Kuvendi i RMV-së miratoi Ligjin për Procedurën Kontestimore, procedurat gjyqësore pritet të jenë më të shpejta

Me 81 vota pro, 9 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi Ligjin e ri për Procedurën Kontestimore, i cili përbën një nga hapat kyç të reformës për avancimin e sistemit gjyqësor dhe harmonizimin e tij me standardet bashkëkohore evropiane, transmeton Portalb.mk.

Me zgjidhjet e reja ligjore krijohen kushte për procedura gjyqësore më të shpejta, më efikase dhe më cilësore, si dhe për siguri më të madhe juridike dhe mbrojtje më të mirë të të drejtave të qytetarëve dhe personave juridikë.

Ligji parashikon forcimin e rolit të gjykatës në përcaktimin e gjendjes faktike, futjen e mjeteve moderne digjitale në funksionimin e gjykatave, si dhe thjeshtimin dhe përshpejtimin e procedurave, veçanërisht në kontestet me vlerë më të vogël.

Ndër risitë e rëndësishme është edhe mundësia për dorëzimin elektronik të shkresave dhe mbajtjen e seancave gjyqësore përmes mjeteve elektronike, gjë që do të ulë më tej kostot dhe kohëzgjatjen e procedurave.

Ligji gjithashtu parashikon paditë përfaqësuese për mbrojtjen e interesave dhe të drejtave kolektive, duke zgjeruar qasjen në drejtësi dhe duke krijuar mekanizma të rinj për mbrojtjen juridike të qytetarëve.

Njëkohësisht, parashikohen sanksione më të drejta dhe më proporcionale gjatë zhvillimit të procedurave, ndërsa zgjidhjet ligjore janë harmonizuar me aktet e tjera sistemore, me qëllim sigurimin e një sistemi juridik koherent, funksional dhe të parashikueshëm.

Ministria e Drejtësisë thotë vazhdon zbatimin e agjendës reformuese, të orientuar drejt një gjyqësori efikas, sundimit të ligjit dhe forcimit të besimit të qytetarëve në institucionet.

Gjykatës(e) - Gjykim - GjyqësorParlamenti - Kuvendi i Maqedonisë së Veriut