Fushata e re e organizatave të shoqërisë civile që punojnë për përmirësimin e kujdesit shëndetësor “Kur kursehet në parandalim, pasojat janë të shtrenjta” kujton se injorimi i parandalimit ka çmim të lartë për gratë, familjet dhe të gjithë sistemin e kujdesit shëndetësor, raporton Portalb.mk.
Shoqata për Edukim dhe Hulumtim Shëndetësor ‘HERA’ së bashku me organizatat partnere kanë filluar fushatën kombëtare “Kur kursehet në parandalim, pasojat janë të shtrenjta”.
Fushata është thirrje publike për sistem që do ta vendosë parandalimin në qendër të politikave shëndetësore, sepse siç thonë, çdo denar i kursyer sot, paguhet më shtrenjtë nesër në dëm të shëndetit të qytetarëve dhe sistemit që shpenzon më shumë për trajtim.
“Edhe pse shteti ka detyrimin të ofrojë kujdes shëndetësor parandalues të arritshëm për të gjithë, shifrat flasin ndryshe: 80% e grave paguajnë për shërbime gjinekologjike që u takojnë falas; Vetëm 30% e grave përfshihen në skriningun për kancer të qafës së mitrës, në vend të 75% të nevojshme brenda një periudhe 3-vjeçare; Organizatat qytetare zbulojnë një rast HIV pozitiv në 150 testime, ndërsa institucionet shëndetësore një rast HIV pozitiv në 1150 testime; 92% e grave rome nuk e dinë se kanë të drejtë për kontroll gjinekologjik falas”, thonë nga HERA.
OJQ-të bëjnë thirrje për rritjen e buxheteve për parandalim dhe sigurimin e qasjes së barabartë në kujdesin shëndetësor, pavarësisht nga të ardhurat, vendbanimi ose përkatësia etnike.
Ata porositin që parandalimi nuk është shpenzim, përkundrazi, është një investim në jetë të shëndetshme dhe një sistem kujdesi shëndetësor më efikas.