Nxënësit që e kanë mbaruar arsimin fillor në Maqedoninë e Veriut prej nesër do të kenë mundësi në formë elektronike të regjistrohen në shkollat e mesme në vend, transmeton Portalb.mk.
“Regjistrimi i parë i nxënësve në afatin e qershorit do të realizohet nga data 12 deri më 15 qershor, ndërsa dorëzimi i dokumentacionit të nevojshëm në shkolla do të realizohet më 16 dhe 17 qershor. Listën përfundimtare të renditjes me rezultatet e regjistrimit dhe vendet e lira, shkollat duhet ta publikojnë më 18 qershor”, sqaroi Ministria për Arsim dhe Shkencë.
Aplikimi do të bëhet në formë elektronike në portalin e-uslugi.mon.gov.mk, ku nxënësit do të duhet të përdorin llogarinë schools.mk, ndërsa ndihmë mund të kërkojnë edhe të adresa https://kvalifikacii.crso.gov.mk/.
“Regjistrimi i dytë në afatin e qershorit është më 23 qershor, ndërsa dorëzimi i dokumentacionit të nevojshëm në shkolla është më 24 qershor. Regjistrimi i tretë është më 20 gusht”, raportoi Ministria.
Ndryshe, për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, viti shkollor 2025/2026 përfundoi më 10 qershor, ashtu që deri më 31 gusht do të jenë në pushime verore, ndërsa për maturantët dhe gjysmë-maturantët do të pasojë provimi shtetëror i maturës dhe regjistrimi në shkollat e mesme.
Sipas Konkursit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, regjistrimi i parë do të fillojë më 12 qershor në mesnatë dhe do të zgjasë deri në orën 23:59 më 15 qershor, ndërsa regjistrimi i dytë në afatin e qershorit do të jetë më 23 qershor. Për ata që nuk do të mund të regjistrohen në qershor, do të ketë afat regjistrimi më 20 gusht.
Konkursi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës parashikon mbi 25.000 vende të lira në të 109 shkollat e mesme publike në vend. Hapësira më e madhe këtë vit është lënë në arsimin profesional, ku ka më shumë se 17.000 vende të lira, i ndjekur nga arsimi i mesëm me 6.000 vende të lira, ndërsa ka 570 vende të lira në arsimin artistik.