“Higjiena Komunale” Shkup ka marrë kallëzim kundërvajtës në vlerë prej 1500 euro për grumbullim të parregullt të mbeturinave

Kryetari i Komunës së Kisella Vodës, Orce Gjorgjievski, informoi se ndaj Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale” – Shkup është paraqitur kallëzim kundërvajtës në vlerë prej 1.500 euro për shkak të grumbullimit jo në kohë dhe të parregullt të mbeturinave në Komunë, transmeton Portalb.mk.

Kallëzimi për kundërvajtje është bërë nga një këshilltar, i cili është inspektor komunal në Komunën e Kisella Vodës, pas një kontrolli të jashtëzakonshëm në territorin e Komunës dhe pas një denoncimi paraprak nga qytetarët.

“Me reagimin e qytetarëve të Komunës Kisella Vodë, inspektori komunal i Komunës së Kisella Vodës ka kryer një inspektim në tërë territorin e Komunës, gjatë të cilit është konstatuar se ofruesi i shërbimit që grumbullon mbeturinat komunale dhe mbeturinat e padëmshme, në kundërshtim me nenin 13 të Ligjit për Veprimtari Komunale, nuk kryejnë rregullisht grumbullimin në territorin e Komunës Kisella Vodë, për çka është paraparë gjobë në pajtim me nenin 41 të Ligjit për Veprimtari Komunale. Inspektori komunal do të lëshojë urdhërpagesë kundërvajtëse në vlerë prej 1.500 euro në kundërvlerë në denarë në pajtim me nenin 41 paragrafi 1 për personin juridik të Ligjit për veprimtari komunale”, thuhet në procesverbalin e kryerjes së inspektimit në Kisella Vodë, të cilin në Facebook e ka publikuar kryetari i Komunës, Orce Gjorgjievski.

Në postimin në Facebook në të cilin informon për problemin, Orce Gjorgjievski thotë se kallëzimi për kundërvajtje është rezultat i punës së pakujdesshme të Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale” dhe kryetares së Shkupit të cilët kujdesen për higjienën në kryeqytey.

“Deri më tani disa herë i kam alarmuar institucionet e qytetit, me letra, me telefon, por padyshim që reagimet tona si komunë dhe të qytetarëve të Kisella Vodës kanë dështuar me proaktivitet nga ana e ‘Higjienës Komunale’, që të gjithë qytetarët e Shkupit e paguajnë. Duke qenë se nuk kemi asnjë reagim në komunikim normal, gjatë ditëve të kaluara kemi dërguar një inspektor komunal për të kontrolluar situatën në terren. E pamë që gjendja ishte katastrofike dhe për këtë arsye kemi bërë kallëzim kundërvajtës në ‘Higjiena Komunale’ dhe kjo do të jetë praktika jonë edhe në ditët në vijim nëse situata nuk përmirësohet”, njofton Gjorgjievski në postimin në Facebook.

Çdo mosveprim i mëtejshëm, paralajmëron ai, do të nënkuptojë kallëzim të ri për kundërvajtje.

Se “Higjiena Komunale” më shumë se dhjetë ditë nuk grumbullon mbeturina ka njoftuat edhe kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski. Ai tha se pamjet në Komunë janë të frikshme dhe i bëri thirrje ndërmarrjes që të përfundojë punën për të cilën është paguar sa nuk është vonë.

“Situata në Komunën e Butelit është alarmante, për më shumë se dhjetë ditë ekipet e NP ‘Higjiena Komunale’ – Shkup, të cilat janë nën komandën e drejtpërdrejtë të Danela Arsovska, nuk janë paraqitur në pjesën më të madhe të territorit të Komunës së Butelit. Nëse Danela nuk është në gjendje t’i bëjë këto detyra elementare të Qytetit të Shkupit, le t’i bartë kompetencat menjëherë te komunat që të mos pësojnë qytetarët”, ka njoftuar dje Kostovski në Facebook.

NP Higjiena Komunale – Shkup ka reaguar ashpër ndaj akuzave të kryetarit të komunës së Kisella Vodës.

“Pritshmërit tona ishin se deri më tani do të parashtrohen akuza kundër shkelësve të Ligjit për Pastërti Publike që çdo ditë ndotin mjedisin jetësor dhe rrezikojnë shëndetin publik përmes hedhjes së pakujdesshme dhe të paligjshme të sasive të mëdha të mbetjeve në sipërfaqet publike. Fatkeqësisht, deri më tani nuk kemi dëgjuar që shërbimet inspektuese pranë komunës të kenë reaguar, paralajmëruar apo ndëshkuar ndonjë nga këta shkelës.
Ju lutemi ndaloni lojërat e ndyra politike, goditjet e ulëta dhe përpjekjet që ta komprometoni Ndërmarrjen”, thonë nga Higjiena Komunale.

Nga Ndërmarrja nënvizojnë se mbetjet komunale në komunën e Kisella Vodës mblidhen dhe transportohen vazhdimisht dhe çdo ditë – pa asnjë ndalesë, sipas dinamikës së përcaktuar me Programin Operativ për mbledhjen dhe transportimin e mbetjes komunale nga zona e qytetit të Shkupit. Gjatë muajit qershor të vitit 2024, njoftojnë nga Ndërmarrja, në territorin e komunës janë mbledhur dhe transportuar gjithsej 1400 tonë mbetje komunale. Gjithashtu, në komunën e Kisella Vodës në vazhdimësi realizohen fshirje manuale dhe makinerike, si dhe larje makinerike të bulevardeve dhe rrugëve me përdorim të autocisternëve.

“Po ashtu, gjatë muajit të kaluar ekipet e NP Higjiena Komunale – Shkup kanë ngritur edhe gjithsej 100 metra kub mbetje nga një numër i madh i deponive të egra, që ndodhen në rrugët Hristo Tatarçev, Bote Boceski, Diço Petrov, Gjorgi Dimitrov dhe lokacion mirë i njohur tek Marketi Tomi që përfaqëson “njollë të zezë” ku ndërhyhet të paktën një herë në javë për largimin e mbetjes së hedhur të paligjshme nga sipërfaqet publike dhe të trafikut.
Ju këshillojmë që menjëherë të merreni me inspektim mbikqyrës, por jo në punën e NP Higjiena Komunale – Shkup, aktivitetet e së cilës në terren zhvillohen shtatë ditë në javë me tre turne, por me personat e pakujdesshëm të cilët në muajt e fundit në mënyrë tendencioze merren me hedhjen e paligjshme të mbetjes dhe ndotjen e mjedisit jetësor, me qëllim që t’i vën në dyshim kompetencat dhe angazhimin e ekipeve të NP Higjiena Komunale – Shkup”, shtojnë nga Higjiena.

Higjiena Komunale ShkupKomuna e Kisella Vodës