Levica: Pushteti prej tre vitesh shkel Ligjin për ushqimin e subvencionuar, studentët janë dëmtuar për 6,5 milionë euro

Partia opozitare “E Majta” (Levica) sot ka akuzuar se pushteti i VMRO-DPMNE-së prej tre vitesh nuk e respekton të drejtën ligjore të studentëve për harmonizimin e ushqimit të subvencionuar me inflacionin, me çka, siç theksoi ajo, studentët janë dëmtuar për rreth 6,5 milionë euro, transmton Portalb.mk.

Siç theksoi Marija Vançeva, pavarësisht se ndërkohë janë miratuar tre buxhete vjetore, shuma e ushqimit të subvencionuar për studentët ka mbetur e pandryshuar, 140 denarë.

“Edhe pse kanë kaluar tre buxhete vjetore, shuma e mjerueshme për ushqimin e subvencionuar të studentëve ka mbetur e njëjtë, përkatësisht për tre vite pushteti çdo studenti i ka marrë nga 650 denarë në muaj që i takonin me ligj”, theksoi ajo.

Sipas Levicës, kjo nuk është vetëm çështje e shumës së kompensimit studentor, por tregues se cilët qytetarë i vendos pushteti në fokusin e tij politik. Ndërsa shpenzimet e jetesës rriten, thekson Levica, studentët nuk marrin as harmonizimin e mjeteve që u takon me ligj.

“Kjo është dëshmi se në Maqedoni sundon një sistem gerontokracie. Orientimi i DPMNE-së drejt elektoratit të tyre i mban peng edhe pensionistët, edhe studentët, në mënyra të ndryshme”, tha Vançeva.

Kujtojmë se përfaqësuesit e studentëve gjatë viteve të fundit kanë kërkuar që vlera e ushqimit të subvencionuar studenor të rritet, me qëllim lehtësimin e barrës financiare të studentëve dhe krijimin e kushteve më të mira për studim.

Ushqimi i subvencionuar studentor është mbështetje financiare nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Mbështetja financiare në shumë prej 140 denarë është e dedikuar për blerjen e ushqimit, ndërsa studenti mund ta shfrytëzojë nga e hëna deri të shtunën, te personat juridikë që prodhojnë, përgatisin ose shesin ushqime. Kompensimi monetar nuk është parashikuar të paguhet në periudhën e pushimeve verore nga 1 korriku deri më 1 tetor.

E Majta – Levica partiaStudentëTë rinj - Rini - RiniaVMRO-DPMNE