Komedia “Dredhit’ e Patukut” u prit ngrohtësisht nga publiku i Gostivarit

Në kuadër të i Festivalit të Teatrove “Othello”, publiku i Gostivarit pati mundësinë të ndjekë komedinë “Dredhit’ e Patukut”, me autor Gjergj Fishtën dhe regji nga Kushtrim Bekteshi, njofton  Portalb.mk.

Regjisori Kushtrim Bekteshi, tregoi mjeshtëri në përshtatjen e veprës, duke e bërë atë të freskët dhe plot humor, ndërsa grupi teatral shkëlqeu me lojën e tyre plot dinamizëm e energji, duke sjellë një atmosferë të gjallë dhe të këndshme për të gjithë të pranishmit.

“Dredharaku Patuk”, me dinakëri dhe mashtrime të ndryshme arrin të zhvasë para nga dy baballarët e pasur e koprracë, me qëllim që t’ju ndihmojë dy fëmijëve të tyre të shthurrur për t’i shlyer borxhet, në të cilat kanë hyrë gjatë mungesës së baballarëve në shtëpi.

Interpretimi i trupës së Teatrit të Tetovës, përbërë nga aktorët: Arsim Fazlija, Arsim Kaleci, Elmir Sejfullai, Ermal Çanga, Arta Zejneli, Blerim Ismani, Sami Mustafa, Abdulla Osmani dhe Sheqerije Ilazi ishte jashtëzakonisht i suksesshëm dhe u prit me shumë entuziazëm nga publiku.

Aktori i shfaqjes “Dredhit’ e Patukut”, Elmir Sejfullai për Portalb.mk tha se hapja e Festivalit “Othello” me këtë komedi ishte një hap shumë i mirë i organizatorit sepse, sipas tij, pasi publiku ishte prezent për këtë komedi në natën e parë, patjetër që do të vijë edhe netët e tjera sepse është argëtuar mbrëmë.

“Kaluam shumë mirë, publiku e priti shkëlqyeshëm shfaqjen, ne u argëtuam si gjithmonë që kënaqemi duke luajtur këtë shfaqje, përshkak se vërtet në këtë projekt kemi pasur një harmoni të hatashme dhe kemi një energji shumë positive me njeri-tjetrin si koleg”, tha Sejfullai.

Sonte në natën e dytë, në skenë do të ngjitet Teatri Eksperimental – Tiranë me shfaqjen “Lule  Sajza”.

Ndërkaq, nesër në natën e tretë jepet shfaqja “Çiftet” nga Teatri i Dramës – Shkup, të enjten Teatri Kombëtar i Sarajevës – Sarajevë me shfaqen “Një është Muhamed Ali”.

Teatri i Thesalisë – Larisa e ka të rezervuar natën e premte me shfaqen “Medea’s Burqa” dhe natën e shtunë dhe të fundit, shfaqen “Fluturimi mbi folenë e Qyqes” që e sjell Teatri Adriana – Ferizaj.

Teatër shfaqje teatroreTeatri i DramësTeatri i GostivaritTeatri i Tetovës