Drejtoria e Policisë Financiare ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup kundër Marko Bislimovskit, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit Rregullator për Energjitikë (KRRE) në Republikën e Maqedonisë së Veriut, për shkak të ekzistencës së bazave për dyshim për kryerjen e veprës penale “Shfrytëzim i pozitës dhe kompetencave zyrtare” sipas nenit 353 paragrafi 4 në lidhje me paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut, raporton Portalb.mk.
I kallëzuari M.B., në cilësinë e Kryetarit të Komisionit Rregullator për Energjitikë, Shërbime Ujore dhe Shërbime për Menaxhimin e Mbetjeve Komunale, ka keqpërdorur pozitën dhe kompetencat e tij zyrtare, në mënyrë që, në kundërshtim me Ligjin për Energjitikë dhe Rregulloren për Licencat, edhe pse ishte i detyruar të fillonte procedurën për heqjen e licencës për kryerjen e aktivitetit të energjisë, tregtimin e derivateve të naftës ndaj personit juridik TRITEROL PETROL DOOEL Shkup, për shkak të mosplotësimit të kushteve të përcaktuara ligjore, ka nxjerrë vendim të paligjshëm për ndërprerjen e procedurës.
“Në vend që licenca të hiqej më 15.01.2024, ajo u hoq vetëm më 14.04.2025, duke i mundësuar kompanisë që në mënyrë të kundërligjshme të vazhdojë aktivitetin energjetik për 15 muaj pas skadimit të kushteve ligjore dhe të marrë pjesë dhe të lidhë kontrata për prokurime publike”, tha Policia Financiare.
Siç thonë nga Policia Financiare, me veprimet e mësipërme, Bislimovski ka shkelur rregulloret që ishte i detyruar të zbatojë dhe i ka mundësuar personit juridik TRITEROL PETROL DOOEL Shkup të realizojë një qarkullim total prej 194.520.962 denarësh dhe të përfitojë dobi të paligjshme materiale në shumën prej 14.093.576 denarë.