LSDM tha se do të tërhiqet nga puna për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor nëse shfuqizohet Qeveria teknike

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, tha se Qeveria Teknike, e cila është garantuese e vetme për zgjedhje të drejta dhe demokratike, duhet të mbetet në këtë formë në të cilën aktualisht është në fuqi ligj. Përndryshe, Filipçe tha, se LSDM do të tërhiqet nga grupi punues për Kodin Zgjedhor i udhëhequr nga Ministria e Drejtësisë, transmeton Portalb.mk.

“Ne e kemi thënë shumë herë dhe besojmë se në këtë mënyrë krejtësisht autokratike Qeveria teknike nuk mund dhe nuk duhet të shfuqizohet. Ky është vetëm një nga shumë shembuj të funksionimit të kësaj strukture udhëheqëse. Qeveria teknike është garantuesi i vetëm për zhvillimin e zgjedhjeve të ndershme dhe demokratike”, tha Filipçe.

Sipas tij, në një situatë ku kjo qeveri ka kontroll të plotë mbi gjyqësorin, kur njerëz të partisë emërohen si gjykatës dhe prokurorë, kur kryeministri, pa asnjë fije turpi nga foltorja parlamentare, nga konferencat për shtyp, publikisht me vetëdije në një farë mënyre u jep urdhra prokurorëve dhe ushtron presion mbi gjyqësorin, në një situatë ku nuk dihet se si, në çfarë mënyre ruhen dhe do të përdoren të dhënat nga sistemi “Safe City” ose tashmë po përdoren, ky shfuqizim nuk duhet të ndodhë.

“Kjo mënyrë qeverisjeje është e barabartë me mënyrën e qeverisjes nga koha e Nikolla Gruevskit nga viti 2006 deri në vitin 2016. Prandaj, nëse sot ky ligj kalon në Komision dhe qeveria vazhdon të detyrojë procedurën parlamentare, grupi ynë parlamentar po tërhiqet nga grupi i punës për punën mbi ligjin zgjedhor”, u shpreh Filipçe.

Ai kujtoi se Qeveria teknike u miratua para zgjedhjeve të vitit 2016, por me kërkesë të Hristijan Mickovskit ligji u kthye në vitin 2018 dhe kështu u zbatua me kërkesën e tyre për zgjedhjet parlamentare në vitin 2020.

“Prandaj, e përsëris edhe një herë, Qeveria duhet ta tërheqë këtë ligj, Qeveria teknike, është garantuesja e vetme në këtë formë në të cilën ligji për zbatimin e zgjedhjeve të drejta dhe demokratike është aktualisht në fuqi, duhet të mbetet. Përndryshe, ne po tërhiqemi nga puna mbi ligjin zgjedhor nga grupi i punës i udhëhequr nga Ministria e Drejtësisë”, nënvizoi Filipçe.

Amendamentet ligjore për shfuqizimin e Qeverisë teknike sot janë para Komisionit Parlamentar për Sistemin Politik, pasi më 22 prill 2026, Kuvendi me 67 vota pro dhe 13 kundër, miratoi nevojën për procedurë të shkurtuar të Propozim-ligjit për ndryshimin e Ligjit për Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila parasheh shfuqizimin e Qeverisë teknike, me ç’rast zgjidhja ligjore kaloi fazën e parë të procedurës parlamentare.

Opozita kërkon që shfuqizimi i Qeverisë teknike të bëhet me një konsensus më të gjerë dhe jo me vendime arbitrare.  Nga LSDM, kërkojnë që ndryshimet të bëhen me konsensus njësoj si kur u miratuan më parë, dhe jo siç propozohet tani, përmes një procedure të shkurtuar. Kundër Qeverisë teknike, është prononcuar edhe BDI-ja. Nga atje thonë se nuk do ta mbështesin këtë ligj duke shtuar se diçka që është arritur me marrëveshje politike, duhet të zhbëhet në të njëjtën formë.

Arsyetimet e tilla u kundërshtuan nga VMRO-DPMNE, Koordinatori i tyre, Nikolla Micevski, pyeti pse opozita është kundër një amendamenti të tillë, sepse, siç tha ai, qeveria e Përzhinos është një zgjidhje e vjetëruar.

Ndryshe, Qeveria teknike formohet 100 ditë para zgjedhjeve, Kryeministri duhet të jep dorëheqje dhe Qeveria të propozoj një Kryeministër tjetër, dy Ministra tjerë dhe tre Zëvendësministra duhet të propozohen nga opozita. Këtu përfshihet Ministri i Punëve të Brendshme dhe Ministri i Politikës Sociale dhe tre Zëvendësministra shtesë duhet të jenë në Ministrinë e Financave, Bujqësisë dhe Administratës Publike.

Kodi ZgjedhorQeveria e Maqedonisë së VeriutVenko Filipçe