Ministria e Punëve të Brendshme sot (12 korrik) ka bërë kallëzim penal ndaj ish ushtrueses së detyrës drejtoreshë organizative e Klinikës Universitare për Toksikologji Besija Iljazi (29) nga Tetova, për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”, të parashikuar dhe të dënueshme nga neni 353 paragrafi 3 dhe paragrafi 1 të Kodit Penal, raporton Portalb.mk.
Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski njoftoi se B.I. në cilësinë ushtrueses së detyrës drejtoreshë organizative e Klinikës Universitare për Toksikologji, duke tejkaluar kompetencat e saj zyrtare në periudhën kohore prej datës 14.02.2024 deri më 24.06.2024, dhe me qëllim të përfitimit pasuror të kundërligjshëm për 17 persona, më datë 15.05.2024 ka lidhur 15 kontrata në vepër me 15 persona të punësuar në Klinikën Universitare për Toksikologji (dhe persona të tjerë pa bazë ligjore të rregulluar për prezencën e tyre në klinikë).
“Pas së cilës, në mënyrë retroaktive, për personat e pretenduar të punësuar, për muajt prill dhe maj 2024 ka lëshuar dy urdhërpagesa dhe ka kryer pagesën mujore të kompensimit për punën e pretenduar në shumë prej 659.781 denarë duke përfshirë edhe tatimin në të ardhura personale”, informoi Toshkovski i cili i shtoi se pagesat janë bërë në mënyrë të kundërligjshme.
Në lidhje me këtë rast, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka hapur lëndë për kontroll të të dhënave për gjendjen pronësore dhe interesave të Besija Iljazi.
Besija Ilazi së bashku me shumë drejtorë organizativ të tjerë u shkarkuan nga pozita e drejtorëve organizativ, pasi Qeveria e RMV-së e largoi këtë funksion.
- LEXO: Komisioni antikorrupsion në Maqedoninë e Veriut ka hapur lëndë për drejtoreshën Iljazi
- LEXO: Drejtoresha e Toksikologjisë ndaloi kontaktin e punonjësve me gazetarët dhe mediat, ShGM: Dënojmë censurën
- LEXO: RMV, Inspektorati Sanitar do të ndalojë personat me kontratë të skaduar të punojnë në Toksikologji