Gratë më të forta se kanceri i gjirit, zbulimi i hershëm shpëton jetë (Video)

346 gra vitin e kaluar e humbën betejën me kancerin e gjirit në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, ekspertët e fushës theksojnë se zbulimi i hershëm parandalon sëmundjen, andaj vetë-kontrollet dhe kontrollet te mjeku duhet të jenë të rregullta, shkruan Portalb.mk.

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut në periudhën 2017-2021 kanceri i gjirit është në vendin e parë për nga numri i rasteve të reja të neoplazmave malinje te gratë.

Kanceri i gjirit është edhe shkaku më i shpeshtë i vdekjes nga neoplazmat malinje te gratë në periudhën 2010-2023.

Nga viti 2017 deri në vitin 2021 janë regjistruar 4,002 raste me kancer të gjirit.

2,234 gra humbën jetën nga kanceri i gjirit në Maqedoninë e Veriut nga viti 2017 deri në vitin 2021.

Onkologja Vesna Atanasovska Kolevska tha se kohëve të fundit vërehet rritje e rasteve me këtë sëmundje.

“Fatkeqësisht kohëve të gjithkund por edhe te ne rritet frekuenca e paraqitjes, ndërsa kufiri i moshës po bëhet gjithnjë e më i vogël. Diagnostikimi i hershëm, pra skriningu, ka një rëndësi të madhe për ne sepse te ne ndikon shumë”, tha Kolevska.

Vesna Atanasovska Kolevska – onkologe. Foto: Portalb.mk

Radiologu Argjend Imeri shprehet se niveli i edukimit shëndetësor i popullatës nuk është i kënaqshëm dhe len hapësirë për tu punuar ende në drejtim të informimit për kancerin e gjirit.

“E vetmja mënyrë e njohur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë që parandalon vdekshmërinë nga sëmundja është zbulimi në kohë i sëmundjes dhe ajo bëhet vetëm me kontrolle të rregullta dhe periodike”, tha Imeri.

Argjend Imeri – radiolog. Foto: Portalb.mk

Tetori në Botë njihet si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, ekspertët e fushës thonë se “lufta” me këtë sëmundje është e përditshme.

“Fushata nuk duhet të jetë vetëm në muajin tetor, por duhet të jetë gjatë gjithë vitit, sepse e dimë që kalcinoma e gjirit është shkaku më i shpeshtë i vdekjes te gratë dhe duhet t’i kushtojmë vëmendje jo vetëm në muajin tetor, por gjatë gjithë vitit”, tha onkologja Kolevska.

Ministria e Shëndetësisë nisi fushatën kombëtare me moton “Karvani Rozë i Tetorit – Parandalimi është mbrojtja më e mirë”.

Aktiviteti kryesor i fushatës është mbajtja e tribunave publike të drejtuara nga ekspertë panelistë, mjekë, në objektet shëndetësore publike në të gjithë vendin, me qëllim ndërgjegjësimin për rëndësinë e parandalimit dhe diagnostikimit të hershëm të kancerit të gjirit.

Në kuadër të fushatës do të organizohen sesione edukative, të pasuara me materiale edukative promovuese dhe konsultime me ekspertë, si dhe regjistrime në on-site https://skrining.zdravstvo.gov.mk/home, në mënyrë që grave tu sigurohet informacion dhe mbështetje për ekzaminime të rregullta parandaluese.

Ky është orari i forumeve, të cilat do të drejtohen nga mjekë – specialistë të kësaj fushe, të cilët janë anëtarë të komisionit kombëtar për depistimin e kancerit të gjirit.

  • Më 14 tetor në Spitalin Klinik të Tetovës në ora 13:30 Dr.Argend Imeri.
  • Më 17 tetor, në Spitalin Klinik të Shtip – 13:30, Dr. Jasminka Chabukovska
  • Më 18 tetor, në Spitalin e Përgjithsëm Kavadar – 13:30, Dr. Svetlana Temelkovska.
  • Më 21 tetor, në Spitalin e Përgjithsëm Strugë – 13:30, Dr. Maja Jakimovska-Dimitrovska.
  • Më 25 tetor, në Spitalin e PërgjithsëmKumanovë – 13:30 Dr. Maja Jakimovska.
  • Më 28 tetor, në Spitalin Klinik Manastir – 13:30, Dr. Tanja Petrovska.
  • Më 29 tetor, – ora 13:30 salla e ISHP-së Spitali i Përgjithshëm Veles, Dr.Tanja Petrovska.

Gjatë vitit 2022 në Botë 2.3 milionë gra u diagnostikuan me kancer të gjirit ndërsa 670 mijë e humbën jetën.

Rekomandohet që çdo grua mbi moshën 25 vjeçare të kryejë vizitë te mjeku një herë në vit, ndërsa gratë mbi 40 vjet dy herë në vit.

Ndonëse më rrallë, kanceri i gjirit i prek edhe burrat, përafërsisht 1 përqind e rasteve të kancerit të gjirit regjistrohen te burrat.

Barazi gjinoreKanceriKanceri i gjiritMinistria e Shëndetësisë (MSH)Mjekësi Mjek(e) Doktor