Kuvendi i RMV-së përkujtoi gjenocidin në Srebrenicë

Në Kuvendin i Maqedonisë së Veriut sot është përkujtuar gjenocidi në Srebrenicë të Bosnje dhe Hercegovinës, transmeton Portalb.mk.

Kryeparlamentari Afrim Gashi theksoi se gjenocidi në Srebrenicë prej para 29 vjetësh është ende i freskët në memorien kolektive, veçanërisht në mesin e qytetarëve të këtyre hapësirave.

Ai tha se kjo ngjarje e tmerrshme kujton çdo ditë brishtësinë, por edhe vlerën e paçmueshme të paqes, sundimin e ligjit, bashkëjetesën, demokracinë dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

“Ne nuk duhet që t’i shmangemi asaj që ta quajmë këtë akt tragjik të gjakderdhjes masive me emrin e vërtetë – gjenocid. Dhe gjenocidi nuk është një ngjarje që ndodh spontanisht dhe që ndodh vetvetiu. Ai ka autor, është një aksion i planifikuar dhe i organizuar, me qëllim të shfarosjes dhe shkatërrimit të tjetrit, në këtë rast të boshnjakëve nga Bosnja dhe Hercegovina”, tha Gashi.

Profesori Xhemil Bektoviq theksoi se Maqedonia e Veriut, duke mbështetur Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të KB-së, si dhe me aktin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë në Kuvend, edhe një herë tregoi se është në anën e duhur dhe të drejtësisë dhe në anën e viktimave.

Mersiha Smailoviq, përfaqësuese e Shoqatës “Divanhana”, tha se Srebrenica është monumenti i mizorisë njerëzore dhe pasojave të pakuptueshme të urrejtjes. Srebrenica, tha ajo, bën thirrje për vigjilencë dhe veprim për të parandaluar episode të tilla në të ardhmen.

Profesori Sead Xhigël theksoi se, për fat të keq, edhe 29 vjet më vonë, Srebrenica është ende subjekt i debateve dhe keqkuptimeve të hidhura dhe temë e betejave dhe konfrontimeve politike. Shpresoj, tha ai, që në 30-vjetorin, me më shumë besim do të mund të themi se kemi mundësuar që plagët e hapura të së shkuarës të fillojnë dalëngadalë të shërohen.

Safet Bishevac tha se Rezoluta e KB-së është vetëm një shpagim i vogël për viktimat. Përgjigjja më e mirë ndaj atyre që ende e mohojnë krimin në Srebrenicë, tha ai, është kujtesa dhe e vërteta.

Viktimat e gjenocidit dje u përkujtuan edhe nga Komuna e Çairit pranë memorialit të viktimave të Srebrenicës në këtë komunë.

Më 11 korrik të vitit 1995 ndodhi gjenocidi serb në Srebrenicë, Bosnjë e Hercegovinë. Në këtë masakër pësuan 8 300 viktima.

Me një vendim në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e karakterizoi krimin si gjenocid.

Në maj të këtij viti, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e shpalli 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.

Bosnja e HercegovinaKrime lufteLuftëMasakra e Srebrenicës