Intervistë: Shqipe Vela në top 10 gratë më me ndikim sipas Reuters, shqiptarja që ndryshon ‘lojën’ në energjetikë

Agjencia prestigjioze Reuters ka publikuar listën “Trailblazing Women 2025”, ku përzgjedhen gratë që udhëheqin ndryshime të rëndësishme në sektorët e tyre përmes ndikimit, inovacionit dhe lidershipit. Në këtë listë është përfshirë edhe shqiptarja Shqipe Neziri Vela, e renditur ndër 10 gratë më të spikatura në nivel botëror në sektorin e energjisë. Shqipe Vela është vlerësuar për udhëheqjen dhe ndikimin e saj në qeverisjen e burimeve natyrore, promovimin e transparencës, si dhe avancimin e praktikave të qëndrueshme në industrinë e energjisë dhe minierave. Në një bisedë për Portalb.mk, ajo foli për burimet natyrore dhe shumëçka tjetër.

Portalb.mk: Reuters ju renditi në Top 10 gratë më të spikatura në energji në botë. Çfarë keni bërë konkretisht që e bindi një agjenci të tillë se ndikimi juaj është “global”, jo thjesht profesional?

Shqipe Neziri Vela: Ky vlerësim ishte një moment reflektimi dhe mirënjohjeje, si personalisht ashtu edhe profesionalisht. E konfirmon rëndësinë e punës së vazhdueshme për transparencë, barazi gjinore dhe zhvillim të qëndrueshëm në sektorin e energjisë dhe burimeve natyrore, që shpesh shihet si i vështirë për gratë dhe i mbyllur ndaj ndryshimeve. Ky vlerësim nuk është vetëm një njohje individuale, por edhe një pasqyrë e punës kolektive dhe e rrjeteve që punojnë për një sektor më të hapur dhe gjithëpërfshirës.

Procesi i nominimit nga Reuters është i hapur dhe shumë konkurrues. Të nominuarat vlerësohen për ndikimin real, integritetin dhe vizionin që sjellin në sektor. Fakti që në listë ishin gra nga Mbretëria e Bashkuar, SHBA, Franca, India, Portugalia, që përfaqësonin kompani dhe organizata ndërkombëtare, e bën këtë njohje edhe më të rëndësishme.

Ndikimi “global” lidhet me natyrën e punës sime në Sekretariatin Ndërkombëtar të EITI-së në Norvegji, ku udhëheq iniciativa që zbatojnë praktika të mira qeverisëse në mbi 55 shtete të pasura me burime natyrore. Kjo punë ka efekt të drejtpërdrejtë në mënyrën se si qeveritë, kompanitë dhe shoqëria civile menaxhojnë naftën, gazin dhe mineralet, burime që prekin miliona njerëz. Njëkohësisht, jam anëtare e organizatave dhe rrjeteve të ndryshme ndërkombëtare, siç është rrjeti i ekspertëve anti-korrupsion i Transparency International, si dhe i rrjetit të grave eksperte të energjisë, përkrahur nga Ministria Gjermane e Ekonomisë dhe e Klimës; metore për vajza dhe gra nga vende të ndryshme (Kosovë, Sudan, Gjermani, Afrikë e Jugut, Keni), si dhe udhëheqëse e rrjetit Gratë në Energji dhe Miniera. Më herët kam punuar për Departamentin e Shtetit Amerikan, UNDP-në dhe Bankën Botërore, në menaxhimin e projekteve në sektorët e qeverisjes së mirë dhe të energjisë.

Në plan personal, kjo njohje më inkurajon të vazhdoj të krijoj hapësira për gratë dhe vajzat që duan të kenë ndikim në energji dhe miniera, duke i lidhur iniciativat lokale me ato globale dhe duke punuar për ndryshim afatgjatë.

Foto nga arkivi personal i Shqipe Vela Nezirit. Foto: Shqipe Vela Neziri

Portalb.mk: Kur flitet për energji dhe miniera, shpesh flitet për “zhvillim”, por rrallë për pasoja. A keni pasur ndonjë rast kur keni thënë: “Kjo s’duhet të ndodhë”, edhe pse ishte e ligjshme?

Shqipe Neziri Vela: Sektori i energjisë dhe i minierave është ndër më fitimprurësit për shtetet me burime natyrore, por njëkohësisht edhe ndër më kompleksët për nga pasojat sociale dhe mjedisore. Gjatë karrierës sime kam hasur raste ku diçka ishte ligjore, por thellësisht problematike për interesin publik.

Në vende si Kosova dhe Maqedonia e Veriut, ku burimet natyrore janë motor zhvillimi, mungesa e transparencës dhe kapacitetet institucionale të kufizuara shpesh krijojnë hapësirë për vendime që favorizojnë interesat afatshkurtra mbi ato të komunitetit dhe mjedisit. Pikërisht këtu qëndron rëndësia e punës time në EITI. Transparenca nuk është abstrakte. Ajo është mjeti për llogaridhënie, për besim dhe për të siguruar që zhvillimi ekonomik nuk bëhet në kurriz të drejtësisë sociale dhe mjedisit. Të thuash “kjo s’duhet të ndodhë” edhe kur është e ligjshme, është hapi i parë drejt përmirësimit të politikave dhe standardeve.

Portalb.mk: Reuters flet për ndikim publik dhe kontribut social, cili është kontributi juaj që s’e sheh publiku, por ju e konsideroni arritjen tuaj më të madhe?

Shqipe Neziri Vela: Një nga arritjet më domethënëse është krijimi dhe zhvillimi i Rrjetit të Grave në Energji dhe Miniera të Kosovës. Ky rrjet, i themeluar katër vjet më parë, ka sot rreth 100 anëtare nga institucionet publike, universitetet, kompanitë private dhe organizatat ndërkombëtare.

Rrjeti ka filluar të ndryshojë perceptimin e rolit të grave në sektor, duke ofruar mentorim, trajnime dhe hapësira bashkëpunimi. Ka ndihmuar vajzat dhe gratë të ndihen të fuqizuara dhe të përfaqësuara, dhe t’u mundësojë atyre të synojnë role vendimmarrëse.

Në nivel ndërkombëtar, pjesëmarrja ime në rrjete si Global Women in Energy Transition (Austri) dhe në Bordin Këshillues të International Women in Mining (Britani e Madhe) ka lehtësuar shkëmbimin e praktikave më të mira dhe ka treguar se sfidat për gratë nuk janë vetëm lokale, por universale, ato lidhen më shumë me barriera strukturore dhe kultura tradicionale sesa me mungesë talenti apo ambicjeje.

Po ashtu, mentorimi i vajzave dhe grave nga vende të ndryshme të botës është një kontribut shumë personal, që nuk shihet publikisht, por reflektohet në sukseset individuale dhe në ndryshimet afatgjata në sektor.

Foto nga ligjerata e Shqipe N. Vela në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Foto: Shqipe N. Vela

Portalb.mk: Çfarë do të donit të ndryshonte urgjentisht në mënyrën si menaxhohen burimet natyrore?

Shqipe Neziri Vela: Transparenca. Pa transparencë nuk ka llogaridhënie dhe pa llogaridhënie nuk ka zhvillim të qëndrueshëm. Qytetarët duhet të dinë se si merren vendimet, si shpërndahen të ardhurat dhe kush përfiton nga shfrytëzimi i burimeve publike. Vetëm përmes transparencës mund të ndërtohet besimi dhe të sigurohet që burimet shërbejnë për të mirën e përgjithshme.

Portalb.mk: Pas këtij vlerësimi ndërkombëtar: çfarë e keni “luftën” e radhës, një reformë globale, një standard të ri, apo të hapni dyert për një brez të ri vajzash shqiptare në këtë sektor?

Shqipe Neziri Vela: Këto nuk janë qëllime të ndara. Reformat dhe standardet globale kanë kuptim vetëm nëse kthehen në mundësi reale për njerëzit, veçanërisht për brezat e rinj. Perparësia ime është të vazhdoj të kontribuoj në forcimin e standardeve ndërkombëtare të transparencës dhe qeverisjes së mirë, ndërkohë që hap dyer për vajzat shqiptare, që duan të jenë pjesë e këtij transformimi.

Portalb.mk: Çfarë mesazhi keni për gratë shqiptare që duan të arrijnë nivel ndërkombëtar, por s’e kanë rrjetin dhe mbështetjen?

Shqipe Neziri Vela: Mos e kufizoni veten nga stereotipet apo frika. Sektori i energjisë, i minierave dhe i burimeve natyrore ka nevojë për mendje të mprehta në politika, ekonomi, inovacion, mjedis dhe komunikim, jo vetëm për profile teknike.

Kërkoni mentorim dhe ndërtoni rrjete profesionale. Përvoja ime me rrjetin e Grave në Energji dhe Miniera në Kosovë dhe me rrjete ndërkombëtare ka treguar se përkrahja, udhëzimi dhe bashkëpunimi hapin dyer që duken të mbyllura.

Nga puna në fusha sfiduese shpesh ofrohen mundësi që nuk shihen menjëherë. Mundësitë më të mëdha shpesh fshihen pas projekteve më komplekse dhe vendimeve që kërkojnë guxim. Çdo hap, sado i vogël, ka rëndësi dhe duke vepruar, jo vetëm që ndërtoni karrierën tuaj, por kontribuoni në një ndryshim të qëndrueshëm për gjeneratat e ardhshme.

Foto nga arkivi personal i Shqipe N. Vela. Foto: Shqipe N. Vela
Barazi gjinoreEkologjiGra të suksesshmeIntervistëKultura shqiptareKulturë lajmeMinierave dhe Burimeve Minerale (MEMBM)Mjedisi jetësor