Jeton në Gjermani por shkruan në shqip, Milot Slemani: Kjo është gjuha ku emocionet marrin formë më të natyrshme, letërsia nuk njeh kufij administrativë

Milot Selmani është poet shqiptar nga Maqedonia e Veriut, i cili prej vitesh jeton dhe vepron në Gjermani, por vazhdon të krijojë në gjuhën shqipe. Largësia nga vendlindja, malli, dashuria, humbja dhe ndjeshmëria njerëzore janë disa nga temat që zënë vend të rëndësishëm në poezinë e tij. Në një bisedë për Portalb.mk, Selmani foli për librin e tij “Poet i mallkuar”, për barrën e ndjeshmërisë që e shoqëron krijuesin, për dashurinë si burim frymëzimi dhe dhimbjeje, si dhe për dallimin mes emocionit të çastit dhe poezisë së mirëfilltë.

Portalb.mk: Jeton në Gjermani, por shkruan edhe në shqip. Si poet shqiptar nga Maqedonia e Veriut, si ka ndikuar kjo në krijimtarinë tënde?

Milot Selmani: Të jetosh larg vendlindjes të ndryshon në shumë mënyra, por për mua nuk e ka ndryshuar gjuhën me të cilën ndiej. Gjuha Shqipe mbetet gjuha ku emocionet e mia marrin formën më të natyrshme. Edhe pse jetoj në Gjermani, frymëzimi im vazhdon të ushqehet nga kujtimet, njerëzit, rrënjët dhe përjetimet që më kanë formësuar si njeri. Fakti që jam shqiptar nga Maqedonia e Veriut më ka dhënë një këndvështrim të veçantë mbi jetën. Kam mësuar ta shoh botën si nga afër, ashtu edhe nga larg, dhe kjo pasqyrohet në poezitë e mia. Mërgimi më ka mësuar se largësia nuk të shkëput nga identiteti, përkundrazi, shpesh ta forcon lidhjen me të. Përpiqem të shkruaj poezi që nuk i përkasin vetëm një vendi, por çdo njeriu që ka dashur, ka humbur, ka shpresuar apo ka vuajtur. Besoj se letërsia i kapërcen kufijtë, ndërsa gjuha Shqipe mbetet ura që më lidh gjithmonë me origjinën time.

Portalb.mk: Titulli “Poet i mallkuar” tingëllon si një rrëfim personal. Kush apo çfarë e ka “mallkuar” poetin Milot Selmani?

Milot Selmani: Titulli “Poet i mallkuar” nuk flet për një mallkim në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Ai është një metaforë për barrën që shpesh mban një poet. Besoj se poeti është “i mallkuar” sepse ndien më shumë se të tjerët. Ai nuk e ka luksin t’i shpëtojë dhimbjes, zhgënjimit apo kujtimeve por përkundrazi, i përjeton ato më thellë dhe i kthen në vargje. Në një farë mënyre, më ka “mallkuar” ndjeshmëria. Çdo përjetim, qoftë i bukur apo i hidhur, gjen rrugën drejt letrës. Ka momente kur do të doja të mos i ndieja gjërat kaq fort, por ndoshta pikërisht aty lind poezia. Prandaj, për mua, “Poet i mallkuar” nuk është një titull pesimist. Është pranimi se krijimtaria ka një çmim: të jetosh me zemrën gjithmonë të hapur, edhe kur kjo të lëndon. Dhe mendoj se çdo poet, në një mënyrë ose në një tjetër, e njeh këtë ndjenjë.

Portalb.mk: Në poezitë e tua dashuria shpesh duket e dhimbshme. Beson ende në dashurinë e madhe apo poezia jote ushqehet nga zhgënjimi?

Milot Selmani: Besoj ende në dashurinë e madhe. Nëse nuk do të besoja në të, ndoshta nuk do të shkruaja më për të. Por besoj gjithashtu se dashuria e vërtetë nuk është vetëm lumturi, ajo sjell edhe sakrificë, pritje, humbje dhe dhimbje. Pikërisht këto e bëjnë kaq të fuqishme. Është e vërtetë që shumë nga poezitë e mia lindin nga dhimbja, sepse dhimbja i shtyn njerëzit të reflektojnë më thellë. Megjithatë, ato nuk ushqehen nga zhgënjimi, por nga përpjekja për t’i dhënë kuptim asaj që kemi përjetuar. Për mua, poezia nuk është vendi ku dhimbja mbetet peng por është vendi ku ajo shndërrohet në art. Në fund, unë nuk shkruaj vetëm për ata që kanë humbur një dashuri. Shkruaj edhe për ata që ende besojnë se, pavarësisht plagëve, zemra ka gjithmonë guximin të dashurojë përsëri.

Portalb.mk: Sot shumë njerëz publikojnë vargje në rrjetet sociale dhe quhen poetë. Ku përfundon emocioni i çastit dhe ku fillon poezia e vërtetë?

Milot Selmani: Mendoj se rrjetet sociale i kanë dhënë shumë njerëzve guximin të shkruajnë, dhe kjo është diçka pozitive. Çdo poezi fillon nga një emocion i sinqertë, prandaj nuk besoj se dikush duhet gjykuar vetëm sepse publikon vargjet e tij në internet. Megjithatë, emocioni i çastit nuk mjafton gjithmonë për të krijuar poezi. Poezia e vërtetë fillon aty ku ndjenja takohet me mjeshtërinë, me punën, me aftësinë për ta kthyer një përjetim personal në diçka ku mijëra njerëz mund ta gjejnë veten. Nuk është vetëm ajo që ndien poeti, por mënyra se si arrin ta bëjë edhe lexuesin ta ndiejë. Në fund, nuk është koha ajo që vendos se kush është poet, as numri i pëlqimeve në rrjetet sociale. Është vlera e fjalës, sinqeriteti dhe aftësia që vargjet të mbeten në mendjen dhe zemrën e lexuesit edhe pasi libri mbyllet apo ekrani fiket.

Portalb.mk: Si poet shqiptar nga Maqedonia e Veriut, a mendon se krijuesit shqiptarë nga vendi ynë marrin hapësirën dhe vlerësimin që meritojnë, apo vazhdojnë të mbeten në periferi të skenës letrare shqiptare?

Milot Selmani: Besoj se në Maqedoninë e Veriut ka shumë krijues shqiptarë me talent dhe me vepra që meritojnë më shumë vëmendje. Fatkeqësisht, jo gjithmonë vlera ecën paralel me promovimin. Shpesh ka autorë që punojnë në heshtje, krijojnë me përkushtim dhe megjithatë nuk marrin hapësirën që meritojnë. Megjithatë, unë besoj se letërsia nuk njeh kufij administrativë. Një vepër e mirë nuk duhet të vlerësohet nga vendi prej nga vjen autori, por nga forca që ka për të prekur lexuesin. Prandaj do të doja të shihja më shumë bashkëpunim mes institucioneve, shtëpive botuese dhe aktiviteteve letrare në të gjitha trojet shqiptare, në mënyrë që autorët të kenë mundësi të barabarta për t’u lexuar dhe vlerësuar. Nga ana ime, përpiqem që përmes punës dhe krijimtarisë sime të jem një përfaqësues i denjë i shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut. Besoj se suksesi i një autori nuk është vetëm sukses personal, por edhe një dritare që hapet për krijuesit e tjerë që vijnë pas tij.

Portalb.mk: Si e sheh artin e shkruar sot në trojet shqiptare, po shenon regres, ka ngecur ne vend, apo po perparon?

Milot Selmani: Mendoj se arti i shkruar në trojet shqiptare është në një periudhë ndryshimi. Nga njëra anë, sot shkruhet më shumë se kurrë dhe teknologjia u ka dhënë mundësi shumë autorëve të arrijnë te lexuesi pa pengesa. Kjo është një zhvillim pozitiv. Nga ana tjetër, sasia nuk duhet ngatërruar me cilësinë. Shpejtësia me të cilën publikohet sot shpesh lë më pak hapësirë për përpunimin, vetëkritikën dhe durimin që kërkon letërsia e mirë. Një vepër e mirë nuk lind vetëm nga frymëzimi, por edhe nga puna e vazhdueshme mbi fjalën. Prandaj nuk do të thosha se arti i shkruar është në regres, por as se ka arritur kulmin e tij. Besoj se është në zhvillim. Ka autorë të rinj me talent, ka zëra të rinj që po sjellin këndvështrime të freskëta dhe kjo më jep shpresë për të ardhmen. Në fund, koha do të jep përgjigjen më të saktë, koha do të ndajë veprat që i përkasin momentit nga ato që do të mbeten pjesë e letërsisë.

IntervistëKultura shqiptareKulturë lajmePoet(e)