U miratua rebalanci i Buxhetit në RMV

Ministrat e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut sot kanë shqyrtuar dhe miratuar ndryshimet rreth rebalancit të buxhetit të shtetit, duke rishpërndarë mjete për disa projekte kapitale, transmeton Portalb.mk.

Deri më tani dihet se do të ketë korrigjim në rritje të deficitit buxhetor për shkak të nevojave të shtuara për financimin e investimeve kapitale. Korrigjime priten edhe në anën e të hyrave, veçanërisht te akcizat, kryesisht për shkak të masave për uljen e TVSH-së dhe akcizave që janë ndërmarrë gjatë periudhës së kaluar.

“Ka rritje të shpenzimeve kapitale në pjesën e Ministrisë së Mjedisit Jetësor, kemi disa projekte IPA, si dhe rritje për programin AA”, ka deklaruar ministrja e Financave, Gordana DimitrieskaKoçoska, duke theksuar se akcizat duhet të korrigjohen për rreth 1,5 miliardë denarë, por theksoi se është e vështirë të bëhen projeksione të sakta.

Ministrja ka shtuar se mjetet shtesë do të destinohen drejt realizimit të projekteve kapitale me rëndësi strategjike për shtetin, ndër të cilat janë ndërtimi i Korridorit 8 dhe Korridorit 10d, autostrada Shkup – Bllacë, ndërtimi i Korridorit hekurudhor VIII, investimet në sistemet e ujësjellësit dhe kanalizimit, stacionet e trajtimit të ujërave të zeza, sistemet e menaxhimit të mbeturinave, projektet për efikasitet energjetik, ndërtimi dhe rikonstruimi i shkollave, çerdheve dhe konvikteve studentore, si dhe investimet në zhvillimin rural dhe modernizimin e bujqësisë.

Përgatitja e rebalancit është bërë në konsultim me ministritë, ku janë kryer analiza për të përcaktuar se ku ka hapësirë për kursime, ku mund të qëndrohet brenda limiteve dhe ku nevojiten mjete shtesë për realizimin e projekteve dhe politikave.

Qeveria ka deklaruar se fokusi i saj mbetet mbrojtja e standardit jetësor të qytetarëve dhe se rebalanci nuk do të nënkuptojë shkurtime të shpenzimeve, por vetëm përshtatje të projekteve kapitale.

Nga ana tjetër opozita vlerëson se rebalanci nuk është zhvillimor, por kryesisht konsumues dhe nuk krijon vlerë të re ekonomike. LSDM-ja ka thënë se deficiti buxhetor po rritet, shteti po merr gjithnjë e më shumë borxh dhe agjenda reformuese po vonohet.

Ndryshe, Kuvendi më 22 korrik e miratoi rebalancin e Buxhetit për vitin 2025 me 65 vota “pro” dhe 14 “kundër”. Me rebalancin, të hyrat e përgjithshme u projektuan në 362,4 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet në 403,7 miliardë denarë, me deficit buxhetor të pandryshuar prej 4 përqind të BPV-së.

Kujtojmë se Ministria e Financave, në fund të prillit, publikoi gjendjen e borxhit publik për tremujorin e parë të vitit 2026. Ai arrin në 10,747 miliardë euro ose 59,7 përqind të BPV-së dhe shënon ulje prej 1,5 pikë përqindjeje krahasuar me gjendjen e 30 qershorit 2024.

Buxheti 2026 RMVBuxheti i shtetitBuxheti komunalLidhja Social Demokrate (LSDM)Parlamenti - Kuvendi i Maqedonisë së VeriutQeveria e Maqedonisë së VeriutRebalanci i buxhetit