Komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos, paralajmëroi se sjellja e autoriteteve serbe lidhur me varrimin e kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mlladiq, do të jetë test i madh për Beogradin zyrtar, i cili do të tregojë nëse ai ndan vlerat evropiane, transmeton Portalb.mk.
“Deri tani, shumë gjëra po ndodhin në Serbi dhe ne po i ndjekim me kujdes. E gjithë kjo mund të ndikojë në mënyrën se si shtetet anëtare e vlerësojnë Serbinë. Nuk bëhet fjalë vetëm për pjesën teknike, përkatësisht për atë që bëjnë në procesin e anëtarësimit, por para së gjithash për mënyrën se si përputhen me vlerat tona”, tha Kos.
Ajo shtoi se sjellja e Ratko Mlladiqit në Beograd do të jetë “test shumë i rëndësishëm për atë që do të ndodhë në ditët në vijim”.
Ministri irlandez për Çështjet Evropiane, Tomas Byrne, vendi i të cilit aktualisht mban presidencën e BE-së, paralajmëroi se një varrim shtetëror i kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mlladiq, ose pjesëmarrja e anëtarëve të qeverisë serbe në varrim, është e papranueshme për Bashkimin Evropian.
Aeroplani me trupin e pajetë Ratko Mlladiqit, i cili vdiq më 27 gusht në Hagë, arriti të enjten, më 3 shtator, në aeroportin “Nikola Tesla” të Beogradit. Në aeroplan, përveç anëtarëve të familjes, ndodheshin edhe ministri i Drejtësisë i Serbisë, Nenad Vujiq, dhe dy bashkëluftëtarë të Mlladiqit.
Arkivoli me trupin e Mladiqit ishte i mbuluar me flamurin e Serbisë dhe u mbajt nga pjesëtarë të Ushtrisë së Serbisë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte thënë më herët se pret që djali i Mladiqit “në ditët në vijim t’i njoftojë të gjithë për atë që dëshiron familja”. Megjithatë, ai ka shtuar se shteti do të jetë i gatshëm të ofrojë çdo lloj mbështetjeje logjistike, transporti dhe të tjera, si dhe të ndihmojë në ruajtjen e rendit publik, paqes dhe sigurisë.
Tribunali i Hagës e dënoi Ratko Mlladiqin me burgim të përjetshëm më 8 qershor 2021.
Gjykata konstatoi se ai ishte fajtor për gjenocidin e kryer ndaj rreth 8.000 boshnjakëve në Srebrenicë, zonë e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara, në verën e vitit 1995.