Anëtarë të Grupit Këshillëdhënës për Politikat e Ballkanit në Evropë (BiEPAG) i kanë dërguar një letër Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ku kërkojnë që vizitën e planifikuar në Serbi për në tetor, ta shtyjë pas zgjedhjeve parlamentare, raporton Portalb.mk.
Duke pasur parasysh se zgjedhjet parlamentare do të mbahen në fund të tetorit, BiEPAG thotë se vizita mund të përkojë me fazën përfundimtare dhe më të ndjeshme të fushatës zgjedhore.
“Në mjedisin shumë të polarizuar politik dhe mediatik të Serbisë, ekziston një rrezik real që një vizitë zyrtare e Presidentes së Komisionit Evropian të keqpërdoret si mesazh i mbështetjes evropiane për autoritetet aktuale”, thuhet në letër.
Ata shtojnë se rëndësia politike e një vizite në këtë nivel nuk mund të vlerësohet veçmas nga rrethanat në të cilat ajo zhvillohet.
“Kjo është veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh shqetësimet e vetë Komisionit Evropian lidhur me standardet demokratike në Serbi, përfshirë funksionimin e institucioneve demokratike, lirinë e medias dhe sundimin e ligjit”, thonë nga BiEPAG .
Grupi thekson se vizita gjatë fushatës zgjedhore mund të krijojë përshtypjen e një mbështetjeje nga BE-ja, gjë që do të ishte e vështirë të pajtohej me angazhimin e deklaruar të Unionit ndaj standardeve demokratike dhe një gare të barabartë zgjedhore.
“Në këtë kontekst, ju bëjmë thirrje fuqimisht që të shqyrtoni mundësinë e shtyrjes së vizitës deri pas zgjedhjeve. Një vendim i tillë nuk do të sinjalizonte shkëputje nga Serbia; përkundrazi, do të dërgonte një sinjal të qartë se Bashkimi Evropian nuk do të lejojë që angazhimi i tij politik në nivelin më të lartë të përdoret, qëllimisht apo jo, për t’i dhënë legjitimitet apo avantazh elektoral cilësdo palë në një garë demokratike”, thuhet në letër.
Në ndërkohë, komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, e anuloi vizitën e planifikuar në Beograd në shenjë proteste, pasi dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën për t’i bërë nderime kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mlladiq. Kritika për skenat nga Beogradi gjatë varrimit më 7 shtator shprehën disa liderë të BE-së.