 66 mijë palestinezë në Rripin e Gazës që nga tetori 2023, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet intensive e kanë bërë enklavën pothuajse të pabanueshme dhe kanë çuar në uri dhe përhapjen e sëmundjeve.

Turqia e quan “akt terrorist” sulmin e Izraelit ndaj flotiljes për në Gaza

Turqia kritikoi ashpër ndërprerjen e Flotiljes Globale “Sumud” nga Izraeli në rrugë për të dërguar ndihma në Gaza, duke e quajtur atë “akt terrorist” që rrezikon jetën e civilëve të pafajshëm, transmeton Anadolu.

“Ky sulm, i cili shënjestroi civilët që vepronin në mënyrë paqësore pa iu drejtuar dhunës, është provë se politikat fashiste dhe militariste të zbatuara nga qeveria gjenocidale e Netanyahut, e cila e ka dënuar Gazën me uri, nuk kufizohen vetëm te palestinezët, por shënjestrojnë të gjithë që luftojnë kundër shtypjes së imponuar nga Izraeli”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme.

“Po ndërmerren të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar lirimin e menjëhershëm të qytetarëve tanë dhe pasagjerëve të tjerë të ndaluar nga forcat izraelite”, shtoi ajo.

Irlanda e quan “shumë shqetësues” ndalimin e flotiljes “Sumud” nga ana e Izraelit

Ministri i jashtëm irlandez shprehu shqetësim në lidhje me raportimet për ndalimin e Flotiljes Globale “Sumud” nga ana e Izraelit duke mbërritur në Gaza, duke thënë se flotilja është “mision paqësor për të hedhur dritë mbi një katastrofë të tmerrshme humanitare”, transmeton Anadolu.

“Po mbaj kontakt të ngushtë me zyrtarët e mi që po punojnë në terren dhe kam folur gjithashtu me homologët e BE-së në Flotiljen Globale ‘Sumud’”, shkroi Simon Harris në rrjetin social amerikan X.

Komentet e tij erdhën pasi Flotilja Globale “Sumud” njoftoi se transmetimet e drejtpërdrejta u ndërprenë nga shumica e anijeve të saj, ndërsa forcat detare izraelite rrethuan anijet që lundronin drejt Gazës për të sfiduar një bllokadë disavjeçare.

Harris e quajti ndalimin si “shumë shqetësues”.

AnijeGazaIzraeliPalestina