Irani ka zgjeruar listën e anijeve për të cilat konsideron se nuk respektojnë rregullat dhe që mund të përballen me gjoba, konfiskim ose ndalim nëse tentojnë të lundrojnë nëpër ngushticën e Hormuzit. Teherani njoftoi se ka futur në listën e zezë 45 cisterna që kanë shkelur rregullat e tij të lundrimit në ngushticën e Hormuzit dhe se do të marrë masa ndaj të gjitha anijeve që transportojnë ngarkesa, duke përshkallëzuar kërcënimet e tij përmes kësaj rruge ujore strategjike, gjashtë muaj pas fillimit të luftës që nisi me sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, raporton Reuters.
Në një përditësim në faqen e internetit të Administratës së Ngushticës së Gjirit Persik (PGSA), një organ i krijuar nga Irani për menaxhimin e ngushticës, janë shtuar edhe 11 anije të tjera, duke e çuar numrin total të anijeve në listën e zezë në 56. Burime nga industria e transportit detar thanë se përditësimi është bërë gjatë 24 orëve të fundit.
Lista e kufizuar përfshin shumë supercisterna për transportin e naftës bruto, cisterna për gaz natyror të lëngshëm dhe gaz të lëngshëm të naftës, si dhe anije për transportin e produkteve të rafinuara.
„Çdo anije që bashkëpunon me anijet e listuara do të shtohet në listë“, njoftoi PGSA në faqen e saj të internetit. Për të kërkuar heqjen nga lista, anijet duhet të paraqesin një kërkesë zyrtare me arsyetimet përkatëse.
Disa nga anijet e emëruara më parë ishin në pronësi të ADNOC Logistics and Shipping nga Emiratet e Bashkuara Arabe, degës së ADNOC-së, Navig8 Tankers, si dhe kompanisë kombëtare saudite të transportit detar, Bahri.
Pas publikimit të listës së parë të cisternave në listën e zezë, të paktën tri rafineri indiane të naftës dhe një gjigant global i energjisë planifikuan të ndalonin përdorimin e këtyre anijeve për arsye sigurie, thanë burime të njohura drejtpërdrejt me çështjen për Reuters në fund të gushtit.
Kufizimet ka të ngjarë të pengojnë më tej përpjekjet për eksportin e naftës përmes ngushticës, përmes së cilës para luftës kalonte rreth 20% e transportit global të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm. Që nga fillimi i luftës, trafiku është ulur ndjeshëm dhe aktualisht është përqendruar kryesisht në një numër të vogël anijesh.
SHBA-ja vendosi sanksione ndaj PGSA-së në maj, duke e komplikuar çdo bashkëpunim me këtë organ. Çdo angazhim financiar ose pagesë tarifash ndaj PGSA-së mund të çojë në ngrirjen e mjeteve nga Departamenti amerikan i Thesarit.