Përmes një postimi në platformën e mediave sociale X, Vatikani ka njoftuar se Papa Françesku ndërroi jetë në rezidencën e tij, transmeton Portalb.mk.
“Të dashur vëllezër dhe motra, me dhimbje të thellë më duhet të njoftoj vdekjen e Atit tonë të Shenjtë Françesku. Në orën 7:35 të mëngjesit të sotëm, peshkopi i Romës, Françesku, u kthye në shtëpinë e Atit. E gjithë jeta e tij iu kushtua shërbimit të Zotit dhe kishës së Tij. Ai na mësoi të jetojmë vlerat e Ungjillit me besnikëri, guxim dhe dashuri universale, veçanërisht në favor të më të varfërve dhe më të margjinalizuarve. Me mirënjohje të pamasë për shembullin e tij si dishepull i vërtetë i Zotit Jezus, ne e përgëzojmë shpirtin e Papa Françeskut në dashurinë e pafundme të mëshirshme të Zotit Një dhe Triuni”, shkroi në “X” kardinali Kevin Farrell.
Së fundmi, Papa Françesku ishte përballur me disa komplikime shëndetësore. Më 2021, ai i ishte nënshtruar një operimi në zorrën e trashë, ndërsa më 2023 ka pasur një operim tjetër në abdomen për të trajtuar hernien. Në fillim të vitit 2025, ai u shtrua në spital për shkak të një infeksioni në traktin e frymëmarrjes, çka më vonë i rezultoi me pneumoni të dyfishtë.