Më shumë se 50 liderë shtetesh janë mbledhur për varrimin shtetëror të Papa Françeskut në Vatikan të shtunën. Katolikët romakë po ia bëjnë nderimet e fundit një pape që ishte udhëheqës i përulur dhe mbrojtës i të varfërve, imigrantëve dhe njerëzve të tjerë të margjinalizuar, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Liderë nga më shumë se 150 vende të botës do t’u bashkohen turmave të besimtarëve mëngjesin e së shtunës për t’i dhënë lamtumirën e fundit papës në meshën e varrimit, që do të mbahet në sheshin e Shën Pjetrit me fillim në orën 10:00.
Në mesin e pjesëmarrësve janë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump – i cili është përplasur disa herë me Françeskun, veçanërisht për shkak të qëndrimeve të tyre të kundërta mbi imigracionin – do të marrë pjesë gjithashtu.
Po ashtu do të marrin pjesë edhe presidenti i vendit të lindjes së papës, Argjentinës, së bashku me krerët e shteteve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Filipineve, Polonisë, Britanisë dhe Zelandës së Re.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pritej gjithashtu të merrte pjesë, por ai tha të premten se nuk e dinte nëse do të mund të arrinte. Duke folur për gazetarët në vendin e një sulmi të fundit me raketa në Kiev, ai tha se do të merrte pjesë nëse do t’i premtonte koha.
Më shumë se dhjetëra anëtarë të familjeve mbretërore, përfshirë Princin William të Britanisë së Madhe, do të jenë gjithashtu të pranishëm, së bashku me rreth 224 kardinalë dhe 750 peshkopë dhe priftërinj.
Kina, e cila nuk ka marrëdhënie formale me Vatikanin, nuk do të dërgojë përfaqësues. Izraeli, i cili u zemërua nga kritikat e papës për sjelljen e tij në Gazë do ta dërgojë ambasadorin e tij në Vatikan.
Papa vdiq më 21 prill – të hënën e Pashkëve – në moshën 88-vjeçare, pas një sulmi në tru.
Vatikani njoftoi se rreth 250.000 njerëz kaluan pranë trupit të tij, i vendosur në një arkivol druri në Bazilikën e Shën Pjetrit gjatë tri ditëve para funeralit.
Disa nga ata që u radhitën për të parë kufomën e papës kujtuan një njeri të njohur për afërsinë e tij me njerëzit, shakatë dhe mbrojtjen e të pambrojturve.
Gjatë papatit të tij, Françesku, i cili u zgjodh për ta udhëhequr Kishën Katolike Romake me 1.4 miliardë anëtarë në vitin 2013, u përpoq të krijonte një kishë më mendjehapur. Ai shpesh advokonte për të varfrit dhe të margjinalizuarit, duke sfiduar vendet e pasura që t’i ndihmonin imigrantët dhe të merrnin masa kundër ndryshimeve klimatike.