Manifesti i partive në pushtet për Lëvizjen Besa nënkupton manipulim të opinionit

Nënshkrimi i Manifestit të publikuar dje nga partitë politike në pushtet, për opozitaren Lëvizja Besa nuk është gjë tjetër përveç se tentativë për të manipuluar opinionin, transmeton Portalb.mk

Partitë nënshkruese: LSDM, BDI, ASh dhe të tjerat, sipas Besës në praktikë gjithçka veprojnë kundër anëtarësimit në BE dhe vlerave të BE.

“Më e logjikshme për partitë në Qeveri do të ishte të nënshkruajnë “Manifest” për atë se: Si do të luftohet krimi dhe korrupsioni, si të zbardhet rasti “Soravia” dhe keqpërdorimet e pushtetit nga ministrat e BDI, LSDM, të cilët tash janë milionera, si të lirohen nga kapja e LSDM-së dhe BDI-së prokuroria dhe gjykatat, si të jetë pjesë e ndryshimeve Kushtetuese heqja e 20% dhe vendosja e gjuhës shqipe, si të “çlirohen” partitë e pushtetit nga funksionarët që janë në listën e zezë amerikane, si të departizohet arsimi dhe kultura, si të funksionojë sistemi shëndetësor dhe personeli mjekësor të qëndroj në vendin tonë, si të ndalohet egzodi me ikjen e të rinjve, si dhe si të ndërtohet shtet i barabartë dhe i drejtë për të gjithë qytetarët. Kur të gjitha këto çështje do të funksionojnë, atëherë BE do të hap dyer për Maqedoninë e Veriut”, thanë nga Lëvizja Besa.

Nga atje shtuan se derisa nga njëra anë nënshkruhen vetëm letra, a nga ana tjetër rritet korrupsioni dhe pasurimi i familjarëve të Kovaçevskit dhe Ahmetit, BE-ja do na mbajë largë dhe do të mbetet vetëm ëndërr.

Ndryshe, dje partitë në pushtet të RMV-së publikuan një Manifest lidhur me negociatat për anëtarësim të plotë në BE ku kërkuan unitet në rrugën eurointegruese nga të gjithë partitë politike. Dokumenti është nënshkruar nga 12 parti politike, ndërsa nëpërmjet tij të gjithë liderët e partive politike marrin përsipër që “do të përpiqen t’i përfundojnë negociatat e anëtarësimit në një kohë sa më të shkurtër, duke mbrojtur plotësisht identitetin, traditën, gjuhën dhe vlerat shoqërore të qytetarëve”.

Kujtojmë se, Qeveria e Maqedonisë së Veriut i dërgoi Kuvendit amendamentet kushtetuese. Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi më 19 korrik të këtij viti e pranoi propozimin për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut me udhëzime për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Xhaferi, menjëherë e dërgoi Propozimin te deputetët në Kuvend dhe me këtë procedurë fillojnë të rrjedhin afatet kohore të parashikuara me Kushtetutë dhe me Rregulloren e Kuvendit. Seanca për ndryshimet kushtetuese është caktuar për më 18 gusht 2023 në ora 11:00.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

Aleanca për Shqiptarët (ASH)Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI)Eurointegrime Negociata RMV-BEKushtetuta e RMVLëvizja Besa (LB)Lidhja Social Demokrate (LSDM)Ndryshime Kushtetuese RMVQeveria e Maqedonisë së Veriut