Kush si votoi për Talat Xhaferin kryeministër, 6 deputetë shqiptarë bojkotuan votimin

Me 65 vota “për” dhe 3 “kundër” sot Kuvendi i Maqedonisë së Veriut e votoi përbërjen qeverisë teknike, e cila do të duhet t’i organizojë zgjedhjet e rregullta parlamentare dhe presidenciale në 100 ditët e ardhshme. Në krye të Qeverisë, për herë të parë në historinë e Maqedonisë së Veriut u zgjodh një shqiptar, Talat Xhaferi, i cili erdhi në këtë pozitë nga pozita e kryetarit të Kuvendit, njofton Portalb.mk.

Partia në pushtet LSDM, bashkë me partitë koalicionuese mbështetën përbërjen e kësaj Qeverie, ku sipas ligjit Ministria e Punëve të Brendshme dhe e Punës dhe Politikës Sociale i takojnë partisë më të madhe opozitare, në këtë rast VMRO-DPMNE-së.

Kush si votoi?

65 votat, mbështetëse për Xhaferin kryeministër erdhën nga partia e tij amë, BDI, partia pushtetare maqedonase LSDM e cila në vete ka dhe disa parti tjera më të vogla partnere, por edhe nga partia Aleanca për Shqiptarët e cila prej marsit të vitit të kaluar ka hyrë në qeveri. Me një votë, kontribuoi edhe partia e posaformuar Partia Demokratike Evropiane nga i larguari nga Lëvizja Besa, Arianit Hoxha, me deputetin e saj Bastri Bajrami. Ashtu sikur PDE, votoi edhe Skender Rexhepi, deputeti i cili gjithashtu formoi Lëvizjen Populli, pasi u largua nga partia Alternativa.

Tre deputetët e vetëm që votuan kundër ishin Pavle Trajanov – lider i Lidhjes Demokratike, i cili deri para ca kohësh ishte partner qeveritar. Atij iu shoqëruan edhe dy deputetët e partisë proruse në vend, Levica, kryetari Dimitar Apasiev dhe kolegu i tij Borisllav Krmov.

Pavarësisht se opozitarja VMRO-DPMNE merr pjesë në këtë qeveri me dy ministra, ajo bojkotoi, fare nuk votoi për qeverinë teknike. Madje, ashtu siç mund edhe të shihet në fotografinë zyrtare të kabinetit të ri qeveritar, ministrat e VMRO-së bojkotuan edhe fotografimin zyrtar të fotografisë familjare të kabinetit, e cila është traditë. Por, megjithatë, Xhaferi tha se komunikimi me ata do të jetë normal ashtu sikur me të tjerët dhe se ata këtë e bëjnë vetëm për publik dhe se pas “perdeve” edhe ata komunikojnë pa asnjë problem.

Kabineti qeveritar i Talat Xhaferit, ministrat e VMRO-DPMNE-së bojkotuan fotografinë familjare

Votimin e bojkotuan partitë shqiptare të opozitës, të cilëve hatri u ka mbetur për një vend-anëtar në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, i cili është institucioni kryesor që organizon zgjedhjet.

Izet Mexhiti, i cili mandatin e fitoi nën logon e BDI-së, e që më pas u nda dhe formoi Lidhjen Demokratike, fare nuk mori pjesë në seancë. Në seancë nuk ishte as Merita Koxhaxhiku, gjithashtu deputete e cila u largua nga BDI bashkë me Mexhitin.

Atyre iu shoqërua edhe deputeti Kastriot Rexhepi, i cili paraprakisht ishte në Lëvizjen Besa e më pas kaloi në Lidhjen Demokratike, pasi shpëtoi nga rrëzimi qeverinë LSDM-BDI.

Munguan dhe Afrim Gashi dhe Safije Shaini Sadiku nga Alternativa, të cilët prej verës së kaluar janë në koalicion me Lidhjen Demokratike dhe Lëvizjen Besa, prej të cilës u përçanë dhe formuan parti. Fadil Zendeli nga Lëvizja BESA, pavarësisht se vjen nga rrethi i Gostivarit, prej ku është dhe kryeministri Xhaferi, për shkak të qëndrimit të partisë së tij, nuk mori pjesë në seancë.

Votimi i qeverisë teknike u përcoll me interes të jashtëzakonshëm nga mediat, sidomos shqiptare, përfaqësuesit e të cilëve prej shteteve të rajonit sot qëndrojnë në Shkup, për shkak të peshës historike që Xhaferi i cili dikur mbante petkun e UÇK-së së shpallur terroriste nga shteti, sot të ulet në karrigen e kryeministrit.

Lexo raportimin e Portalbit për zgjedhjen e qeverisë teknike: Talat Xhaferi u zgjodh kryeministër i Maqedonisë së Veriut, për herë të parë një shqiptar mban këtë pozitë

Aleanca për Shqiptarët (ASH)Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI)Lidhja Social Demokrate (LSDM)Qeveria e Maqedonisë së VeriutTalat Xhaferi