Kuvendi i RMV-së e miratoi rebalancin e buxhetit për vitin 2026

Me 64 vota “për” dhe asnjë “kundër” dhe i “përmbajtur”, Kuvendit pasditen e sotme e miratoi rebalancin e buxhetit të shtetit për vitin 2026, njofton Portalb.mk.

Deputetët e koalicionit qeveritar në debatin në Parlament theksuan se rebalanci është i orientuar drejt stabilitetit ekonomik, zhvillimit dhe menaxhimit të përgjegjshëm me financat publike përmes politikave. Deputetët e opozitës, madje, pohuan se rebalanci i buxhetit nuk është i orientuar drejt zhvillimit produktiv, nuk është zhvillimor dhe nuk është social, duke theksuar se qytetarëve nuk u nevojiten sllogane por rezultate të cilat sipas tyre në këto dy vite kanë munguar.

Ministrja e Financave, Gordana Dimitrievska-Koçoska në ekspozenë tha se ai paraqet harmonizim në kohë dhe i përgjgjshëm i projeksioneve buxhetore me rrethanat e reja ekonomike, si dhe sigurimi i mjeteve për përmbushjen e detyrimeve ligjore që po ndodhnin ndërkohë dhe realizimin e prioriteteve zhvillimore sipas shkallës së realizimit të tyre.

Ajo shtoi se ndryshimet kanë për qëllim vazhdimin e politikave të stabilitetit ekonomik, zhvillimit dhe menaxhimit të përgjegjshëm të financave publike dhe theksoi se sot me miratimin e Rebalancit vazhdon cikli i investimeve, ndërtimi i infrastrukturës, mbështetja për zhvillimin lokal dhe ofrimi i sigurisë dhe parashikueshmërisë për qytetarët dhe ekonominë.

Deputeti Fatmir Bytyqi, ish-zëvendëskryeministër për Çështje Ekonomike, në debatin e sotëm tha se LSDM-ja do ta votojë rebalancin, nuk do të replikojë, ndërsa kërkoi që ministrja e Financave, kryeministri, pushteti, të premtojnë se nesër në ora 8 në mëngjes t’ua paguajnë subvencionet bujqve. Kërkoi edhe që të mos i gënjejnë se LSDM-ja po i bllokon subvencionet.

Me Rebalancin e ndryshuar, të ardhurat totale rishikohen në 379.5 miliardë denarë, që është rritje prej 1.2 për qind krahasuar me Buxhetin fillestar. Shpenzimet totale rishikohen në 425.8 miliardë denarë ose më shumë për 2.8 për qind të parashikimeve fillestare. Deficiti buxhetor parashikohet në 46.3 miliardë denarë ose 4.1 për qind të PBB-së.

Me rebalancin sigurohen 5.8 miliardë denarë më shumë mjete për investime kapitale dhe janë projektuar në nivelin e 46 miliardë denarëve, që është 14.3 për qind më shumë se buxheti fillestar, dhe për shkak të dinamikës së përshpejtuar të realizimit të projekteve kapitale. Gjegjësisht, në gjysmën e parë të vitit, realizimi i shpenzimeve kapitale arriti në 19.4 miliardë denarë, që është një rritje prej 53.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja e zërit për shpenzimet kapitale dhe investimet në infrastrukturë është arsyeja e korrigjimit të deficitit për 0,6 pikë procentuale krahasuar me projeksionin fillestar të deficitit buxhetor.

Mjetet kanë për qëllim zbatimin e projekteve që përmirësojnë drejtpërdrejt jetën e qytetarëve dhe do të krijojnë përfitime ekonomike në vitet e ardhshme. Planifikohet të financohen projekte në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, në fushën e mjedisit dhe infrastrukturës

komunale, energjetikë, arsim dhe mbrojtje të fëmijëve, bujqësi, drejtësi, si dhe mjete për projekte kapitale në komuna, respektivisht për të mbështetur zhvillimin lokal.

Me rebalancin janë siguruar mjete shtesë për servisimin e detyrimeve më prioritare që rrjedhin nga marrëveshjet e nënshkruara kolektive, respektivisht për paga më të larta, më shumë mjete për bujqësinë, si dhe për mbrojtjen sociale.

Për më tepër, përmes përfshirjes së ndryshimeve, u siguruan mjete për gratë e angazhuara në veprimtari bujqësore, mjete për krijimin e një linje kombëtare SOS për të mbështetur viktimat e dhunës gjinore dhe familjare, si dhe mjete për hapjen dhe vënien në funksion të dy qendrave të kujdesit për viktimat e dhunës në familje dhe në bazë gjinore. Gjithashtu, janë siguruar 6 milionë denarë shtesë për transportin e ujit për popullatën në Gostivar për shkak të epidemisë së shpallur, 1 milion denarë për Drejtorinë për Ekzekutimin e Sanksioneve; 10 milionë denarë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës për rindërtimin e fakulteteve, 12 milionë denarë në Prokurorinë Publike për vazhdimin e licencës së prokurimit të softuerit, 170 milionë denarë janë në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave për ndërtimin e qendrave të shpërndarjes në Shkup dhe Strumicë dhe rinovimin dhe përshtatjen e ndërtesës së IPARD, si dhe 80 milionë denarë në Agjencinë e Rezervave të Mallrave.

Ministria e Financave (MF)Qeveria e Maqedonisë së VeriutRebalanci i buxhetit