Kaosi me dokumentet personale në RMV nxiti nisma në Kushtetuese për shkelje të të drejtave qytetare

Kaosi që ka përfshirë të gjithë qytetarët e RMV-së për ndërrimin e dokumenteve personale gjatë kësaj jave mori drejtim tjetër. Përveç revoltës së madhe qytetare dhe reagimeve nga OJQ-të e ndryshme gjatë këtyre ditëve në Gjykatën Kushtetuese janë dorëzuar pesë nisma për letërnjoftimet, patentë shoferët dhe pasaportat dhe po aq lëndë janë formuar tashmë. Nismat i referohen periudhës së dhënies së këtyre dokumenteve, pra kohëzgjatjes së tyre, sepse disa kanë ende afat. Situatën e komplikon edhe më shumë fakti se edhe 2 vite pas ratifikimit të MArrëveshjes së Prespës, MPB vazhdoi të lëshojë dokumente me emrin e vjetër të shtetit. Ndërkohë VMRO-DPMNE paditi ish ministrin e Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, shkruan Portalb.mk.

Pas situatës kaotike për ndërrimin e dokumenteve me emrin e ri të vendit, në Gjykatën Kushtetuese kanë vërshuar nismat për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të qytetarëve. Avokati strugan Gligor Qato thotë për Portalb.mk se dorëzoi nismë në Kushtetuese për të kërkuar përgjegjësi nga MPB-ja se pse edhe pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Prespës, qytetarëve iu lëshuan letërnjoftime dhe pasaporta me emrin e vjetër, edhe pse e dinin se duhet t’i lëshonin me emrin e ri.

Gligor Qato – avokat

“Ashtu si një pjesë e madhe e qytetarëve të Maqedonisë, edhe unë u habita nga situata kaotike me dokumentet personale në vend, e shkaktuar nga sjellja e papërgjegjshme e politikanëve tanë. Prandaj, më 12 shkurt 2024, kam paraqitur kërkesë në Gjykatën Kushtetuese të RMV-së për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave në përputhje me nenin 110, paragrafi 3 i Kushtetutës. Në kërkesë deklaroj se një vit pas hyrjes në fuqi ligjore të “Marrëveshjes së Prespës” kam paraqitur kërkesë në MPB për lëshimin e pasaportës dhe më shumë se dy vjet pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes kam paraqitur kërkesë për lëshimin e letërnjoftimit. Letërnjoftimin dhe pasaportën mi kishin nxjerrë me emrin e vjetër, megjithëse MPB e dinte ose duhej ta dinte që këto dokumente duhej të lëshoheshin me emrin e ri. Po ashtu, nga MPB-ja me një njoftim zyrtar më datë 11.02.2024 (një ditë para skadimit të afatit) jemi njoftuar se është dashur të ndërrohen patentë shoferi dhe patentë trafiku. Me veprime të tilla të Ministrisë së Brendshme më është vështirësuar ndjeshëm e drejta e garantuar kushtetuese për lëvizje të lirë brenda dhe jashtë vendit, e parashikuar nga neni 27 i Kushtetutës”, deklaroi Qato.

Qato shprehet se ndihet i diskriminuar sa i përket shfrytëzimit të së drejtës së garantuar kushtetuese për lëvizje të lirë brenda dhe jashtë vendit në përputhje me nenin 27 të Kushtetutës.

I pyetur nga Portalb.mk nëse shpreson se nisma e tij do të shqyrtohet duke pasur parasysh situatën aktuale të gjyqësorit në vend, avokati shprehet optimist duke shtuar se nismat e tilla janë vetëm një nga mënyrat me të cilat qytetarët mund të ruajnë dinjitetin e tyre, dhe më tej të kërkojnë kompensim për rrezikimin e të drejtave të tyre të shkaktuar nga shteti i tyre.

“Besoj se nisma si kërkesë themelore do të shqyrtohet sepse Gjykata Kushtetuese momentalisht punon me përbërje të plotë. Nëse Gjykata Kushtetuese vendos bazë diskriminuese në bazë të këtij vendimi, kompensimi i dëmit mund të kërkohet nga MPB”, u shpreh Gligor Qato.

Nga ana tjetër, në një prononcim për media kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Dobrilla Kacarska tha se qytetarët duhet ta dinë se liria e lëvizjes nuk është kompetencë e Gjykatës Kushtetuese.

“Pikërisht këtu do të theksoja se tani politikanët, shpresoj, do ta kuptojnë pse unë kam qenë mbështetës i fortë i futjes së padisë kushtetuese për dy vjet e gjysmë. Nëse do ta kishim këtë, një padi kushtetuese, atëherë qytetarët do të mund t’i drejtoheshin Gjykatës Kushtetuese për çdo kërkesë të tyre, për çdo liri dhe të drejtë që u garantohet me Kushtetutë. Shpresoj se tani do ta kuptojnë pa më kritikuar pse kam kërkuar ndryshim të Kushtetutës, gjegjësisht zgjerim të autoritetit të saj”, theksoi Dobrilla Kacarska.

Keq-menaxhimi institucional me procesin e ndërrimit të dokumenteve personale bëri që qindra mijëra shtetas të RMV-së të revoltohen, të diskriminohen dhe të mbeten nëpër labirinte administrative të panevojshme. Edhe pse autoritetet qeveritare në vitin 2018 deklaruan se ndërrimi i dokumenteve nuk do të jetë kosto shtesë në kurriz të qytetarëve në fakt qytetarët jo vetëm që u detyruan ti paguajnë dokumentet e reja por edhe me çmime më të larta. Në mars të vitit të kaluar, letërnjoftimi prej 190 denarë është shtrenjtuar 310 denarë. Pasaporta për personat mbi 27 vjeç nga 1.500 në 2.000 denarë, ndërkaq patenta e shoferit prej 280 në 410 denarë.

“Sa i përket shpenzimeve, ajo që mund të themi për momentin është se jo të gjitha dokumentet e udhëtimit do të ndërrohen brenda një dite, dokumentet e udhëtimit do të ndërrohen pasi tu skadon afati. Kjo do të thotë se ato shpenzime në lidhje me dokumentet e udhëtimit do të jenë në drejtim të shpenzimeve të rregullta për sigurimin e dokumenteve të udhëtimit që i kanë qytetarët e Republikës së Maqedonisë. Për të gjitha kostot e tjera aktualisht po bëhet një analizë, ekziston mundësia që ato të paketohen në mënyra që qytetarët e R. Maqedonia nuk do të ndjejë asnjë kosto shtesë”, tha zëdhënësi i atëhershëm i qeverisë Mile Boshnjakovski, më 14 qershor 2018.

Problemin në kurriz të qytetarëve e bënë edhe më të madh fakti se MPB vazhdoi të lëshojë dokumente me emrin e vjetër të shtetit edhe pas ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës. Për dy vite me radhë, 2019 deri më 2021, MPB i ka pajisur qytetarët me dokumente me emrin e vjetër të shtetit edhe pse Marrëveshja e Prespës thekson se dokumentet duhet të rinovohen në përputhje me emrin e ri dhe kushtet e specifikuara në nenin 1, paragrafi 3 i Marrëveshjes, jo më vonë se pesë vjet pas hyrjes në fuqi. Duke pasur parasysh se Marrëveshja ka hyrë në fuqi në shkurt 2019, dokumentet duhet të ndryshojnë në shkurt të vitit 2024.

Patentë shoferi dhe pasaportë. Foto: Meta.mk

Me kalimin e kohës në vend të rregullohet kaosi po thellohet edhe më shumë. Më 12 shkurt krejt papritur Qeveria gjithashtu njoftoi se nuk do lejohet lëvizja brenda vendit me patentë shoferi me emrin e vjetër të shtetit. Më pas ky vendim u ndryshua dhe u tha se afati për ndryshimin e patentave të shoferit është zgjatur deri në fundit të këtij viti duke shtuar se se ndërrimi i librezës së trafikut dhe patentë shoferëve do të jetë falas për qytetarët. Ndaj këtij vendimi reaguan nga Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi (KPMD) dhe ju bën thirrje institucioneve që të marrin masa për të siguruar trajtim të barabartë të të gjithë qytetarëve në procedurat për ndryshimin e dokumenteve të vlefshme me emrin e ri të shtetit. KPMD konsideron se qytetarët që kanë ndryshuar dokumente të vlefshme me emrin e ri të shtetit dhe kanë paguar për to po trajtohen në mënyrë të pabarabartë.

VMRO-DPMNE ngriti padi penale ndaj ish ministrit Oliver Spasovski

Opozita maqedonase parashtroi padi penale në Prokurorinë Publike kundër ish ministrit të Brendshëm Oliver Spasovski për kaosin e krijuar me dokumentet personale. Sipas VMRO-DPMNE-së, Spasovski është përgjegjësi kryesor pasi për një periudhë të gjatë vite ka lejuar pajisjen e qytetarëve me dokumente edhe pse e ka ditur se nuk do të jenë të vlefshëm pas 12 shkurtit.

“VMRO-DPMNE-ja parashtroi padi penale në Prokurorinë Publike ndaj personit Oliver Spasovski, i cili si ish ministër i Punëve të Brendshme është personalisht dhe në mënyrë direkte përgjegjës për kaosin me dokumentet personale. Oliver Spasovski në një periudhë prej 2 vite e gjysmë ka dhënë dokumente personale të cilat e ka ditur se vlefshmëria e tyre nuk do të jetë I bazuar në afatin e vendosur në dokumente, por vlefshmëria e tyre do të ndërpritet në 12 shkurt të vitit 2024. Përkatësisht nga 12 shkurti i vitit 2019 deri kah mesi I vitit 2021 me vetëdije me dhënien e dokumenteve të tilla ka dëmtuar dhjetëra mijëra qytetarë. Me këtë sjellje 2 vite e gjysmë ka shkaktuar huti në opinion”, tha Igor Janushev, VMRO-DPMNE.

Komiteti i Helsinkit: Po shkelen të drejtat e qytetarëve në RMV

Ditë më parë për situatën me dokumentet personale në RMV reagoi edhe Komiteti i Helsinkit. Sipas tyre një numër i madh i qytetarëve deri më 13 shkurt nuk arritën të pajisen me dokumente të reja udhëtimi, ndërsa me dokumente të vjetra udhëtimi do të mbeten edhe shumë qytetarë të Maqedonisë që janë jashtë vendit dhe nuk do të mund të kthehen në atdhe. Kjo, shtojnë nga Komiteti, paraqet shkelje e të drejtës së lëvizjes, diçka që është e garantuar me Kushtetutë, dhe bëri thirrje që MPB-ja të gjejë zgjidhje.

“Disa janë bllokuar në vendin e tyre dhe të tjerët nuk do të mund të kthehen. Një çorganizim i tillë prek mijëra bashkëqytetarë tanë dhe çon në shkelje elementare të të drejtave të qytetarëve të cilët për arsye të ndryshme duhet të largohen nga kufijtë e shtetit. Procedurat për nxjerrjen e dokumenteve personale në këtë moment janë të gjata, kaotike dhe përveç cenimit të dinjitetit, shkaktojnë dëme reale të natyrës materiale dhe jomateriale”, thonë nga Helsinki.

Komiteti i Helsinkit konsideron se institucionet e shtetit sillen jashtëzakonisht në mënyrë poshtëruese ndaj qytetarëve të tyre, jo vetëm për shkak të kaosit rreth nxjerrjes së dokumenteve, por edhe në lidhje me shkeljen e të drejtave kushtetuese të qytetarëve. “Qeveria do t’ua pamundësojë largimin dhe kthimit të një pjese të qytetarëve në shtet, gjë që padyshim do të cenojë të drejtën e tyre kushtetuese për lirinë e lëvizjes (neni 27 paragrafi 2 i Kushtetutës së RMV-së), sepse shteti realisht nuk mund të thirret në asnjë shkak me kushtetutë për kufizimin e kësaj të drejte. Si pasojë e kësaj situate rreth një milion qytetarë nuk do të mund të gëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe themelore njerëzore për lëvizjen e lirë. Kjo e drejtë themelore e njeriut, që nënkupton dalje dhe hyrje të lirë në vend, është e kufizuar për arsye teknike që nuk ofrohen nga shteti dhe institucionet kompetente.

Ndryshe, të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut kishin afat për ndryshimin e dokumenteve personale deri më 13 shkurt të këtij viti. Pas kësaj date, tani qytetarët me pasaporta të vjetra nuk mund të udhëtojnë jashtë vendit. Ndryshimi i dokumenteve buron nga Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë më 17 qershor 2018, e cila u dha fund mospajtimeve të kamotshme mes dy shteteve.

LEXO: Qytetarët që janë fotografuar për pasaporta në “Prolet” dhe “RTVM” do të marrin SMS kur të jenë gati

Dokumente personaleGjykata Kushtetuese RMVMarrëveshja e Prespës (me Greqinë)Ministria e Punëve të Brendshme (MPB)