Kushtetuesja vendosi masë të përkohshme që ndalon çdo veprim për formimin e Qeverisë së Kosovës

Gjykata Kushtetuese e Kosovës njëzëri ka vendosur masë të përkohshme përmes së cilës ua ndalon deputetëve të ndërmarrin veprime si dhe ndalon zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, raporton Radio Evropa e Lirë.

Kjo masë – që do të jetë në fuqi nga 5 deri më 30 shtator – u kritikua nga fituesja e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka bërë thirrje të ecet përpara me formimin e Qeverisë së re.

Gjykata e vendosi këtë masë në mënyrë ex officio dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të Listës Serbe.

Kushtetuesja tha se e pranoi kërkesën për masë të përkohshme, sepse ajo i shërben “evitimit të rreziqeve ose dëmeve të pariparueshme” dhe është në “interes publik”.

Nëntë deputetët e Listës Serbe dhe deputeti goran, Adem Hoxha iu drejtuan Kushtetueses me kërkesë më 30 gusht, lidhur me votimin për nënkryetarin serb në Kuvendin e Kosovës.

Gjykata theksoi se – pa u vlerësuar dyshimet e ngritura nga Lista Serbe për shkelje kushtetuese në seancat e 26 dhe 28 gushtit – “është e domosdoshme që të ndalohen të gjitha veprimet e mëtejme drejt zgjedhjes së Qeverisë dhe vazhdimit të punës së Kuvendit”.

Ajo shtoi se masën e vendosi “në mënyrë që të mos cenohet rendi juridik dhe demokratik në Republikën e Kosovës”.

Partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e kritikoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese si të “njëanshëm”.

“Gjykata Kushtetuese që në krye të herës ka mbajtur anë duke marrë këtë vendim sot. Ndalimi i punës së 120 deputetëve është në kundërshtim të plotë me funksionalizimin e një nga institucioneve më të rëndësishme të shtetit siç është Kuvendi”, shkroi LVV në një reagim në Facebook.

Ajo tha se në tekstin prej 15 faqesh të Kushtetueses për arsyetimin e masës “është paraqitur disa herë vlerësimi i ankuesve se atyre u takon ekskluziviteti i propozimit dhe zgjedhjes së nënkryetarit”.

Albin KurtiQeveria e KosovësVetëvendosjeZgjedhje në Kosovë