Klasa e 28-të e kadetëve bëri betimin solemn, Misajllovski: Jeni potencial i çmuar i ushtrisë

Sot u bë betimi solemn i klasës së 28-tët të kadetëve. Ministri i Mbrojtjes, Vlado Misaillovski, theksoi rëndësinë e përkushtimit në profesionin ushtarak gjatë betimit në Akademinë Ushtarake “Gjeneral Mihailo Apostolski”. Ai uroi kadetët që karrierën e tyre ta dedikojnë për Ushtrinë dhe qytetarët, duke i inkurajuar të përballen me sfidat e ardhshme me motivim dhe përkushtim, transmeton Portalb.mk.

Këtë vit, në klasën e 28-të janë regjistruar 33 kadetë, përfshirë 25 nga Maqedonia e Veriut, 5 nga Bosnja dhe 3 nga Mali i Zi.

“Ju uroj për zgjedhjen tuaj, që karrierën tuaj ta dedikoni për Ushtrinë, por mbi të gjitha për qytetarët dhe shtetin. Edhe ju, edhe ne së bashku me ju fillojmë një kapitull të ri në jetën tuaj”, theksoi ministri i Mbrojtjes, Vlado Misaillovski.

Klasa e 28-të e kadetëve bëri betimin solemn. Foto: Ministria e Mbrojtjes

Në betimin solemn ishin të pranishëm presidentja dhe komandanti supreme e Ushtrisë, Gordana Siljanovska Davkova, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjeneral-major Sashko Lafçinski, zëvendësministrja e Mbrojtjes, Elfet Ismaili, dekani i Akademisë Ushtarake, kolonel Mite Bogdanovski, si dhe mysafirë të tjerë nga korpusi ushtarak dhe diplomatik, ushtria dhe Ministria e Mbrojtjes, si dhe të afërm të kadetëve.

Ministri Misajllovski theksoi se kadetët fillojnë një kapitull të ri të jetës së tyre në institucionin që ka besimin më të madh nga qytetarët. Ai shtoi se hapat e tyre të parë janë në Akademinë Ushtarake, një institucion arsimor shumë i respektuar, nga i cili janë diplomuar shumë oficerë cilësorë që kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë në afirmimin dhe zhvillimin e Ushtrisë së Maqedonisë.

Vllado Misajllovski në betimin solemn të kadetëve. Foto: Ministria e Mbrojtjes

Misaillovski u uroi mirëseardhjen kadetëve nga Mali i Zi dhe Bosnja, dhe të gjithë i inkurajoi: “Gjatë katër viteve të ardhshme, përgatituni dhe përkushtohuni për të mësuar sekretet e profesionit ushtarak, për t’u specializuar në një fushë që është specifike dhe karakteristike për standardet, profesionalizmin, disiplinën dhe, më e rëndësishmja, bashkëpunimin. Së bashku, në katër vitet e ardhshme, do të mësoni, do të trajnoheni dhe do të kontribuoni në zhvillimin e bashkëpunimit tonë. Sot si kadetë, e nesër si oficerë të Ushtrisë që kujdesen për sigurinë e qytetarëve të tyre, shembuj të suksesit, shembuj të gatishmërisë, që do t’i përballoni sfidat që na presin,” theksoi ministri Misajllovski.

“Ju, kadetët, jeni e ardhmja, ju jeni potenciali i çmuar i ushtrisë m. Ju presin studime të vështira, por edhe interesante në një akademi solide. Gjatë këtyre gati tri dekadave, Akademia Ushtarake ‘Mihailo Apostolski’ është shndërruar në një institucion të respektuar, të njohur në nivelin rajonal, por edhe më gjerë. Ne kemi detyrimin të vazhdojmë të punojmë për zhvillimin dhe përparimin e saj”, tha presidentja dhe komandantja supreme e Ushtrisë, Gordana Siljanovska Davkova.

Gordana Siljanovska Davkova në betimin solemn të kadetëve. Foto: Ministria e Mbrojtjes

Në këtë ceremoni, foli edhe dekani i Akademisë Ushtarake, kolonel Mite Bogdanovski, i cili tha: “Betimi juaj jo vetëm që ju obligon, por gjithashtu ju hap rrugën drejt një jete të mbushur me sfida, por edhe me mundësi të çmuara. Profesioni ushtarak nuk është i lehtë, por është fisnik dhe i mbushur me dinjitet. Kjo është një rrugë që duhet ta kaloni për t’u bërë liderë, jo vetëm në Ushtri, por edhe liderë në Aleancën e NATO-s.”

Këtë vit, në Akademinë Ushtarake “Gjeneral Mihailo Apostolski“, si pjesë e klasës së 28-të janë regjistruar 33 kadetë, nga të cilët 25 nga Maqedonia e Veriut (19 burra dhe 6 gra), 5 kadetë nga Bosnja dhe Hercegovina dhe 3 kadetë nga Mali i Zi.

Armata e Maqedonisë së Veriut (ARM)Gordana Siljanovska DavkovaMinistria e Mbrojtjes (MM)NATONATO - MaqedoniVllado Misajllovski