Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk paguan dhe nuk siguron sigurim shëndetësor privat për deputetët dhe punonjësit e shërbimit të Kuvendit. Kjo thuhet në demantin e dërguar nga Kuvendi, ku si të pasakta dhe manipuluese vlerësohen publikimet se nga buxheti ndahen mjete për sigurim shëndetësor privat për deputetët dhe punonjësit e shërbimit të Kuvendit, transmeton Portalb.mk.
Nga Kuvendi sqarojnë se prokurimi publik i realizuar ka të bëjë ekskluzivisht me kontrolle të rregullta sistematike dhe parandaluese shëndetësore, që përbëjnë detyrim ligjor për çdo punëdhënës.
Në përputhje me nenin 22 të Ligjit për sigurinë dhe shëndetin në punë, çdo punëdhënës, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, është i detyruar të sigurojë kontrolle shëndetësore për punonjësit të paktën një herë në 24 muaj.
“Lloji, mënyra dhe vëllimi i këtyre kontrolleve rregullohen më tej me Rregulloren për llojin, mënyrën, vëllimin dhe çmimoren e kontrolleve shëndetësore të punonjësve, të miratuar në bazë të nenit 22 të Ligjit për sigurinë dhe shëndetin në punë”, thuhet më tej në njoftimin e Kuvendit.
Nga Kuvendi shtojnë se kontrollet e detyrueshme sistematike, të cilat kryhen nga një institucion i autorizuar për mjekësi të punës, nuk duhet të ngatërrohen me sigurimin shëndetësor privat, i cili përfshin polica me kompani sigurimi për mbulimin e shërbimeve shtesë mjekësore.
Kuvendi mohon se ka lidhur kontratë për polica të sigurimit shëndetësor privat për deputetët ose për punonjësit e shërbimit.
Reagimi i Kuvendit vjen pasi dje disa media publikuan se Kuvendi do t’u paguajë deputeteve dhe punonjëseve kontrolle private për mamografi të gjirit dhe se ky shërbim është shtuar në paketën bazë të kontrolleve sistematike.
Ndërkohë, një kontroll privat për mamografi në Maqedoni kushton nga 3.000 deri në 5.000 denarë.
Prokurimi publik po zhvillohet në një kohë kur në shëndetësinë publike është e vështirë të caktohet një kontroll me mamografi, ndërsa gratë presin me muaj për një termin të lirë.
Sipas publikimit të portalit “sdk.mk”, përveç Kuvendit, edhe drejtorët e SHA-së për prodhimin e energjisë elektrike “Elektranat e Maqedonisë së Veriut” (EMV), në pronësi shtetërore – Shkup, kanë blerë paketën “LOT 10 – Sigurim shëndetësor privat shtesë për punonjësit e SHA EMV”. Gjithashtu, edhe “Lotaria Shtetërore Video e Republikës së Maqedonisë” ka lidhur kontratë për “Prokurimin e shërbimeve për sigurim shëndetësor privat vullnetar për një periudhë prej 2 (dy) vitesh sigurimi”. Sigurim shëndetësor privat kanë edhe punonjësit e Bankës Popullore, menaxhmenti dhe punonjësit e Bankës Zhvillimore të Maqedonisë së Veriut SHA Shkup, si dhe profesorët e Fakultetit të Shkencave Informatike dhe Inxhinierisë Kompjuterike (FShIIK).