Republika e Kosovës sot shënon 17-vjetorin e pavarësisë së saj. Më 17 shkurt të vitit 2008, Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë e vendit, duke e bërë atë shtet të pavarur, sovran dhe demokratik, transmeton Portalb.mk.
Shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte kurorëzimi i një rrugëtimi të dhimbshëm lotësh e gjaku për popullsinë shqiptare.
Data 17 shkurt 2008. Dita e diel. Ora 15:39. Ky ishte momenti kur Kosova e zbatoi propozimin e Ahtisaarit që ishte shpallja e pavarësisë. 109 deputetë votuan në këtë Kuvend për deklaratën që e bënte vendin shtet të pavarur e sovran. Deputetet e Kuvendit te Kosovës në një seancë solemne miratuan deklaratën e pavarësisë përmes se cilës shpallën Kosovën shtet të pavarur dhe sovran si dhe aprovuan flamurin e ri tre ngjyrësh të Republikës se Kosovës, duke i dhënë fund kështu pritjes se gjatë të popullit shqiptar për te realizuar ëndrrën e tyre.
Deklarata u votua nga 109 ligjvënës pa asnjë votë kundër ndërsa me pas u nënshkrua nga te gjithë deputetet e pranishëm në Kuvend. Përveç atyre serb, siç edhe u prit nuk morën pjese në seancën e jashtëzakonshëm dhe solemne te shpalljes se pavarësisë se vendit. Në seancë ndërkaq ishin të pranishëm shumica e shefave te zyrave diplomatike që janë të akredituar në Kosovë si dhe intelektualë të njohur vendor dhe ndërkombëtar.
Varësisht prej matjes së diferencës kohore Kosta Rika dhe Afganistani ishin shtetet e para që e njohën pavarësinë e Kosovës. Pasuan njohjet e mëdha nga SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Turqia dhe të tjera. Në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Kosovës njoftojnë se 117 vende e njohin pavarësinë e Kosovës.
Kushtetuta e Kosovës hyri në fuqi më 15 qershor të 2008, duke e zëvendësuar Kornizën Kushtetuese të UNMIK-ut. Pak më vonë, në korrik presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi realizuan vizitën më të rëndësishme ndonjëherë, duke u pritur në Shtëpinë e Bardhë nga Presidenti George Bush, si konfirmim për përkrahjen e pa rezervë të Washingtonit për Kosovën.
Në nder të 17 shkurtit si në Kosovë dhe në gjitha vendet ku ka shqiptare organizohen një sërë aktivitetesh të ndryshme për ta shënuar këtë datë historike.