Krerët shtetërorë dhe liderët politikë me mesazhe ngushëllimi dhe solidariteti për zjarrin në Koçan: Të zbardhet rasti

Zjarri që shpërtheu në orët e para të mëngjesit të 16 marsit në një diskotekë në Koçan, ku humbën jetën mbi 50 të rinj dhe mbi 150 të tjerë u plagosën, ka bërë që krerët shtetëror, politikanë dhe zyrtarë të tjerë të dërgojnë mesazhe ngushëllimi, shkruan Portalb.mk

Gordana Siljanovska Davkova, presidente: 

Me zemër të mbushur me dhimbje mora lajmin për tragjedinë në Koçan, ku humbën jetën dhjetëra dhe shumë u plagosën. U shpreh ngushëllimet më të thella familjeve të të ndjerit për humbjen e tyre të pariparueshme, dhimbje që fjalët nuk mund ta përshkruajnë. Në këto momente të vështira, mëngjesin e sotëm herët kam vizituar disa nga të lënduarit. U bëj thirrje të gjitha institucioneve kompetente për zbardhjen e plotë të rastit dhe përcaktimin e të gjitha rrethanave që kanë sjellë deri te ky aksident. Nuk duhet të lejojmë që lëshimet, neglizhenca apo dobësitë sistematike të bëhen shkak për humbje të mëtejshme të jetës njerëzore. 

Hristijan Mickoski, kryeministër: 

Me pikëllim të thellë mora lajmin për tragjedinë e tmerrshme në Koçan. Kjo është një ditë e vështirë dhe shumë e trishtueshme për Maqedoninë! Në këto momente trishtimi të thellë, mendimet tona janë me ata që kanë humbur të dashurit e tyre. U bëj thirrje të gjitha institucioneve kompetente – shërbimeve shëndetësore, policisë, autoriteteve lokale – që të marrin masa urgjente për të ndihmuar të lënduarit dhe për të mbështetur familjet e prekura. Qeveria është plotësisht e mobilizuar dhe do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të përballuar pasojat dhe për të përcaktuar shkaqet e kësaj tragjedie. 

Afrim Gashi, kryeparlamentar: 

Me pikëllim të thellë mora lajmin për tragjedinë e rëndë në Koçan, ku shpërthimi i zjarrit mori jetën e mbi 50 personave dhe la të plagosur dhjetëra të tjerë.  Në emrin tim personal dhe në emër të Kuvendit të RMV, shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave. Ftoj autoritetet përkatëse të angazhohen me përkushtim për zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa ne solidarizohemi plotësisht me ata që po kalojnë këto momente të vështira. Lutjet dhe mendimet tona janë me të gjithë të prekurit nga kjo tragjedi. 

Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së: 

Kjo është një ditë e zezë për Maqedoninë. Në këtë moment trishtimi të thellë, dëshiroj të shpreh ngushëllimet më të thella për familjet që humbën të dashurit e tyre dhe u uroj shërim të shpejtë të plagosurve. Në momente si këto, e vetmja gjë që ka rëndësi është solidariteti dhe mbështetja. 

I bëj thirrje të gjitha institucioneve, punonjësve të kujdesit shëndetësor dhe mbarë shoqërisë që të bashkohen në ndihmë të viktimave dhe familjeve të tyre. Si mjek, jam në dispozicion për çdo lloj ndihme që mund të jap në këtë situatë të vështirë. Tani nuk është koha për ndarje, por për unitet në pikëllim dhe në përpjekje për të ndihmuar. 

Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së: 

Sot, zemrat tona janë të tronditura dhe të mbushura me dhimbje nga tragjedia e tmerrshme që ka ndodhur në Koçan, ku humbën jetën më shumë se 50 persona dhe shumë të tjerë u plagosën. Ky është një moment i jashtëzakonshëm dhe i vështirë për të gjithë ne, dhe, në këto momente të dhimbjes së thellë, mendimet dhe lutjet tona janë me familjet e viktimave dhe me ata që po kalojnë nëpër këtë vuajtjeje.Ngushëllime të thella për të gjitha familjet e viktimave dhe shërim sa më të shpejtë për të gjithë ata që janë lënduar. 

Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa: 

Lajmi tragjik nga Koçani ka lënë pas shumë dhimbje dhe lot. Humbja e jetëve të pafajshme në këtë fatkeqësi është një plagë për mbarë shoqërinë tonë. Në këto momente pikëllimi, u shprehim ngushëllime të përzemërta familjeve të viktimave, solidarizohemi me ta dhe lutemi për shërimin e shpejtë të të lënduarëve! mInstitucionet janë në dispozicion për të ndihmuar familjarët dhe të lënduarit dhe gjithashtu në gadishmëri të plotë për të plagosurit është edhe spitali i Tetovës. Urojmë që të zbardhet rasti sa më shpejtë me shpresë se raste të tilla nuk do na përsëriten në të ardhmen! 

Zeqirija Ibraimi, kryetar i Alternativës: 

Ngjarja tragjike në Koçani, në të cilën jetën e kanë humbur dhjetëra të rinj, është lajm trishtues dhe i dhimbshëm, i cili sot na preku të gjithëve. Duke u shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave, lutemi që të vdekurit Zoti t’i mëshirojë, ndërsa të lënduarve u dëshirojmë shërim sa më të shpejtë! Institucionet duhet ta zbardhin rastin dhe përgjegjësia duhet të adresohet saktë. Ngushëllime e lutje! 

Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët: 

Mëngjes i trishtë për të gjithë Të trishtuar thellë nga tragjedia e mbrëmshme në Koçan, ndajmë dhimbjen me familjarët e viktimave. Zoti qoftë me ta! 

Dimitar Apasiev, kryetar i partisë E Majta 

Ngushëllime familjeve të të rinjve. Kjo është horror dhe tragjedi kombëtare. 

Maksim Dimitrievski, kryetar i Znam: 

Kjo është një tragjedi për Maqedoninë dhe për të gjithë qytetarët tanë, duhet ta ndajmë dhe ta përballojmë së bashku, të bashkuar, koheziv dhe solidar si paraardhësit tanë dikur. Le t’i lëmë autoritetet të bëjnë punën e tyre, t’i trajtojnë të lënduarit, t’i lënë hetuesit të vërtetojnë faktet dhe do të duhet të ketë përgjegjësi. 

Mesazhe ngushëllimi dhe solidariteti kanë përcjellë edhe zyrtarë dhe politikanë të tjerë në mbarë vendin.

Në zjarrin që shpërtheu mëngjesin e 16 marsit në diskotekën ‘Pulse’ në Koçan të Maqedonisë së Veriut, 59 persona kanë vdekur ndërsa mbi 150 janë plagosur.

Sipas informacioneve të para, zjarri ka shpërthyer për shkak të përdorimit të mjeteve piroteknike që ishin përdorur për efektet vizuale gjatë koncertit. Viktimat janë të rinj nga mosha 14 deri në 24 vjeç. Një ekip prej gjashtë prokurorësh ka filluar hetimet. Ka 20 të dyshuar, dhe një pjesë nga të janë arrestuar. Ekipet e Kryqit të Kuq dhe institucionet tjera po ofrojnë ndihmë për familjarët e të lënduarve që presin para spitaleve. Ndihmë kanë ofruar edhe nga vendet fqinje dhe BE-ja.

LEXO MË SHUMË NË: 

Tragjedi në Koçan, 59 të vdekur dhe mbi 150 të lënduar nga zjarri në një diskotekë, viktimat janë të rinj

Zjarri në diskotekën në Koçan