Kopshti i qytetit në Strugë në kaos total, prindërit e revoltuar kërkojnë zgjidhje para Komunës

Dhjetëra prindër e gjyshër të revoltuar, bashkë me fëmijët e tyre parashkollorë, protestuan sot para Komunës së Strugës duke kërkuar që një herë e përgjithmonë të zgjidhet problemi me kopshtin e qytetit. Prindërit thonë se mungesa e kushteve dhe kapaciteteve në çerdhe përveç se vështirëson funksionimin e tyre të rregullt në punë ndikon negativisht dhe në edukimin dhe zhvillimin e fëmijëve të tyre, shkruan Portalb.mk.

Në Strugë vazhdon saga e problemit me kopshtin e qytetit “8 Marsi”, si pasojë e mos zgjidhjes së statusit të punës për 21 edukatoret të cilat me vite të tëra punojnë me kontratë pune dhe pa benefite sociale. Objekti “Flutura” i këtij kopshti i priti me dyer të mbyllura fëmijët këtë shtator ndërsa, në kaos total, funksionon vetëm objekti “Dielli” në kopshtin e qytetit. Prindër të revoltuar sot protestuan për të kërkuar zgjidhje për një problem që në fakt është e drejtë themelore e çdo fëmije. Momentalisht kopshti i qytetit të Strugës nuk ka drejtor dhe ka 21 të punësuar më pak pasi 21 edukatoret me kontratë nuk janë ftuar të fillojnë me punë më 1 shtator dhe as ju është dhënë ndonjë informacion se çfarë pritet të ndodh me to.

Protestë e prindërve para Komunës së Strugës/ Fotografuar nga Sh.A 04.09.2024

“Të hënën i bëra gati fëmijët dhe u nisëm në çerdhe por e gjetëm derën e mbyllur. Zhgënjim total. Jemi të detyruar të punojmë burrë e grua dhe nuk kemi njeri që të kujdeset për fëmijët. Për ne çerdhja nuk është luks por nevojë e domosdoshme për mbijetesë”, u shpreh një nënë.

“Nëse komuna është përgjegjëse për këtë, duhet ta zgjidhë, nëse jo, shteti të marrë masa. Fëmijët janë qytetarë të këtij shteti dhe të kësaj komune”, tha një gjysh i revoltuar.

“E dërguam vajzën në çerdhe, ne jemi te objekti “Dielli” i cili akoma nuk na e ka mbyll derën, por në ora 12.00 na u paraqitën të shkojmë ta marrim vajzën sepse në mungesë të stafit kjo çerdhe do të punojë deri në ora 12.00″, deklaroi një nënë.

“Të protestojmë është e vetmja gjë që na ka mbetur edhe pse jemi shumë të zhgënjyer më këtë realitet. Thjesht nuk ka logjikë, këndej thuan se nuk ka staf a nga ana tjetër i mbajnë në kushte jo-njerëzore 21 përkëdhelse të cilat ende kanë shpresë se do ju zgjidhet statusi i punës”, tha një tjetër prind.

Kryetari i Komunës së Strugës, Ramis Merko, i ftoi protestuesit brenda objektit të komunës me qëllim që të bisedojnë dhe ti informojë për situatën e krijuar. Merko premtoi se kopshti do të ketë drejtor të ri deri në fund të javës dhe peshën më të madhe të problemit në fjalë e adresoi në Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale. 

“Ministria e Punës dhe Politikës Sociale le të kujdeset për përkëdhelëset, çerdhet janë në kompetencë të ministrisë, prandaj është mirë t’i pyesni edhe ata. Unë ju them se problemi do të zgjidhet së shpejti dhe deri në fund të javës do të ketë drejtor të ri”, deklaroi Ramis Merko.
Ramis Merko duke folur me protestuesit për problemin me Kopshtin e qytetit/ Fotografuar nga Sh.A 04.09.2024

Statusi i punës me 21 të punësuar në çerdhen e qytetit është është një problem shumë vjeçar por që u bë i njohur për opinionin vetëm disa muaj më parë kur 21 edukatorët vendosën të bojkotojnë punën e tyre dhe të protestojnë. Vendimi i tyre për protestë erdhi pas lajmit se rroga e tyre do të ulej nga 10000 denarë në 5000 denarë. Pas protestës disa ditore edukatoret u kthyen në vendin e punës me shpresë se pas zgjedhjeve parlamentare dhe presidencial do të rregullohet statusi i tyre, megjithatë me të filluar viti shkollor asnjë nga 21 të punësuarat nuk është ftuar të jetë prezente nën vendin e punës as me status të rregulluar as të parregulluar.

Portalb.mk vazhdimisht ka raportuar për problemet e shumta në kopshtin e qytetit të Strugës, për më tepër lexoni më poshtë.

Ramis Merko duke folur me protestuesit për problemin me Kopshtin e qytetit/ Fotografuar nga Sh.A 04.09.2024

Çerdhe Kopsht fëmijëshKomuna e StrugësRamis Merko