Konferencë nga HERA: Punësimi formal i grave rome do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të shtetit

Duhen zgjidhje sistematike, futje e masave afatgjata, punë aktive dhe mbështetje në terren, për të rritur numrin e grave rome të punësuara, duke qenë se shkalla e punësimit formal për to është vetëm 17% në vend, gjegjësisht janë tre herë më pak të përfaqësuar në tregun e punës. Me një shtrirje më të madhe të punësimit formal, më shumë gra rome do të kenë mundësinë për zhvillim personal dhe profesional dhe pavarësi ekonomike. Këto ishin pjesë e konkluzioneve të konferencës nacionale të mbajtur sot në Shkup, me titull “Rome e punësuar = Rome e pavarur”, organizuar nga HERA – Shoqata për Edukim Shëndetësor, në kuadër të projektit “Romë e punësuar = Rome e Pavarur”, financuar nga fondacioni suedez Kvinna till Kvinna, transmeton Portalb.mk.

Në konferencën fjalën e tyre përshëndetëse mbajtën Mabera Kamberi, shefe e Departamentit për Koordinim dhe Përkrahje Teknike të Ministres së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Elizabeta Bozhinoska – Drejtoreshë Programore e HERA-s, si dhe Vesna Peshova, ushtruese e detyrës zëvendësdrejtoreshë në Agjencinë për Punësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Kamberi theksoi: “Për respektimin e të drejtave të njeriut të romëve, dinjitetin e tyre, nevojën për promovimin, respektimin dhe praktikën e tyre përgjegjësinë më të madhe e kanë ata që marrin vendime, që krijojnë opinionin publik, por jo edhe sektori qeveritar si partner në praktikën e tyre. Konferenca e sotme Kombëtare “Rome e Punësuar = Rome e Pavarur” kushtuar gruas rome, është një mundësi e jashtëzakonshme për ne të gjithë së bashku, si institucione, bashkëpunëtorë dhe partnerë ndërkombëtarë, si dhe organizata joqeveritare, për të diskutuar këtë çështje shumë domethënëse. Besoj se do të mund t’u përgjigjemi sinqerisht shumë pyetjeve, por edhe të përcaktojmë bashkërisht drejtimin e përmirësimit të statusit të grave rome kudo”.

Nga ana tjetër Peshova theksoi se “një nga grupet e synuara drejt të cilit janë drejtuar aktivitetet e Agjencisë së Punësimit për të forcuar kapacitetet e të papunëve dhe punësimin e tyre janë romet e papuna, të cilat marrin pjesë me 10% në numrin total të të papunëve të regjistruar. Me planin operativ për vitin 2024 janë përcaktuar programe, masa dhe shërbime punësimi që krijojnë vende të reja pune dhe rrisin punësueshmërinë e personave të papunë, veçanërisht të kategorive vulnerabël të të papunëve”.

Ajo shtoi se të gjithë punëdhënësit dhe të papunët kanë qasje në programet, masat dhe shërbimet për punësim, me qëllim që mbulimi i romëve të jetë së paku 5% e numrit të përgjithshëm të pjesëmarrësve.

Drejtoresha e programit të HERA-s, Elizabeta Bozhinoska, theksoi: “Ekziston një stereotip i kahershëm dhe i dëmshëm se romët, përfshirë edhe gratë, nuk janë të gatshëm të punojnë. Ky perceptim jo vetëm që dehumanizon komunitetin, por gjithashtu injoron barrierat reale me të cilat përballen gratë rome, si diskriminimi, mungesa e aksesit në arsim dhe përjashtimi nga rrjetet formale të punësimit. Megjithatë, provat sugjerojnë të kundërtën: gratë rome, si shumë të tjera, duan të punojnë dhe të kontribuojnë për familjet dhe shoqërinë e tyre. Punësimi është prioriteti i tyre kryesor.

Kjo është arsyeja pse ne duhet të punojmë së bashku për të siguruar që gratë rome do të njihen si potencial ekonomik, siç janë në të vërtetë, dhe atyre do t’u jepet mundësia të kontribuojnë plotësisht në të ardhmen e Republikës së Maqedonisë së Veriut.”

Pjesëmarrësit diskutuan për qasjen e grave rome në tregun e punës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, pengesat me të cilat përballen dhe hapat që duhet të ndërmerren për pjesëmarrje më të madhe të tyre, e cila do të mundësojë pavarësi më të madhe ekonomike të grave rome në shoqëri.

Krahas sukseseve të arritura u prezantua edhe puna e personave që ishin pika kontakti në terren në katër qytete të vendit dhe shoqëronin gratë rome të papuna në APRMV, me qëllim të ndihmës dhe mbështetjes në procesin e regjistrimit si punëkërkues aktiv, duke iu bashkuar masave të punësimit të ofruara nga APRMV, si dhe tejkalimi i sfidave me të cilat përballen gratë rome në drejtim të punësimit. Gjithashtu, u prezantuan rekomandimet për zgjidhje sistematike, si dhe sfidat në shfrytëzimin e masave nga PNO për punësim dhe krijimin e rekomandimeve për avancimin e tij për vitin 2025.

Ndër folësit në këtë ngjarje ishin Sabina Asanova dhe Sibela Umerovska, nga të cilat Sabina punoi në terren me HERA-n si person kontaktues dhe Sibela e prezantoi rrugën e saj të karrierës si një shfaqje e suksesshme e arsimimit të fituar dhe punësimit formal si pjesë e komunitetit rom. Krahas kësaj, fjalën e morën Dujgu Demirova dhe Ramize Jusinova, rome të punësuara me mbështetjen e njerëzve nga terreni. Morën pjesë edhe ekspertë të Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, si dhe përfaqësues nga sektori i shoqërisë civile që punojnë për fuqizimin ekonomik të romëve.

Kujtojmë se në Raportin e vitit 2023 të Komisionit Evropian mbi në rrugën e RMV-së, gjendja e romëve në vendin tonë përshkruhet si të diskriminuar, të papunë, në varfëri dhe të përballur me shumë sfida tjera. Pavarësisht progresit në disa fusha, gjendja mbetet kritike.

Agjencia për Punësim RMVBarazi gjinorePapunësiPapunësia te të rinjtëRomëtShoqata Hera