Iku pranvera erdhi vera por rrethrrotullimet në rrugën Industriale në Tetovë nuk u bënë, Kasami arsyetohet

Pavarësisht se punimet për rrethrrotullimet në rrugën Industriale (V.S. Bato) në Tetovë priteshin të fillonin në pranverë, kjo nuk është bërë ende. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami thotë se vonesat vijnë për shkak të pengesave nga pushteti i kaluar qendror, ndërsa theksoi se së shpejti do të ketë zgjidhje, duke mos precizuar se kur, shkruan Portalb.mk.

Dy rrethrrotullimet u paralajmëruan nga Kasami në nëntor të vitit 2023 si zgjidhje për uljen e rrezikut në trafik në këtë rrugë në të cilën bëhen shumë aksidente trafiku.

Mirëpo punimet nuk filluan në pranverë siç Kasami tha aso kohe, madje as sot që jemi në mes të verës punime në terren nuk ka.

I pyetur për këtë, Kasami theksoi se punimet janë vonuar për shkak të pengesave nga pushteti i kaluar qendror.

“Tani më jemi në situatë tjetër, është një ndër rastet që kemi pasur pengesa nga institucionet qendrore për të nisur punimet aty. Bëhet fjalë për planifikimin e asaj hapësire përmes projekteve infrastrukturore, për të bërë një gjë të tillë na është dashur pëlqim, një nga institucionet që është dashur të marrim është edhe MEPSO, që nuk kemi mund ta marrim dhe tani me menaxhmentin e ri besoj se do të jetë më e lehtë për të marrë pëlqim të tillë dhe për të vazhduar punimet në të dy rrethrrotullimet”, tha Kasami.

Në lidhje me këtë ka reaguar këshilltari komunal nga BDI-ja, Sali Elmazi, i cili përmes një shkrimi theksoi:

“Tha: s’kemi mund të ndërtojmë dy rrethrotullime ne rrugën industriale për shkak se udhëheqsia e kaluar s’na ka lejuar. Realiteti: më shumë se dy muaj, urra te e njëjta rrugë mbetet e pariparuar nga një aksident i ndodhur para dy muajve duke rrezikuar ç’do ditë e ç’do moment udhëtarët”.

Përgjatë këtij bulevardi gjendet shkolla fillore “Kirili dhe Metodi”, Xhamia e Rinisë dhe së shpejti pritet të hapet edhe çerdhja afër shkollësKomuna e Tetovës në vitin 2022 në këtë aks rrugor vendosi pengesat vibruese, vendet për kalimin e këmbësorëve dhe semaforin nën shkollën fillore.

Megjithatë, kjo rrugë vazhdon të mbetet ndër më të rrezikshmet ku aksidentet ndodhin shpesh, ku ka pasur edhe viktima si dhe protesta që të ndërmerren më shumë masa sigurie nga autoritetet.

Aksident trafiku rrugor (veturë motor biçikletë bus)Bilall KasamiBulevardi “Industrial” TetovëKomuna e Tetovës