Fatmir Mexhiti u shkarkua nga pozicioni i tij si drejtor i Klinikës Universitare të Neurologjisë të enjten, konfirmoi Ministria e Shëndetësisë për Plusinfo. Drejtor i ri është Igor Kuzmanovski, transmeton Portalb.mk.
Mexhiti në krye të Neurologjisë erdhi në korrik të vitit të kaluar.
Ndërkohë, Kuzmanovski i cili pason Mexhitin, ka lindur në vitin 1972 në Shkup. Ai është i punësuar në Klinikën e Neurologjisë që nga viti 1996. Doktoraturën e mori në vitin 2016 dhe aktualisht është profesor në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup.
Ndryshime ka pasur edhe në Klinikën Universitare të Kardiologjisë, ku drejtoresha e re është Danica Petkoska Spirova. Ajo është një kardiologe subspecialiste në ekokardiografinë e avancuar transtorakale dhe transezofageale, si dhe ekosonografinë dupleks të arterieve karotide. Ajo u diplomua në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup në vitin 2007 dhe mori doktoraturën në fushën e teknikave invazive për trajtimin e sëmundjes së arteries karotide.
Që nga viti 2011, ajo është punësuar në Klinikën e Kardiologjisë, ku zbaton aftësitë e saj diagnostikuese dhe terapeutike. Ajo ka publikime të shumta shkencore dhe është pjesëmarrëse në studime shkencore ndërkombëtare në fushën e kardiologjisë.
Ministria për Shëndetësi pasdite njoftoi se në Klinikën Universitare për Toksikologji, si u.d. drejtor është emëruar Dr. Argjend Imeri, në vend të Dr. Andon Çibishev; ndërsa në Institutin Universitar për Biokimi Klinike, si u.d. drejtoreshë është emëruar Dr. Mimoza Bafqari-Bakiji, në vend të Dr. Nikolina Grazhdanovska.
Drejtuesit e sapo emëruar do ta ushtrojnë këtë funksion duke filluar nga data 7.8.2025.
Fatmir Mexhiti, kuadër i Aleancës për Shqiptarët ishte ministër i Shëndetësisë nga shkurti i vitit 2023 deri në shkurt të vitit 2024.
Derisa ushtronte funksionin e drejtorit të Neurologjisë ai akuzohet se ka qenë i angazhuar edhe me honorar në Ministrinë e Shëndetësisë, e cila e emëroi atë si drejtor, ndërsa honorari i tij mujor ka qenë 60 mijë denarë, tregojnë kështu dokumentet të cilat i ka siguruar “Slloboden Peçat”. Nga kontrata nuk mund të kuptohet se çfarë punësh ka bërë Mexhiti për këtë honorar, por mund të kuptohet se detyrat e punës për Ministrinë e Shëndetësisë është dashur t’i kryejë çdo ditë. Të dhënat nga “financat e hapura” tregojnë se deri në muajin dhjetor të vitit 2024 paratë në vlerë prej 1.000 eurosh nga Ministria e Shëndetësisë i janë transferuar çdo muaj.