“Ma jep dorën të ecim së bashku”, të martën do të mbahet aktiviteti inkluziv në Shkup për mbështetjen e fëmijëve me paralizë cerebrale

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të personave me Paralizë Cerebrale, Qendra “Savant” e cila ofron shërbime psikologjike, defektologjike dhe logopedike për fëmijë dhe të rritur, të martën (15 tetor) organizon eventin inkluziv “Ma jep dorën të ecim së bashku, jam me ty” me qëllim mbështetje dhe përfshirje të fëmijëve me Paralizë Cerebrale në shoqërinë e gjerë me fëmijë tipik të cilët bashkërisht do të shëtisin në kopshtin zoologjik me tren dhe do të argëtohen pa pagesë me mbështetje nga kopshti zoologjik, njofton Portalb.mk.

Në këtë ngjarje mund të marrin pjesë prindër, studentë, profesionistë dhe miq të ftuar apo kalimtarë të rastit të cilët mund të mbështesin këta fëmijë duke blerë punimet e tyre dhe gatimet e nënave të tyre.

Drejtoresha e Qendrës “Savant” Hatixhe Sefa për Portalb.mk tha se qëllimi i këtij aktiviteti është përfshirja dhe mbështetja e fëmijëve me paralizë cerebrale në shoqëri.

“Qendra Savant” organizon eventin “Ma jep dorën të ecim së bashku, jam me ty” me ç’rast do të realizohet program inkluziv i fëmijëve me paralizë cerebrale, fëmijëve me zhvillim tipik dhe atipik, me shëtitje nëpër kopshtin zoologjik si dhe argëtim me tren, po ashtu edhe ekspozitë e punimeve të fëmijëve të Qendrës Savant të cilat do të shiten me qëllime donacioni. Ky aktivitet është i mbështetur nga USAID dhe KONEKT qëllimi i të cilit është përfshirja dhe mbështetja e fëmijëve me paralizë cerebrale në shoqëri, tha Hatixhe Sefa.

Dita Ndërkombëtare e personave me paralizë cerebrale shënohet me 6 tetor, mirëpo për shkaqe të kufizimit në kohë manifestimi realizohet me 15 tetor.

Kopshti Zoologjik ShkupUSAID