“Krejt e thirin Rexhën” u shpall filmi më i mirë në Festivalin Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë në Pogradec

Filmi “Krejt e thirin Rexhën” ka fituar çmimin Filmi më i Mirë në edicionin e 16-të të Balkan Film & Food Festival-Pogradec 2026. Ky festival, i cili zhvillohet në qytetin liqenor të Pogradecit, bashkon çdo vit kinemanë, kulturën dhe traditat kulinare të rajonit, shkruan Portalb.mk.

Edicioni i sivjetmë u mbajt nga 23 deri më 27 qershor, me shfaqje filmash, takime me artistë dhe aktivitete kulturore e gastronomike nga vendet e Ballkanit.

Ekipi i filmit ka shprehur falënderime të përzemërta për jurinë, organizatorët e festivalit dhe të gjithë ata që e kanë mbështetur këtë rrugëtim artistik.

“Krejt e thirin Rexhën”, i realizuar me mbështetjen e Agjencisë së Filmit të Maqedonisë së Veriut dhe Manufaktura Production, trajton temën e migrimit dhe realitetin e njerëzve që mbeten në vendin e tyre, ndërkohë që shumë të tjerë largohen.

Ky çmim paraqet një tjetër sukses të rëndësishëm për kinematografinë nga Maqedonia e Veriut dhe për autorët që po e çojnë rrëfimin ballkanik në festivale rajonale e ndërkombëtare.

ÇmimeFilmat shqiptarëKultura shqiptareKulturë lajme