“Makstill” u pajtua të paguajë 90 mijë euro dhe të eksportojë pluhurin e rrezikshëm

Kompania “Makstill” arriti marrëveshje me Ministrinë e Mjedisit, do të paguajë 90 mijë euro gjobë për menaxhim të papërshtatshëm të mbetjeve dhe deri në fund të vitit duhet të eksportojë gjithë pluhurin nga filtrat, i cili, siç zbuloi Prizma, ruhej në qese të dëmtuara në hapësirë të hapur sa një fushë futbolli, duke rrezikuar mjedisin, transmeton Portalb.mk.

Marrëveshja u arrit më 5 mars, gjatë një seance të Komisionit për Marrëveshje të ministrisë, ku ishin të pranishëm inspektori i përgjithshëm i mjedisit dhe përfaqësues të kompanisë.

Në një kontroll të jashtëzakonshëm të Inspektoratit Shtetëror për Mjedis, pas bisedës me BIRN për trajtimin e pluhurit nga filtrat, u gjetën parregullsi dhe veprime në kundërshtim me kushtet e lejes A.

Ligji parashikon gjobë prej 180-200 mijë eurosh për këto shkelje, por kompania kërkoi ulje, duke thënë se po merr masa për eksport dhe nuk kishte bërë më parë shkelje të tilla.

Inspektori konstatoi se po merren masa për rregullimin e parregullsive dhe pranoi propozimin për uljen e gjobës. Personi përgjegjës në kompani u gjobit gjithashtu me 5.000 euro.

Gjobat duhet të paguhen brenda 15 ditëve nga nënshkrimi i marrëveshjes, përndryshe do të zbatohet gjoba fillestare prej 180 mijë eurosh.

Afati për eksportin e të gjithë pluhurit është 31 dhjetor, por nëse mbetet ndonjë sasi, ajo do të paketohen sipas lejes A dhe më pas do të fillojë rikultivimi i tokës.

Nga tre masat e Inspektoratit të dhëna më 4 shkurt, deri tani është përmbushur njëra, është hartuar programi vjetor për menaxhimin e mbetjeve, ndërsa po rinovohet shënjimi i vendeve të ruajtjes dhe mbrojtja e qeseve të mëdha me pluhur filtrues.

Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor (Ekologjik) RMVMinistria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH)Mjedisi jetësorNdotja e ajrit - ajër i ndoturNdotja e tokës mbeturina